www.telegrami.mk
Lajmiinteraktiv
Sa herë që hapet tema e gjuhës shqipe apo e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, menjëherë përmendet Komisioni i Venecias, sikur çdo avancim i shqiptarëve duhet të kalojë në filtër ndërkombëtar. Por lind pyetja logjike: nëse ka aq shumë shqetësim për harmonizimin dhe standardet evropiane, pse të mos dërgohet për analizë edhe vetë Kushtetuta e shtetit?
Ironia është se sa herë bëhet fjalë për gjuhën shqipe apo të drejtat e shqiptarëve, menjëherë kujtohen për Komisionin e Venecias, sikur çdo nen që lidhet me shqiptarët duhet të kalojë në “kontroll special”.
Atëherë lind pyetja logjike: pse të mos dërgohet e gjithë Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut në Komisionin e Venecias për analizë?
Ndoshta aty do të shihej edhe një realitet tjetër: se koncepti shtetformues dhe privilegjet politike e simbolike të maqedonasve janë shumë më të theksuara sesa barazia reale që pretendohet në një shtet multietnik. Sepse kur privilegjet e shumicës konsiderohen “normale”, ndërsa të drejtat e shqiptarëve trajtohen si “problem juridik”, atëherë kemi standard të dyfishtë.
Komisioni i Venecias nuk duhet të përdoret si mjet për të vonuar apo relativizuar të drejtat e shqiptarëve. Nëse ka standarde evropiane, ato duhet të vlejnë për të gjithë — edhe për mënyrën si është ndërtuar vetë Kushtetuta, jo vetëm kur shqiptarët kërkojnë zbatim të barabartë të të drejtave të tyre.
Nëse thoni se jeni marrë vesh me partnerin e koalicionit dhe ekspertët i keni zgjedhur vetë, atëherë pse frika nga implementimi? Pse çdo herë kur vjen puna te gjuha shqipe hapet tema e Komisionit të Venecias sikur të ishte alibi politike dhe jo mekanizëm juridik?
Kur bëhet fjalë për interesa politike, ligjet kalojnë me procedura të përshpejtuara, ndërsa për të drejtat e shqiptarëve papritmas kërkohet “kujdes”, “harmonizim”, “analizë shtesë” dhe tani edhe Venecia. Kjo ngjan më shumë me blerje kohe sesa me zgjidhje serioze.
Deklarata se “nuk është problem nëse vonohet një muaj” është ofenduese për studentët dhe për shqiptarët që prej vitesh kërkojnë trajtim të barabartë. Sepse problemi nuk është vetëm një muaj — problemi është mentaliteti i zvarritjes së çdo çështjeje që lidhet me gjuhën shqipe.
Nëse marrëveshja ekziston realisht, atëherë zbatojeni. Nëse ekspertët kanë dhënë zgjidhje, atëherë procedojeni. Përndryshe, del përshtypja se edhe ky proces po përdoret për propagandë politike, ndërsa përgjegjësia shtyhet te Komisioni i Venecias për të shmangur koston politike para VMRO-së.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për “garanci” nga Venecia për një të drejtë që tashmë është e garantuar me ligj dhe me realitetin multietnik të shtetit. Kanë nevojë për vullnet politik dhe zbatim konkret.
Në fund, problemi nuk është Venecia. Problemi është frika politike nga barazia reale.Problemi është mungesa e vullnetit politik për ta trajtuar shqiptarin si qytetar të barabartë në shtet. Nëse standardet evropiane vlejnë vërtet për të gjithë, atëherë ato duhet të maten edhe mbi vetë Kushtetutën — jo vetëm mbi të drejtat e shqiptarëve…www.telegrami.mk
========================================
lajmi aktiv që qarkullon
==================================================================
Mesut Shabani Tetovë

