10.5 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaKulturëNjë kontribut shumë origjinal i historianit hungarez mbi shqiptarët e Ballkanin

Një kontribut shumë origjinal i historianit hungarez mbi shqiptarët e Ballkanin

Antal Molnár, “Confessionalization on the Friontiert, The Balkan Catholics between Reform and Ottoman reality”, seria “Interadria-Culture dell Ádriatico”, “Viella”, Romë, 2019

Libri i Antal Molnárit, “Konfesionalizmi në kufi: Katolikët e Ballkanit në mes Reformës së Romës dhe realitetit otoman”, i botuar më 2019 nga “Viella” në Romë, është gjithçka, përveç një libër i zakonshëm historie.

Molnár edhe më herët ka sjellë kontribute të dallueshme për historinë e Ballkanit nga koha e re, duke vjelë burime të panjohura në Vatikan, Dubrovnik e arkiva të Kotorrit, duke qenë drejtor i Akademisë Hungareze në Romë. Momentalisht është drejtor i Institutit të Historisë në Qendrën Hulumtuese për Shkenca Humane në Akademinë Hungareze të Shkencave dhe ligjërues në universitetin prestigjioz “Eötvös Lorānd” të Budapestit.

Kontributet e tij më të njohura janë: “Le Saint-Siĕge”, “Raguse et les missions catholiques de la Hongarie Ottomane 1572-1647” (nga viti 2004), “The Falconieri Palace in Rome” nga viti 2016, në bashkautorësi me Tomās Töth, si dhe kontribute të tjera që kanë të bëjnë me kundë-reformacionin dhe historinë e Ballkanit, ndër to edhe për veprimtarët katolikë shqiptarë, për çka do të flasim më vonë.

Molnár, i cili vjet dy herë u paraqit para opinionit kosovar, njëherë me rastin e 550-vjetorit të Skënderbeut, dhe në promovimin e librit mbi kontakte historike shqiptaro-hungareze në Akademinë e Arteve dhe të Shkencave të Kosovës në Prishtinë, është një poliglot që flet italisht, frëngjisht dhe gjuhët sllave të jugut dhe që ka sjellë qasje origjinale në paraqitjet kthesë të studimit të katolikëve dhe Ballkanit nën otomanët duke vjelë arkivat e njohura të mediteranit, por jo vetëm ato. Libri para nesh, siç e shpjegon edhe vetë autori në hyrje, është një kompilim esesh të mëhershme të sjella si një tërësi simpatike që prek jetën e katolikëve ballkanikë pas Kundër-reformacionit dhe të jetuarit e tyre në një perandori jokrishtere të kohës, si ajo otomane.

Dhjetë kapitujt e veprës janë qëllimshëm të përzgjedhur, që si segment që studion aspektet më karakteristike të kohës, të zbërthejë një tablo më të gjerë interesante në një mozaik që nga aspektet gjeografike, kulturore, tregtare, politike i kundërvënë në një peshore që i godet stereotipat e vendosura, por edhe sjell shumëçka në një dritë të re të të kuptuarit të fenomenit.

Secili nga kapitujt-esetë është po aq sa tablo më vete, në fakt vetëm edhe një gur në mozaik në të kuptuarit e jetës katolike pas Kundër-reformacionit nën otomanët: Françeskanët boshnjakë në mes të centralizmit romak dhe konfesionalizmit ballkanik; Zyra e Shenjtë dhe misionet ballkanike para themelimit të Kongregacionit Propaganda Fide (1622); Venediku Juglindor dhe Hungaria Otomane; Lufta për kapelën në Beograd (1612-1643); Lufta për Kapelën e Novi-Pazarit (1527-1630); Misionet katolike dhe origjina e kombkrijimit shqiptar në fillim të shekullit XVII; Kisha Ortodokse Serbe dhe përpjekjet për Union me Romën në shekullin XVII; Misionet ballkanike nën pontifikatin e Inoqentit XI (1676-1689); La Schiavona, vajza boshnjake në mes të hagiografisë katolike dhe transvetizmit femëror ballkanik.

Dubrovniku – çelësi midis Perëndimit e Lindjes

Ajo që sheshon përtej një formatizimi të etabluar, Molnár në fakt sjell brendësime të motiveve dhe prapavijave të ndryshme politike, tregtare, kulturore, interesave dhe lobive prapa betejave të ndryshme për të kontrolluar postet ipeshkvnore e kishtare, ndikimin, hierarkinë dhe primatin, sidomos në disa raste që kishin histori të gjatë rivalitetesh e kontestimesh, sikurse çështja e të parit në kapelën katolike në Beograd dhe Novi-Pazar. Ishte një betejë e ashpër 30-vjeçare e kontestimeve që mbështjelli edhe Vatikanin në rivalitetet në mes të françeskanëve boshnjakë dhe jezuitëve dhe tregtarëve boshnjakë dhe Dubrovnikut. Dubrovniku ishte mu çelësi në mes të Mediteranit e Kontinentit, midis Perëndimit e Lindjes dhe katolicizmit e Stambollit. Në fakt, privilegjet që u janë siguruar raguzianëve nga sulltanët u kanë krijuar atyre përparësi të dukshme dhe shpeshherë Roma është e vetëdijshme që në këtë aspekt çdo infrastrukturë katolike brenda otomanisë zbërthehet mu përmes dubrovnikasve, të cilët me diplomacinë e tyre subtile, shumë herë hapin dyert në Stamboll për tejkalime situatash. Kjo situatë shpeshherë i konvenon vetë Portës, e cila arbitron në mes katolikëve, në nivel Stambolli apo në nivel lokal. Por çështja është tjetër kur ndeshet mu këtu lobi katolik dhe kjo në aksin jezuit e françeskan boshnjak apo Raguzë-Venedik. Françeskanët boshnjakë po ashtu ishin etabluar fuqishëm brenda sistemit otoman, dhe si një strukturë katolike e para-reformacionit, ata ishin një lloj infrastrukture e një katolicizmi më popullor që gjente mënyra të mbijetesës e bashkëjetesës nganjëherë jortodokse nën otomanët. Por një element tjetër shtytës aty ishin edhe zejtarët e tregtarët boshnjakë, që ndonëse shumë më me pak me kaçik financiar se raguzianët, filluan të etablohen dhe për ta Beogradi – si një qendër që filloi të kishte rëndësi strategjike e ekonomike në shekujt XVI-XVII, prej nga shpinin kryqëzimet e rëndësishme rrugore e lumore- ishte tejet i rëndësishëm. Ndërsa interpretimi që ata e kanë të drejtën e emërimit të peshkopit aty ishte qendrore për ta mbajtur kontrollin e primatin. Por Dubrovniku, që kishte paratë e ndikimin, me koloninë e tij tregtare, ndonëse më të paktë numerike, ishte dukshëm para dhe e mbante çelësin e pretenduar. Çështja shkoi deri aty sa në një kundërshti pothuajse 30-vjeçare, involvoi me padëshirë arbitrimin tek otomanët, që Roma dëshironte me çdo kusht t’i evitonte.

Në këtë kontest në mes palëve, si pajtues për postin e të parit që do të qëndronte në kapelën e Beogradit, duket se u përdor edhe titulli Ipeshkvi i Prizrenit, që e mbajti Mazreku.

Roli i Pjetër Mazrekut

Molnár në fakt zbërthen se prapa gjithë kësaj situate ilustruese të veprimit të katolicizmit pas Kundër-refomacionit në Otomani, kishte edhe elemente të tjera shtesë në prapavijë me karakter jo vetëm fetar: përderisa Dubrovniku mbante aksin e tregtisë Lindje-Perëndim përmes Ankonës (e mbështetur edhe nga Roma), Venediku si kundërshtar e rival u gjet nga boshnjakët që dëshironin ta impononin vijën tjetër paralele të tregtisë dhe ndikimit. Vija e ndikimit venedikas ishte konsistente, por shumë e hollë, që shtrihej kryesisht përmes bregdetit në aksin Adriatik-Jon dhe që nuk arriti etablim përtej relievit ballkanik – dhe këtu Molnár në një zbërthim të një qasjeje të Oliver Schmittit e tregon këtë dimension të Venedikut në Ballkan si, “Venediku i Evropës Juglindore”.

Roma e Kundër-reformacionit gradualisht fillon një rivendosje tjetër, duke i konsoliduar radhët, duke sjellë reforma në riorganizim strukturor kishtar, por edhe unifikim doktrinash e qëndrimesh që nisën si një përpjekje kundër goditjes së fuqishme të protestantizmit. Por një rrezik i tillë nuk ekzistonte në Ballkan nën otomanët. Këtu sfidat ishin të tjera. Këtu kishte veprim në një hapësirë perandorake jokatolike, që kishte specifikat e veta komplekse.

Ajo që Molnár po ashtu vëren është se ndonëse Kundër-reformacioni ishte një lëvizje kundërofansive katolike, shpejt u kuptua nga Vatikani i shekujve XVI-XVII që evangjelizimi i jokatolikëve apo katolicizimi i të tjerëve nuk ishte agjendë reale dhe se në këtë aspekt, më shumë ka edhe keqkuptime e keqinterpretim të të tjerëve në historiografinë ballkanike. Në këtë duket ka luajtur rol qendror Pjetër Mazreku, i cili si një relator e vizitor special ka luajtur një rol tepër me rëndësi në këtë histori.

Mazreku për shumëçka tjetër, më shumë sesa i vlerësuar nga ky kënd në historiografinë shqiptare, del si një ndikues dhe strateg ndër kryesorët i ndërtimit të politikave të Kundër-reformacionit në Ballkan. Këshillat e tij u treguan largpamëse në shumë drejtime dhe vënë një vulë të veprimeve të Kundër-reformacionit dhe katolicizmit në Otomani, sikurse edhe e kroatit Mërnaviq në anën tjetër.

Identiteti dhe formësimi kombëtar shqiptar

Në fakt, Antal jo vetëm përmes Mazrekut, por edhe përmes një plejade klerikësh të lartë që imponohen pas tij, ku hyjnë Budi, Bardhi, Bogdani e të tjerë e bën një prerje interesante që është risi e vërtetë në historiografi mbi shqiptarët. Ai thekson që është pikërisht ky lob katolik i Kundër-reformacionit që vuri bazat e identitetit dhe formësimit kombëtar shqiptar para Rilindjes Kombëtare. Molnár në një mënyrë ia kundërvë qëndrimin e tij tezës së osmanologut të njohur Hasan Kaleshi që sheh komb-krijimin shqiptar ngushtë të lidhur me otomanët dhe islamin. Molnár e thekson rolin e veçantë të këtij lobi katolik shqiptar, i cili në rivalitet të hapur me lobin katolik sllav (“lëvizjen ilire”) lufton për të pasur primatin dhe vendin në vendosje të strukturave, klierarkisë dhe sidomos shkollimit të kuadrove shqiptare në Loreto e gjetiu pas themelimit të Propaganda Fide. Një lob i tillë është në kundërshtim me lobin katolik sllav, me ortodoksinë dhe nën trysninë e otomanëve. Shkollimi i kuadrove, botimet shqipe, traktet polemizuese si ajo e Bardhit me Mërnaviqin mbi përkatësinë etnike të Skënderbeut, apo kontributi i Bogdanit në ngritjen e faktorit ushtarak shqiptar gjatë luftës austro-turke, e bënë që kontributi i këtij komb-krijimi shqiptar me primesa katolike të gjejë djepin e tij mu në Kosovë dhe në Shqipëri Veriore, thekson Molnar. Dhe kjo lëvizje gjen epilogun mu në Kosovë, pas luftës me shumë pasoja austro-turke (1689).

Molnár ua kushton një kapitull të veçantë përpjekjeve për Unionin me Kishën Ortodokse Serbe dhe sipas tij, përkundër kontakteve të evidencuara, kjo më shumë ngjan në periferi e margjina të saj (si hapësira e bregdetit malazias), sesa në të vërtetë ka pasur ndonjë lëvizje të formësuar, që është interpretuar ndryshe në historiografi të ndryshme.

Pjesa tjetër e kontributit ka të bëjë me hapësirat katolike hungareze nën Perandorinë Otomane dhe rolin që ajo historikisht ka luajtur më vonë kur këto hapësira i janë bashkuar Austro-Hungarisë.

Molnár sjell edhe trajtesa specifike me një qasje origjinale si kapitulli i fundit: “La Shciavona. A Bosnian Girl between Catholic hagiography and female Transvestism”.

Molnár e zbërthen tablonë hagiografike të një vajze boshnjake, Magdelena Peresh Vuksanoviq, që u venerua si e shenjtë, e cila kishte refuzuar martesën për të jetuar si katolike e devotshme, dhe u shtir si mashkull e ka jetuar e maskuar si mashkull që ikën nga Bosnja për në Vojvodinë dhe më vonë në Itali, ku bëhet subjekt i një letërsie hagiografie sipas modës së kohës të Giovanni Severanos (1562-1640), një autor shumë i njohur i kohës, që konsiderohet pionieri i arkeologjisë krishtere së bashku me Antonio Bossion.

Molnár në të sheh një shtresim më multidimensional, me primesa ballkanike të transgjinisë, që tek shqiptarët njihet si fenomeni i virgjëreshës, dhe që gjetiu ka mbetur edhe tek disa popuj malësorë ballkanikë.

Antal Molnár gjatë dy vjetëve të kaluar ka qëndruar dy herë në Kosovë, ku i është paraqitur opinionit shkencor gjatë 550-vjetorit të Skënderbeut dhe me rastin e promovimit të librit mbi kontaktet historike hungarezo-shqiptare.

Ka kaluar i pahetuar në tërësinë që ai ofron si një nga autorët ekspecionalë dhe me kontribute të jashtëzakonshme të reja për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit.

© KOHA.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments