11.5 C
Tetovo
E shtunë, 20 Prill, 2024
BallinaLajmeMaqedonia, e fundit në rajon me investime të huaja

Maqedonia, e fundit në rajon me investime të huaja

Nga shtetet e rajonit, më së shumti investime të huaja në 2020 janë shënuar në Serbi me 3.4 miliardë dollarë, apo ulje prej 20 për qind në raport me vitin 2019. Në Shqipëri, investimet kanë arritur në 1.1 miliardë dollarë (ulje prej 14 për qind në raport me vitin 2019). Mali i Zi shënon investime prej 529 milionë dollarë apo 27 për qind më shumë se në vitin 2019, derisa Bosnjë e Hercegovina shënon 371 milionë dollarë apo 7 për qind më pak së në 2019. Maqedonia e Veriut – 224 milionë dollarë investime të huaja apo rekord 38 për qind më pak në raport me vitin 2019

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 6 korrik – Investimet e huaja në Maqedoni në vitin e kaluar shënojnë rënien më të madhe në raport me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Njëherësh, ato shënojnë edhe rënien prej 38 për qind në vitin 2020 në raport me vitet paraprake. Të dhënat e UNCTAD-it, apo Zyrës së e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, tregojnë se investimet në Maqedoninë e Veriut janë ulur për gati tre herë nga mesatarja e rajonit përgjatë periudhës së pandemisë. Njëherësh në Evropën Juglindore, e cila varet më pak nga burimet natyrore siç është rasti me Rusinë dhe shtetet e tjera të hapësirës ish-sovjetike, investimet e huaja u ulën me 14 për qind, apo u ulën në 6 miliardë dollarë. Nga shtetet e rajonit, më së shumti investime të huaja në vitin 2020 janë shënuar në Serbi me 3.4 miliardë dollarë me ulje prej 20 për qind në raport me vitin 2019. Investimet e huaja në Shqipëri me 1.1 miliardë dollarë tregojnë një ulje prej 14 për qind në raport me vitin 2019. Mali i Zi shënon investime prej 529 milionë dollarë apo 27 për qind më shumë se në vitin 2019, Bosnja e Hercegovina shënon 371 milionë dollarë investime apo 7 për qind më pak, dhe Maqedonia e Veriut – 224 milionë dollarë investime të huaja apo 38 për qind më pak në raport me vitin 2019.

Ekonomistët thonë se pandemia patjetër se ka ndikuar në uljen e investimeve të huaja në tërë botën, mirëpo shtojnë se tek ne – akoma po përsëriten nga viti në vit të njëjtat probleme politike që vështirësojnë rritjen më të madh të investimeve të huaja. “Stabiliteti politik mbetet një nga faktorët kryesor që përcakton vendimin pozitiv të investitorëve të huaj për të investuar në një vend. Tek ne, vitin e kaluar kishim një ngërç në jetën politike si Parlamenti që ka funksionuar me vështirësi të madhe me një shumicë të brishtë parlamentare. Kur kësaj i shtojmë edhe problemet me Bullgarinë, por edhe kritikat e vazhdueshme për një gjyqësor joefikas dhe për një luftë të zbehtë kundër korrupsionit, fitojmë një pasqyrë pse hezitohet të investohet më shumë nga ana e kompanive të huaja”, thotë profesori universitar, Neritan Turkeshi.

Sipas tij, edhe mungesa e konsistencës në miratimin dhe zbatimin e ligjeve siç ishte – për shembull, Ligji për tatim progresiv që u anulua për disa vite, ndryshimet e shpeshta ligjore që prekin punën e biznesit vendor dhe të huaj… nuk ndihmojnë për thithjen e investimeve të huaja. Mos dalja e vendit në det dhe tregu i vogël janë faktorë tjerë që ndikojnë në atraktivitetin e vendit për investime të huaja, mirëpo edhe mos përfundimi i Korridorit 8 nga Shqipëria, përmes Maqedonisë deri në Bullgari me rrugë moderne dhe të shpejta, gjithashtu destimulon investitorët potencial të huaj, përfundon Turkeshi. Nga ana tjetër, në Biznes Forumin në Shkup, kohë më parë lidhur me investimet e huaja dhe infrastrukturën, u theksua se shteti duhet të angazhohet më shumë për ulur migrimin e punëtorëve jashtë dhe të gjejë mënyrë për të mbajtur të rinjtë në vendlindje. “Ndër prioritetet e shtetit duhet të jetë lufta kundër ekonomisë informale si dhe zgjidhja e problemit me ikjen apo eksodin e fuqisë punëtore ku mbi 10 mijë punëtorë të aftë për punë dhe të kualifikuar, ikin nga Maqedonia e Veriut secilin vit”, tha Shtefan Peter, kryetar i Këshillit të Investitorëve të Huaj.

Sipas tij, nuk është e mundshme as rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në kushte kur punëtorët e mirë ikin jashtë, andaj nevojitet të bëhet një anketë se cilat janë shkaqet për diçka të tillë duke filluar nga standardi jetësor, paga apo kushtet e punës. Ambasadori italian në vend ndërkohë vlerësoi se nevojitet një angazhim dhe punë më e madhe për tërheqjen e investimeve të huaja. “Përfundimi i Korridorit 8 që kryqëzohet me Korridorin 10 është shumë i rëndësishëm. Kjo është mundësia që shteti juaj dhe ju të veproni si qendër rajonale, jo vetëm e një shteti ku kryqëzohen rrugët, por me të vërtetë të bëheni një shtet qendër. Gjithashtu, nevojitet të punonin më shumë që në mënyrë shtesë të tërhiqni investime”, thotë ambasadori i Italisë në vend, Andrea Silvestri. Ndryshe, një javë më parë – kompania Magna në zonën e Strugës theksoi se do të investojë së paku 35 milionë euro. Janë paralajmëruar edhe më shumë se katër investime të huaja me vlerë prej 300 milionë euro, ndërsa po bisedohet edhe për finalizimin e projekteve të reja për investime të huaja. Në favor të rritjes së investimeve të huaja deri në fund të vitit 2021, do të jenë edhe Ligji për investime strategjike dhe masat nga Ligji për përkrahje financiare të investimeve apo e Planit për rritje ekonomike. Pritjet më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja sivjet bazohen në sektorin e energjetikës dhe fillimin e ndërtimit të më shumë kapaciteteve për prodhimin e energjisë së pastër. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments