Pendarovski dekretoi ligjet për pakon e 5 ekonomike dhe i përgjigjet Mickoskit

57

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka dekretuar ligjet e pakos së 5 ekonomike të cilat u miratuan sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ka bërë të ditur, se për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e punës së Kuvendit, nuk ka kompetencë që ta bëjë atë.

“Sot presidenti Pendarovski pa asnjë dilemë i ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve me të cilat do të mundësohet që mijëra qytetarë tanë të marrin paga për muajin shkurt dhe mars të këtij viti. Sa i takon kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së punës së Kuvendit, presidenti i shtetit nuk ka kompetencë të njëjtën ta shqyrtojë, për atë është përgjegjës kryetari i Kuvendit, kurse pas miratimit të ligjeve edhe Gjykata Kushtetuese”, njoftoi Pendarovski.

I është përgjigjur edhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit në thirrjen që ky i fundit ia bëri Pendarovskit për të treguar qëndrim për zhvillimet në Kuvend.

“Sa i takon thirrjes së Mickoskit deri te presidenti, që të tregojë se “është i denjë për funksionin që e kryen”, qytetarët tanë më së mirë treguan se çfarë mendojnë për dinjitetin e presidentit në zgjedhje para dy vjetësh. Përveç kësaj, qytetarët tanë e dinë se presidenti Pendarovski gjithmonë ka pasur qëndrim për çështjet e rëndësishme dhe problemet me të cilat ata përballen, madje edhe për punë që nuk janë kompetencë e tij, kurse janë në interes të qytetarëve, përfshirë përsëri aktualizimin e çështjes për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Për fat të keq, disa të tjerë, mes të cilëve edhe Mickoski nuk folën për këto propozime ekstreme dhe shumë të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e Pendarovskit./TV21