Policia e New York tërheq ‘qenin’ e frikshëm robot nga rrugët, pas revoltës së komunitetit (fotot)

79

Qeni robot i policisë së New York në SHBA duket se është përndjekur deri në lënien e shërbimit.

Departamenti i policisë njoftoi se po rikthen asistentin e saj Digidog te prodhuesit Boston Dynamics pas disa muajsh përçmimi dhe talljesh që e krahasonin katërkëmbëshin me filmat e fantazisë së survejimit të makthit.

John Miller, kreu i policisë tha se ishte anulluar kontrata me grupin Boston Dynamics, si dhe plani për të vlerësuar nëse roboti mund të përdoret për mbikqyrjen e situatave të tensionuara si ato me të dyshuar të armatosur, situata me pengje apo incidente kimike ose radiacioni.

“Roboti nuk ishte kurrë një pajisje survejimi. Bënte zhurmë kur ecte dhe kishte një kamera në vend të kokës. Roboti kishte drita policie dhe bokse nga ku mund të flisnin policët e vërtetë. Nuk kishte mundësi të vërteta që të ndiqte dikë pa u vënë re, apo të fshihej diku për të survejuar”.

Qeni robot u shfaq fillimisht në fillim të vitit në disa skena krimi, por menjëherë u shfaq në rubrikat humoristike të lajmeve.

Prezantuesi  Trevor Noah i DailyShow, tha asokohe: “Wow, një qen robot? Kjo është tamam mënyra e policisë për të thënë se kanë shumë para dhe duhet të reduktohet buxheti”.

Ndërsa anëtari i këshillit të bashkisë së qytetit Ben Kallos e krahasonte atë me një seri të filmit  fantastik “Black Mirror” ku një qen robot është në rolin e vrasësit. Seriali eksploron sesi teknologjia e mediat sociale janë inovacione që mund të shkojnë tmerresisht gabim.

Kallos kishte bërë gjithashtu një kërkesë informacioni me të cilën mësoi se policia e New York kishte marrë me qera Digidog për $7,850 në muaj për 12 muaj, me një pagesë minimale prej $94,200.