18.4 C
Tetovo
E martë, 30 Prill, 2024
BallinaLajmeNesër shpallet konkursi i ri për Rektor të UT-së, shkeljet anuluan konkursin...

Nesër shpallet konkursi i ri për Rektor të UT-së, shkeljet anuluan konkursin paraprak

Nesër do të publikohet konkursi i ri publik për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës, kjo pasi ai paraprak u anulua me arsyetimin e UT-së se palë të treta, duke nënkuptuar pikërisht televizionin ALSAT i cili ka alarmuar për shkeljet ligjore dhe statutare nga fillimi, po ushtron presion ndaj procesit dhe njollos integritetin e këtij Universiteti.

“Ju informojmë se Konkursi publik për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës për periudhën kohore 2023-2026, në shtypin ditor dhe Ueb faqen zyrtare të Universitetit: www.unite.edu.mk, do të shpallet më 31 maj 2023. Sa i takon Komisionit zgjedhor, nuk ka ndryshuar, mbetet e njëjta përbërje”, njoftojnë nga Universiteti i Tetovës.

Megjithatë Komisioni Universitar i Zgjedhjeve ngelet me përbërje të njëjtë si ai paraprak, të zgjedhur nga senati i këtij institucioni i cili udhëhiqet nga ish-rektori Vullnet Ameti, si dhe të cilit Inspektorati i Arsimit i gjeti një sërë shkeljesh, sidomos tek procedura për zgjedhjen e rektorit të ri.

Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë, edhe atë: Flamure Ibraimi Sadiki, Qenan Ferati, Zeqirija Idrizi, Besa Dogani, Milazim Kamberi, Metin Izeti dhe Nderim Zeqiri. Këta anëtarë do të shqyrtojnë kandidaturat dhe do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Askund në këtë vendim nuk thuhet se të njëjtit kanë të drejtë të vendosin kritere shtesë për kandidatët, ashtu siç pretendonin nga Universiteti i Tetovës ditë më parë, duke u thirrur në autonominë në punën e tyre. Nga Universiteti i Tetovës për ALSAT megjithatë sigurojnë se konkursi i ri do të bazohet tërësisht dhe vetëm në Ligjin për Arsim të Lartë.

Konkursin paraprak nuk arriti ta “mbajë gjallë” as përkrahja publike e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqirit. Kjo pasi ALSAT arriti të sigurojë raportin e plotë të Inspektoratit të Arsimit, i cili përveç shkeljeve në konkursin për rektor, kishte konstatuar shkelje edhe në vetë zgjedhjen e UD. Rektor aktual, Kushtrim Ahmeti.

“Nga dokumentacioni që na u dha në ditën e inspektimit, nuk është gjetur vendim për zgjedhjen në thirrjen shkencore arsimore profesor i rregullt. Kjo nuk është në pajtim me nenin 97, paragrafi 3 nga Ligji për Arsim të Lartë. Gjithashtu, është konstatuar se asnjëri prej tre ushtruesve të detyrës së rektorit, nuk kanë filluar procedurë në afat prej 30 ditësh nga emërimi i tyre dhe as Senati nuk ka ngritur procedurë në afat prej 30 ditëve. Është konstatuar se nuk është respektuar neni 100, paragrafi 3 dhe 4 i Ligjit të Arsimit të Lartë”, thonë nga Inspektorati i Arsimit.

Nëse do të ishte respektuar ligji dhe shpallja publike për rektor do të ishte publikuar në kohë, ky proces do të duhej të kishte përfunduar në qershor të vitit 2021, por asnjë nga UD.Rektorët, Vullnet Ameti, Reshat Qaili dhe Kushtrim Ahmeti, nuk publikuan shpalljen për rektor në afatin e paraparë me ligj. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments