BallinaLajmeMenduh Thaçi priti në takim stafin e Institutit të Krimeve të Kryera...

Menduh Thaçi priti në takim stafin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

Stafi i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) realizoi një vizitë zyrtare dyditore në Tetovë, me qëllim identifikimin, mbledhjen dhe dokumentimin e burimeve arkivore, dokumentuese, fotografike dhe audiovizuale, si dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim me persona dhe institucione që posedojnë dëshmi dhe materiale të rëndësishme për dokumentimin e luftës dhe pasojave të saj.
Gjatë vizitës, stafi i IKKL-së zhvilloi një varg takimesh me personalitete, dëshmitarë dhe kontribuues, të cilët kanë dëshmi dhe përvoja të rëndësishme lidhur me dëbimin e qytetarëve të Kosovës gjatë vitit 1999 në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Vizita nisi me takimin me z. Ilir Luma, kontribues në strehimin dhe trajtimin e të dëbuarve nga Kosova në Tetovë. Gjatë takimit, z. Luma u njoh me punën dhe misionin e IKKL-së, ndërsa u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit dhe kontributin e tij në dokumentimin e kësaj periudhe.
Takimet vazhduan me prof. Selajdin Salihu, i cili ka dhënë kontribut në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. Prof. Salihu u njoh me punën e IKKL-së dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Institutin dhe për të kontribuar në përmbushjen e misionit të tij.
Një takim me rëndësi të veçantë u zhvillua me z. Adnan Rrustemi, afarist nga Tetova, i cili gjatë periudhës së dëbimit të qytetarëve të Kosovës kishte dhënë kontribut në ofrimin e ndihmës për të dëbuarit. Z. Rrustemi dha një intervistë për IKKL-në, duke ndarë përjetimet dhe dëshmitë e tij lidhur me dëbimin e kosovarëve dhe situatën në rajonin e Tetovës.
Vizita vazhdoi me takimin me z. Menan Memedi, drejtor i Qendrës “Kodra e Diellit” dhe “Teleferiku”. Në intervistën e dhënë për IKKL-në, z. Memedi ndau dëshmi dhe informacione lidhur me gjendjen e të dëbuarve nga Kosova gjatë luftës, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Institutin.
Stafi i IKKL-së u takua edhe me pronarin e restorantit të dasmave “Konaku” në Tetovë, i cili gjatë periudhës së dëbimit kishte strehuar të dëbuarit nga Kosova në ambientet e restorantit të tij. Ai dha një intervistë për IKKL-në, duke ndarë përvojat dhe dëshmitë e tij nga ajo periudhë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim.
Në kuadër të vizitës u realizua takim me z. Bedredin Ibraimi, i cili kishte kontribuar në çështjet e sigurisë gjatë periudhës së dëbimit të qytetarëve të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për rrethanat dhe zhvillimet e asaj periudhe.
Po ashtu, stafi i IKKL-së u takua me z. Myrtezan Ismajli, i cili ndau përjetime dhe informacione të rëndësishme, veçanërisht lidhur me përvojat e tij me të dëbuarit nga Kosova.
Takimet vazhduan me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), z. Menduh Thaçi. Gjatë takimit, z. Thaçi u njoh nga afër me punën, aktivitetet dhe misionin e IKKL-së, si dhe me përpjekjet e Institutit për mbledhjen, ruajtjen dhe dokumentimin e dëshmive dhe materialeve që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe pasojat e saj. Z. Thaçi përgëzoi stafin e IKKL-së për punën e çmuar dhe të rëndësishme që po bën në dokumentimin e së kaluarës së luftës në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Institutin në përmbushjen e misionit të tij. Në këtë kuadër, ai u shpreh i gatshëm për dorëzimin e materialeve relevante që mund të kontribuojnë në pasurimin e fondit dokumentues të IKKL-së. Në shenjë të gatishmërisë për bashkëpunim, z. Thaçi nënshkroi procesverbalin e dorëzim pranimit për materialet e tij peraonale dhe i dorëzoi Institutit një kopje të librit të tij.
Më pas, stafi i IKKL-së u takua me z. Artan Skenderi, pronar i TV Art në Tetovë, i cili posedon një fond të konsiderueshëm materialesh audiovizuale që dokumentojnë dëbimin dhe qëndrimin e kosovarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 1999. Z. Skenderi u shpreh i gatshëm që këto materiale t’ia vërë në dispozicion IKKL-së dhe të gjendet forma më e përshtatshme e bashkëpunimit për ruajtjen dhe dokumentimin e tyre.
Një takim veçanërisht domethënës u zhvillua me znj. Afrdita Skenderi, e cila ka dhënë një kontribut të madh në ndihmën për të dëbuarit nga Kosova në vitin 1999. Ajo ndau përjetimet e saj nga ajo periudhë, përfshirë qëndrimin rreth tre muaj në kampin e Neproshtenit. Znj. Skenderi nënshkroi procesverbalin, i dorëzoi IKKL-së librin e saj “Rruga e mbijetesës” dhe shprehu gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit një numër të konsiderueshëm fotografish që dokumentojnë dëbimin e qytetarëve të Kosovës gjatë vitit 1999.
Takimet u përmbyllën me z. Isak Sherifi, profesor në Universitetin e Tetovës, i cili i dorëzoi IKKL-së botimet e tij për çështjen e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur misionin e Institutit.
Në përmbyllje të vizitës, IKKL shpreh një falënderim të veçantë për kryetarin e organizatës “El Hilal”, z. Behixhudin Shehapi, për angazhimin në aranzhimin e disa prej takimeve të rëndësishme të zhvilluara gjatë vizitës, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme ndaj punës dhe misionit të IKKL-së.
Të gjitha këto takime, dëshmi dhe materiale përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në punën e IKKL-së për mbledhjen, ruajtjen dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe pasojave të tyre mbi popullsinë civile. IKKL mbetet i përkushtuar në ruajtjen e dëshmive dhe të së vërtetës historike për brezat e ardhshëm, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan me dëshmitë, përvojat dhe materialet e tyre.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments