Ora e shtuar policore, Kumanova e heshtur! Dimitrievski: Qeveria duhej t’i kishte informuar qytetarët më herët

206

Heshtje dhe qetësi në Kumanovë. Dyqane, objekte dhe institucione të mbyllura. Asnjë qytetar në rrugë. Kështu do të jetë në këtë qytet çdo fundjavë, deri sa nuk kalon pandemia.

Prej mbrëmë me fillim prej orës 21 deri të hënën në orën 5 paradite, Kumanova nuk ka leje për qarkullim, gjegjësisht qytetarët do të jenë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre për 56 orë. Ata nuk guxojnë të lëvizin nëpër qytet, përveç atyre që kanë nevoja të domosdoshme dhe atyre që duhet të shkojnë në punë. Ky vendim erdhi në seancën e 34 të Qeverisë, me rekomandim të komisionit për sëmundje infective. Për shkak të rritjes rapide të numrit të të infektuarve nga Covd-19, apo virusi korona në Kumanovë.

Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dmitrievski vendimin e Qeverisë për orën e shtuar policore e cilësoi si të vonuar por adekuat. Ai tha se Qeveria duhet t’i  kishte informuar qytetarët më herët për këtë masë. Prej nesër qytetarët e Kumanovës do të mund të porosisin produkte ushqimore nëpërmjet telefonit dhe t’i marrin në shtëpi nga marketet me të cilat do të bëj marrëveshje Komuna.

“Kemi filluar me shpërndarje ta pakove humanitare, për familjet më të rrezikuara sociale. Kemi vendosur edhe një numër shtesë të shtabit komunal për komunikim dhe informim me qytetarët. Paralelisht me këtë kemi vendosur ekipe shtesë për asistencë të qytetarëve, jemi në proces të sigurimit të marketeve dhe kompanive tjera që punojnë me shitje dhe distribuim të produkteve ushqimore. Ato do të kryejnë shitje, nëpërmjet porosive që do t’ pranojnë me telefon dhe të njëjtat mund t’i dorëzojnë te qytetarët në adresat e tyre”.  – tha Maksim Dimitrievski – Krytar i Kumanovës

Të moshuarit dhe personat që kanë nevoja urgjente dhe shëndetësore, mund të paraqiten në numrin kujdestar të shtabit për mbrojtje dhe shpëtim. Kryetari i Komunës apeloi te qytetarët për durim dhe mirëkuptim.

OEMVP ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë, duke thënë se është i papranueshëm meqë qytetarët janë njoftuar vetëm disa orë para se të hyj në funksion ora policore, me çka janë krijuar turma nëpër dyqane dhe është krijuar atmosferë e tensionuar ku nuk është respektuar distance mes qytetarëve. Nga kjo organizatë kanë rekomanduar që vendime të këtilla të komunikohen të paktën 48 orë përpara se të sillen.

Ndryshe në 24 orët e fundit në Kumanovë janë shënuar edhe 8 raste të reja me virusin korona me këtë numri ka shkuar në 93.Kumanovarët gjatë ditëve të punës do të kenë të drejtë lëvizjeje nga ora 5 deri në ora 16.