15.3 C
Tetovo
E diel, 28 Prill, 2024
BallinaKronikëMë shumë se gjysma e kompanive të huaja nuk duan të investojnë...

Më shumë se gjysma e kompanive të huaja nuk duan të investojnë në Maqedoninë e Veriut, ja arsyet

Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja.

Maqedonia e Veriut është anëtarësuar në NATO më 2020.

Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore në këtë shtet, Maqedonia e Veriut i ka pranuar 616.7 milionë euro në formë të investimeve të huaja, më 2023.

Kjo shifër është e përafërt me investimet e huaja në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinë.

Serbia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, gjatë vitit 2023 ka arritur të tërheqë 4 miliardë euro e gjysmë euro në formë të investimeve të huaja.

Në mesin e vendeve fqinje, që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose NATO-s, që tejkalojnë pragun e 1 miliard eurove në vit janë: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.

Së fundi, edhe investitorët ekzistues në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të riinvestojnë.Kryetari i Këshillit për Investime të Huaja, Viktor Mizo, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Maqedoni të Veriut po mungon një strategji gjithëpërfshirëse shtetërore për tërheqjen e investitorëve të rinj të huaj, por edhe për mbajtjen edhe të atyre që tashmë kanë investuar në vend.

Këshilli për Investime të Huaja përbëhet nga 130 kompani prej 20 vendeve të huaja.

Kompanitë që kanë investuar tashmë janë të industrisë automobilistike, bujqësisë, energjetikës, asaj për prodhim të ushqimit, telekomunikacionit, shërbimeve të teknologjisë informative, e tjera.

“Është e qartë se ka mungesë fokusi në këtë fushë. Mungon një strategji e qartë se në cilin drejtim duam të ecim si shtet. Kjo pasqyrohet edhe në rezultatet e anketës së fundit të Këshillit të Investitorëve të Huaj, ku vetëm 43 për qind e kompanive tashmë të pranishme në vendin tonë, janë shprehur se rishtas do të investonin në vend, nëse për këtë gjë do të duhej të vendosnin tani”, ka thënë Mizo në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, politikat e papërshtatshme dhe indiferente të institucioneve shtetërore për investitorët e huaj, kanë bërë që kompania KOSTAL – Maqedoni, t’i ridestinojë mjetet në një vend tjetër dhe të mos i investojë në zonat ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët qeveritarë, në anën tjetër, i cilësojnë si të suksesshme politikat për tërheqje të kapitalit të huaj.

Drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se drejtoria që përfaqëson kompanitë e huaja, ka nënshkruar kontrata për investim në vlerë prej 450 milionë eurove, më 2023.

“Investimet e huaja për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë rreth 1.8 deri në 2 miliardë euro”, ka thënë Despotovski.

Sipas tij, investitorët ankohen vetëm për rregullativën ligjore.

“Vërejtjet e kompanive që operojnë në zonat ekonomike kanë të bëjnë me ndryshimet e shpeshta ligjore, dhe që jetësimi i tyre nuk është i qëndrueshëm”, ka thënë ai.

Masat e shtetit për kompanitë e huaja
Për t’i stimuluar investitorët e huaj që t’i drejtojnë sytë kah Maqedonia e Veriut, zyrtarë të Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, kanë bërë të ditur se kompanitë e huaja do të fitojnë mbështetje nga ana e shtetit përmes grantit për krijim të vendeve të reja të punës në vlerë prej 3.250 eurosh për çdo vend pune.

Megjithatë, sipas tyre, ky grant është i kushtëzuar me sigurimin e pagave 50 për qind më të mëdha sesa mesatarja shtetërore.

“Kjo do të thotë se kompania do të marrë mjete nga shteti për çdo pagë neto, e cila do të jetë më e lartë se 1.000 euro. Kjo është një nga mënyrat se si do të nxisim përforcim të rritjes së pagave”, ka theksuar në fillim të këtij muaji Despotovski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments