16.4 C
Tetovo
E hënë, 29 Prill, 2024
BallinaLajmeMë 12 maj rikthehen faljet në xhami, në mënyrë shtesë do të...

Më 12 maj rikthehen faljet në xhami, në mënyrë shtesë do të vendoset për maskat dhe distancën fizike

Rasti i liturgjisë në Strugë ku u grumbulluan qindra besimtarë ortodoksë, i nxiti besimtarët myslimanë të kërkojnë kthimin e faljes së namazeve në xhami, përfshirë këtu edhe politikanët.

Këtyre thirrjeve iu përgjigj kreu i Bashkësisë Fetare Islame, reisi Sulejman Rexhepi. Ai ka njoftuar se nga 12 maji, namazet do të falen në xhami. Nuk ka sqaruar se cilat vakte dhe në çfarë forme do të realizohet falja.

Reisi Sulejman Rexhepi, Reis, BFI:
“Bashkësia Fetare Islame me shumë kujdes ndjek përmirësimin e gjendjes shëndetësore në vend, uljen e numrit të të infektuarve nga virusi Covid 19, duke vlerësuar kërkesat e 13 myftinive, të cilat janë të bazuara në kërkesat e xhemateve dhe të indinjuar nga veprimet e pakujdesshme të Kishës Ortodokse Maqedonase që ka nxitur besimtarët islamë, Rijaseti i BFI-së, në mbledhjen e vet të jashtëzakonshme të mbajtur më 07 maj, 2020 solli vendimin që nga data 12 maj 2020, e martë, xhamitë do të jenë në shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive. Vendimi hyn në fuqi nga data e sjelljes së tij”.

Se a do të vlejnë masat mbrojtëse gjatë faljes së namazeve, për këtë me BFI-në dhe Komisionin për Sëmundje Ngjitëse do të realizojë koordinime zëvendëskryeministri Bujar Osmani, deklaroi vetë Osmani për TV21.

“Kam qenë gjatë gjithë ditës dje në komunikim me BFI-në, para dhe pas vendimit te tyre. Këtë sot në mëngjes e kam diskutuar me Komisionin për Sëmundje Infektive të cilët do ta shqyrtojnë vendimin. Do të vazhdojmë koordinimin me BFI edhe gjatë ditës për masat mbrojtese që duhet të merren”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe përsëriti se masa për grumbullim të më shumë se dy personave në një vend, ende është në fuqi.

“Dua të përsëris, se ende është në fuqi ndalesa për grumbullim në një vend të më shumë se dy persona. Apeloj te shoqëritë fetare  dhe të tjerët të parandalojnë tubime dhe grumbullim të përkrahësve të tyre derisa këto masa janë në fuqi”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, qytetarët e shohin të drejtë kthimin e namazeve në xhami. Sipas atyre që i anketoi TV 21, nuk ka pasur nevojë të pezullohen faljet aspak.

Besimtar mysliman: “Si nuk është mirë. Jo me 12 maj, por edhe më herët është dashur. Ashtu e ka  dhënë ligji, sikur për tjerët edhe për ne”.
TV21: Ju a do të shkoni të faleni?
Besimtar mysliman: “si jo, si nuk shkojmë të falemi. Ne atë e presim, të hapen xhamitë. Sot e xhuma, si mos të falemi. Krejt vaktet i fali unë në xhami, vaktet tjera, sërish xhumaja asgjë nuk është. Xhamitë kurgjo s’i pengojnë shtetit, kjo është politikë, biznes, mos më dërgo të flas më thellë… kjo është politikë. Do ta shohin sa ta arrijnë normën, dhe mandej i hapin… Vetëm e shkatërruan popullin…”

Besimtar mysliman: “Jo aspak, kanë mbetur vonë edha atë… na shkoj Ramazani thatë. 62 vjet i kam unë kurrë kësi lloj Ramazani s’kam kaluar. Jemi duke u gëzuar që kanë mu çel, të falen njëjtë taravitë dhe Barjamin ta bëjmë njëjtë a ka gzim më të madh”

Besimtar mysliman: “Shumë mirë qenka. Me 12 tash, këtë muaj? shumë mirë qenka…
TV21: Është mirë që po hapen?
Besimtar mysliman: “Po de, le të çelen pse jo… ne nuk jemi të sëmurë, myslimanët nuk vdesin prej Koronës, Allahu kur të thotë, atëherë vdesim.

Besimatarët myslimanë thonë, nëse është e nevojshme do të falen edhe me maska dhe në distancë.

Gazetare, Fatbardha Curri:
“Pezullimi i faljeve të namazeve në xhami ishte sjellë nga ana e Bashkësisë Fetare Islame më 17 mars. Përveç vakteve ditore, në këtë vendim të pezullimit të faljeve ishte përfshirë edhe xhumaja”.

Reaguan pothuajse të gjithë politikanët.

Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa tha se s’ka më arsye të mos e falim xhumanë.

Kthimin e namazeve në xhami e kërkoi edhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët. Megjthatë ai ishte paksa kontradiktor, pasi në një status paraprak dënoi tubimin fetar në Strugë, duke e cilësuar si skandaloz.

Ndërkaq Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA tha se hapja e xhamive nuk duhet të jetë kundërpërgjigje e një turme të papërgjegjshme.

Muhamed Zekiri nga LSDM-ja i ka ftuar myslimanët të mos bien pre e provokimeve.

Maqedonia nuk është i vetmi shtet që do ta rikthejë faljen e namazeve në xhami. Xhumaja nga sot ka filluar të falet në xhami në Sarajevë, kurse në Gjermani në xhami përveç xhumasë do të falen edhe tre vakte të tjera, por duke u respektuar distanca fizike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments