www.telegrami.mk
Ka një moment kur qytetari nuk pyet më se çfarë shkruan ministri në kolumnën e radhës. Pyet shumë më thjesht: çfarë ka bërë ministri?
Sidomos kur bëhet fjalë për Ministrin e Drejtësisë.
Sepse qytetari pret nga Ministri i Drejtësisë ligj, drejtësi, reforma, zbatim të Kushtetutës dhe përgjegjësi institucionale. Pret që të reagojë kur nëpër ministri të tjera shkelet Kushtetuta, sidomos kur preken të drejtat e shqiptarëve. Pret që të mos jetë vetëm komentues i politikave, por pjesë e zgjidhjes së tyre.
Por ja ku kemi një fenomen të ri qeveritar: ministri që duket se ka zbuluar se më e lehtë është të shkruash kolumnë sesa të bësh punë publike.
Dhe kështu, në vend që ministri t’u mbajë ligjërata ministrave të tjerë se çfarë është Kushtetuta dhe çfarë nuk guxojnë të bëjnë, ai na mban ligjërata neve për Tetovën.
Na tregon për pagat e punëtorëve të NPK-së.
Na tregon për terrenet sportive.
Na tregon për Kryetarin e Komunës.
Na tregon se Tetova duhet të ecë përpara.
Shumë bukur.
Por një pyetje e vogël, ndoshta edhe pak e bezdisshme:
Po Ministria e Drejtësisë, kah po ecën?
Sepse pas rreth tre muajsh në detyrë, qytetari do të donte të shihte edhe ndonjë rezultat që lidhet me portofolin e ministrit, jo vetëm me fotografitë dhe punët e Komunës së Tetovës.
Deri tash, ajo që më së shumti u pa publikisht ishte emërimi i disa noterëve.
Dhe, natyrisht, kolumnat.
Pra, kemi një ministër që ka marrë përsipër një ministri me 1001 probleme, por në vend që të na tregojë sa prej tyre ka zgjidhur, na shpjegon sa bukur po bëhen terrenet sportive në Gjimnazin e Tetovës.
Të mos keqkuptohemi: terrenet sportive janë të mira. Pagat e punëtorëve janë të mira. Investimet në Tetovë janë të mira.
Por këtu lind pyetja logjike:
Nëse çdo punë e mirë e Komunës duhet të përdoret si dëshmi e suksesit të ministrit, atëherë pse kemi ende ministri?
Ndoshta nesër Ministri i Financave do të shkruajë kolumnë për asfaltimin e një rruge në Tetovë.
Ministri i Transportit do të shkruajë për një kopsht fëmijësh.
Ministrja e Arsimit do të na tregojë për ujësjellësin.
Dhe Ministri i Drejtësisë do të na shpjegojë se sa bukur po luajnë fëmijët futboll.
Kështu qeveria mund të funksionojë edhe pa ministri: mjaftojnë kolumnet.
Por problemi është se drejtësia nuk zgjidhet me kolumnë.
Kushtetuta nuk mbrohet me fjali të bukura.
Të drejtat e shqiptarëve nuk mbrohen duke shkruar se “Tetova meriton më shumë”.
Ato mbrohen duke reaguar kur shkelen.
Prandaj, zoti ministër, ndoshta kolumna e ardhshme nuk duhet të jetë për terrenet multifunksionale, por për punët multifunksionale të Ministrisë së Drejtësisë.
Na tregoni:
Sa probleme juridike janë zgjidhur?
Sa iniciativa konkrete janë ndërmarrë?
Ku është reagimi i Ministrisë kur institucionet e tjera marrin vendime që prekin të drejtat kushtetuese të shqiptarëve?
Çfarë reformash konkrete keni nisur?
Çfarë keni ndryshuar?
Dhe mbi të gjitha:
Cili është rezultati që qytetari mund ta shohë, jo vetëm ta lexojë në kolumnën tuaj?
Sepse vetë e keni shkruar shumë bukur:
“Premtim. Punë. Rezultate.”
Fjala është e bukur.
Por tash ka ardhur pjesa më e vështirë:
Puna.
Kolumnat mund të jenë të gjata, fjalitë mund të jenë të bukura, metaforat mund të jenë mbresëlënëse dhe Tetova mund të jetë gjithmonë në qendër të tregimit.
Por ministri nuk është zgjedhur për të qenë kolumnist i Komunës së Tetovës.
Është zgjedhur për të qenë Ministër i Drejtësisë.
Dhe nëse në çdo ministri ka probleme kushtetuese, ligjore e institucionale, qytetarët presin që ministri i drejtësisë të hyjë në ato dyer me Kushtetutën në dorë — jo me kolumnën e radhës.
Sepse pas tre muajsh, qytetari nuk ka nevojë për një tjetër shkrim se “Tetova mundet më shumë”.
Këtë e dimë.
Pyetja është:
A mundet më shumë edhe Ministria e Drejtësisë?
Dhe këtu, ministër, nuk mjafton më një kolumnë.
Duhet një rezultat…ta shohim…ta prekim .
www.telegrami.mk
Mesut Shabani

