6.9 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaLajme11 VITE PUNË PËR NJË TEATËR! “Avullohen” 20 milionë denarë për Teatrin...

11 VITE PUNË PËR NJË TEATËR! “Avullohen” 20 milionë denarë për Teatrin e Tetovës

https://www.koha.mk/11-vite-pune-per-nje-teater-avullohen-20-milione-denare-per-teatrin-e-tetoves/

Faza e dytë për kompletimin e enterierit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, të pezulluara prej më shumë se një vit, do të fillojë pas përzgjedhjes së kompanisë që do të merret me realizimin e projektit. Afati do të jetë deri në fund të vitit 2025, ndërsa shuma me të cilën do të financohet është 26 milionë euro. Nga ana tjetër, me rebalancin e tanishëm të Buxhetit, këtij projekti kapital i janë shkurtuar 20 milionë denarë, nga shuma prej 89 milionë denarë të akorduara në fillim të këtij viti. Premtimi i radhës: Teatri i Tetovës do të hapet në fund të 2025-ës

Evis HALILI

Shkup, 7 qershor – Procesi për ndërtimin e kompleksit Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, të pezulluara prej më shumë se një viti – është zhbllokuar pas hapjes këto ditë të tenderit ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë që do të merret me punimet e fazës së dytë. Nga ana tjetër, me rebalancin e Buxhetit këtij projekti kapital i janë shkurtuar 20 milionë denarë, nga shuma prej 89 milionë denarë të akorduara në fillim të këtij viti. Drejtori i Qendrës së Kulturës, Arlind Farizi, shpreson që ofertat nga kompanitë e huaja dhe vendase të jenë në nivelin e duhur dhe objekti të fillojë të kompletohet sa më shpejt. Kompania fituese e ka afatin e përfundimit të projektit deri në fund të vitit 2025, shkruan gazeta KOHA.

“Kjo fazë është edhe më e rëndësishmja dhe do të zgjasë disa vjet. Me hapjen e tenderit që do të zgjasë 35 ditë, shpresojmë që gjatë kësaj periudhe kompanitë e interesuara të vijnë dhe të vizitojnë objektin dhe të njihen më nga afër me projektin. Dhe kuptohet që oferta më e mirë dhe me çmimin më të lirë, do të fitojë”, thotë Farizi. Sa i takon shumës prej 20 milionë denarë më pak, që i janë hequr me rebalancin e Buxhetit, Farizi është i mendimit se nuk përbën ndonjë problem, për shkak se financimi do të bëhet sipas nevojave që do të ketë projekti në punimet e fazës së dytë. Kjo nuk është hera e parë që projektit të klasifikuar si kapital – në vite i janë shtuar dhe hequr shumat e dedikuara, të cilat kanë përfunduar sërish në buxhetin e shtetit. Ndërsa deri në përfundimin e tij do të duhet të harxhohen të paktën edhe 26 milionë euro, prej të cilave deri tani, Ministria e Kulturës ka vënë në dispozicion 69 milionë denarë (për vitin 2021).

Faza e parë e punimeve – ndërtimi karabin i objektit, u mbyll në mesin e muajit mars të vitit të kaluar me një kosto të përgjithshme prej 13 milionë euro. Punimet filluan me vonesë (në vitin 2015) për shkak të problemeve me terrenin e ndërtimit, disa vjet pas vendosjes së gurthemelit – në nëntor të 2014-ës. Zvarritja në vite e këtij projekti, që do të vazhdojë edhe për disa vite të tjera të jetë në agjendën e premtimeve paraelektorale dhe politike, ka një kosto të rëndë jo vetëm për qytetin, publikun, por edhe për ansamblet artistike, inventarët e Teatrit e Bibliotekës që funksionojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija në Qendrën e Kulturës, objekt ky për të cilin fondet që jepen nga Qeveria për mirëmbajtjen janë jashtëzakonisht të vogla, raporton KOHA.

Në takimin e fundit të kreut të Ministrisë së Kulturës, Irena Stefovska, në Tetovë, ajo tha se “besojmë se së bashku me institucionet e tjera, pjesa e fazës për këtë vit dhe më gjerë do të realizohet, ndërsa qëllimi ynë është ta përfundojmë këtë objekt të mrekullueshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, por pa cekur ndonjë afat konkret. Ndërsa paraardhësit e ministres aktuale kanë dhënë parashikime jo të sakta sa i takon përfundimit të projektit që nisi nga ish ministrja Elizabeta Kançeska Milevska, pas saj (në vitin 2017) ish-ministri Robert Allagjozovski premtoi se faza e parë e Teatrit dhe Bibliotekës do të mbyllet në vitin 2018 dhe në vitin 2020 do të jetë gati. Ndryshime nuk sollën as vitet kur Ministria e Kulturës u qeveris nga ministrat shqiptarë – Asaf Ademi dhe Hisni Ismaili, të cilët po ashtu premtuan afate dhe dinamika të reja të punimeve.

HISTORIKU

 Më 20.12.2013 është marrë leja për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, ndërsa gurthemeli për fillimin e punimeve u vendos më 28.11.2014.

– Projekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës fillimisht kapte vlerën e 13 milionë eurove dhe pritej të përfundonte në vitin 2015.

– Punimet kishin ngecur si pasojë e neglizhencës nga kompania e energjisë elektrike EVN-Macedonia, e cila duhej të dislokonte nënstacionin elektrik të tensionit të mesëm, që gjendej pikërisht në vendin ku duhet të nisin punimet. Kjo kohë zgjati më shumë se një vit, deri në dhjetor të 2015-ës, me faj edhe të zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Teatrit që nuk reaguan me kohë.

– As edhe në vitin 2016 objekti i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë nuk arriti të ngritet mbi themele.

– Në 2017 akoma nuk kishte përfunduar faza e parë, ndërsa katër vite më pas – tani në 2021, drejtoria e Teatrit thotë se faza e dytë do të përfundojë në fund të vitit 2025.

– Irena Stefoska është ministrja e pestë që premtoi përfundimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovës, pas premtimeve fillestare të ish-ministres Elizabeta Kançevska Milevska, Robert Allagjozovskit, Asaf Ademit dhe Hysni Ismailit.

(koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments