Kryeministri Oliver Spasovski për të enjten në ora 13 ka caktuar koordinim të përfaqësuesve të partive politike lidhur me realizimin e masave qeveritare për përballje me koronavirusin.
Në koordinim, siç theksojnë nga Qeveria, praninë e tyre e kanë konfirmuar liderët dhe plus një përfaqësues i partive LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, BESA, PDSH, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Nga Qeveria në brifingun për media kanë theksuar se tani askush nuk duhet të përfitojë politikisht.
“Maja e papërgjegjësisë është të bisedoni me ministër të Shëndetësisë dhe për një orë t’i ngritni kallëzim penal se e rrezikon shëndetin e njerëzve, është politikë që duan ta plasojnë. Në këto kushte të kësaj krize, secili i cili do të kalkulojë për politikë, për pikë politike, sensacion dhe çfarëdo tjetër në kurriz të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit të tyre, apo dikush të ndërtojë fatin e tij në fatkeqësinë e tjetrit është i destinuar në dështim”, kanë thënë nga Qeveria.
Për takimin e liderëve, konfirmim sot erdhi edhe nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ai tha se në takim do të shoqërohet nga ndonjë prej bashkë -partiakëve të cilët janë përgjegjës për resorin e shëndetësisë.