Policia dhe Inspektorati i Punës mbrëmjen e djeshme kanë nisur kontrolle në lokale në fshatrat Sedllarcë e Epërme dhe Zherovjanë, ku janë kapur gra, shtetase të huaja, të cilat sipas MPB-së, kanë keqpërdorur qëndrimin turistik në vend, përcjell TV21. Shtetaset e huaja janë kapur në lokalet e personave nga Bogovina, ndërsa aksioni i kontrolleve ka zgjatur deri në ora 1:35 pas mesnate.
“Në objektin në Sedllarcës së Epërme, në pronësi të A.A.(32) nga Bogovina e Tetovës, janë gjetur D.R.(31) nga Republika e Shqipërisë dhe A.P.(38) nga Bjellorusia, ndërsa në objektin në Zherovjanë në pronësi të H.A.(33) nga Bogovina, është gjetur 32-vjeçarja K.V.S. nga Rusia. Të tre shtetaset e huaja janë ndaluar nën dyshimin se kanë keqpërdorur qëndrimin e tyre turistik, gjegjësisht qëndrim në kundërshtim me qëllimin, më pas janë ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës për procedurë të mëtutjeshme”, thonë nga MPB.