Masakër ndaj natyrës, pyjet në Maqedoni “zhvishen” për 38 mijë hektarë

36

Masakër e natyrës – kështu profesori universitar i Fakultetit të pylltarisë, Jane Acevski e përshkruan gjendjen e pyjeve në Maqedoni. Ai çdo ditë viziton pyjet dhe thotë se gjendja është katastrofale.

Në Maqedoni ekzistojnë dy forma të shkatërrimit të pyjeve: prerja e cila shpeshherë është për shkak të varfërisë dhe bëhet për ekzistencë, dhe forma e dytë është prerja ilegale e cila kryhet nga grupe të organizuara kriminele në bashkëpunim me institucionet kompetente.

“Sipas meje, tashmë, është vonë për të reaguar, megjithatë më mirë dikur se kurrë. Duhet institucionet të ndërmarrin aksion të gjer me të cilin popullit do t’i shpjegohet vlera e pyjeve. Ai moment material të cilin të gjithë e shfrytëzojnë “vjedhim sepse na duhen para”, të gjithëve na duhen para por nuk vjedhim”, shprehet profesori Acevski.

Përndryshe në Maqedoni mbi 300 roje të pyjeve mundohen të parandalojnë prerjen ilegale të pyjeve. Në Karadak të Shkupit, ka vetëm katër. Punojnë në kushte dhe pagë minimale. Drejtorja e Pyjeve nacionale, Julijana Nikollova, thotë se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të rojtarëve të pyjeve.

“Duhet të ngritim rolin e shërbimit të rojtarëve të pyllit për shkak se e dimë se me ingerenca të vogla dhe kushte të këqija për punë nuk mund të luftohet kundër diçka që është mirë e organizuar dhe më e madhe se vetë shërbimi brenda. Andaj do të insistoj në bashkëpunim me Qeverinë dhe me institucionet tjera të sigurohet punë e pandërprerë dhe kushte më të mira për njerëzit që punojnë në terren”, shprehet Nikollova.

Për t’i vënë fund prerjes ilegale, Nikollova propozon që të vendosen kamera në hyrjet e pyjeve.

“Ideja jonë është që ata rrugë, dalja patjetër të jetë e mbuluar me kamera si dhe depot. Që të kemi evidencë për hyrjen dhe daljen e pyjeve, për depot tona si dhe për depot private. Mendoj se në këtë mënyrë shumë do të përmirësohen punët”, tha më tej Nikollova.

Pyjet janë shënjestër e vjedhësve të organizuar të drunjtëve për shkak të vrimave në ligje, korrupsionit institucional dhe jashtë institucioneve, mos sanksionimit si dhe kapacitetet e dobëta të policisë së pyjeve dhe rojtarëve të pyjeve.

“Tashmë do të fillojnë të paraqiten më shumë  hapësira erozive, do të humbet hapësirë e madhe e pyjeve, erozioni do të bëjë dëm në hapësirat urbane, hapësirat bujqësore, cilësisë dhe sasisë së ujit dhe do të cenojë jetën e njerëzve”, vlerëson Acevski.

Nga viti 2001 deri në vitin 2019 nga prerja ilegale e drunjve sipas veglës së internetit Global Forestwatch në Maqedoni janë shkatërruar mbi 38 mijë hektarë pyje.