11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeBotaPfizer, BioNTech kërkojnë autorizim për përdorimin e vaksinës te moshat e reja

Pfizer, BioNTech kërkojnë autorizim për përdorimin e vaksinës te moshat e reja

Kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech u kërkuan të premten rregullatorëve amerikanë që të lejojnë përdorimin emergjent të vaksinës së tyre tek adoleshentët e moshave 12 deri në 15 vjeç.

Vaksina aktualisht është e autorizuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart. Kompanitë thanë të premten se kishin kërkuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave një zgjerim të autorizimit, për të përfshirë edhe grupmoshën më të re.

Në muajin mars, kompanitë thanë se nga provat klinike rezultonte që vaksina ishte e sigurt, efektive dhe nxiste përgjigje të fuqishme antitrupash tek moshat 12-15 vjeç.

Është e paqartë se sa kohë do t’u duhet rregullatorëve të SHBA për të verifikuar të dhënat e provave, megjithëse drejtoresha e Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve Rochelle Walensky i tha televizionit ABC news të enjten se pret që vaksina të autorizohet për moshat 12 deri në 15 vjeç nga mesi i majit.

Është gjithashtu e paqartë nëse rregullatori do të kërkojë një takim të bordit të pavarur këshillues që rekomandoi autorizimin fillestar në mënyrë që kompanitë të marrin një autorizim për këto mosha.

Moderna Inc dhe Johnson & Johnson po testojnë gjithashtu vaksinat e tyre tek moshat 12-18 vjeç, dhe të dhënat nga kompania Moderna mund të dalin së shpejti.

Pfizer dhe Moderna gjithashtu kanë filluar prova edhe te fëmijë më të vegjël, të moshës gjashtë muaj deri në 11 vjeç. Të dyja kompanitë kanë thënë se shpresojnë të jenë në gjendje të vaksinojnë fëmijët nën 11 vjeç nga fillimi i vitit 2022.

Vaksinimi i fëmijëve dhe të rinjve shihet si një hap i rëndësishëm drejt arritjes së imunitetit të tufës dhe zbutjes së pandemisë, sipas shumë ekspertëve.

Pfizer dhe BioNtech thanë se në ditët në vijim planifikojnë t’u kërkojnë edhe autoriteteve në vende të tjera të botës që të lejojnë përdorimin e vaksinës së tyre tek moshat 12-15 vjeç.

https://www.zeriamerikes.com/a/pfizer-biontech-k%C3%ABrkojn%C3%AB-autorizim-p%C3%ABr-p%C3%ABrdorimin-e-vaksin%C3%ABs-te-moshat-e-reja/5847440.html

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments