Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria nuk do të miratojë fonde shtesë për gjyqësorin dhe prokurorinë, duke vlerësuar se gjyqtarët dhe prokurorët nuk i kanë merituar ato, për sa kohë nuk tregojnë rezultate më të mira në dhënien e drejtësisë.
Duke komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian për gjendjen në sistemin e drejtësisë, Mickoski tha se bëhet fjalë për një raport të rregullt që përmban vlerësime pozitive dhe kritika.
„Nga të gjithë deri tani, ky është raporti më i mirë për ne si shtet. Nuk është ideal, ka vërejtje, por ka edhe shumë lavdërime për projektet dhe politikat që po zbatohen“, tha kryeministri.
Ai paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë publikisht nga gjyqtarët dhe prokurorët që të japin drejtësi, duke theksuar se qytetarët nuk janë të kënaqur me funksionimin e sistemit gjyqësor.
„Do të vazhdoj t’i kritikoj dhe të kërkoj publikisht rezultate. Qytetarët vetë shohin se nuk ka një dhënie të kënaqshme të drejtësisë“, tha Mickoski.
Kryeministri ishte i prerë se nuk do të pranohen kërkesat për rritjen e buxhetit për institucionet gjyqësore, megjithëse të tilla parashikime ekzistojnë në ligje.
„Para më shumë nuk do të marrin. Nuk i kanë merituar. Presim së pari të japin drejtësi, e jo të kërkojnë më shumë mjete“, porositi Mickoski.
Sipas tij, pavarësia e gjyqësorit nuk sigurohet me buxhet më të madh, por me punë profesionale dhe përgjegjëse. Ai shtoi se Qeveria tashmë i ka përmbushur detyrimet lidhur me pajisjen me kuadro dhe pavarësinë institucionale, por nuk do të lëshojë pe para asnjë presioni për financim shtesë.
