Për vetëm 71 ditë, VMRO-DPMNE hapi katër fronte të reja borxhi, me një vlerë totale prej 333 milionë eurosh. Më 26 maj, shumica parlamentare votoi për një huamarrje prej 260 milionë eurosh nga banka të huaja; në korrik, Qeveria tërhoqi 7 milionë euro nga M-NAV për të mbuluar mungesën e likuiditetit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore; më 29 korrik u vendos të merrej një hua prej 25 milionë eurosh nga Banka Botërore, ndërsa në tregun vendor u emetuan obligacione trevjeçare dhe pesëmbëdhjetëvjeçare në vlerë mbi 41 milionë euro, me norma interesi deri në 5.20%.
Kjo përkthehet në një ritëm prej 4.7 milionë eurosh borxh çdo ditë dhe një vendim të ri për huamarrje çdo 18 ditë, ndërsa ankandi i radhës është paralajmëruar tashmë për 18 gusht. Sipas Levicës, Maqedonia nën Mickoskin funksionon si një i varur nga kreditë e shpejta – ende nuk është tharë boja e huamarrjes së mëparshme, ndërsa dora e shtetit është shtrirë tashmë drejt kreditorit të radhës.
Llogaria e borxhit për dy vjet mandat ka kaluar tashmë 3 miliardë euro operacione kreditore. Gjithçka nisi me 1 miliard euro kredi hungareze, vazhdoi me 1 miliard euro euroobligacion, pastaj me 260 milionë euro nga banka të huaja, u hap komponenti kreditor i Planit të Rritjes, u grumbulluan kredi dhe garanci për projekte dhe vazhdoi emetimi i obligacioneve në tregun vendor.
Në këtë shumë, thekson Levica, nuk është përfshirë ende marrëveshja britanike me vlerë deri në 5 miliardë paund. Sipas partisë, Mickoski e ka shndërruar Maqedoninë në një poligon eksperimental për kreditorët – bankat hungareze, fondet ndërkombëtare, investitorët vendas dhe kompanitë shtetërore, ku secili merr një pjesë nga buxhetet e ardhshme të qytetarëve.
Çmimi i kësaj varësie nga kreditë, sipas Levicës, tashmë paguhet çdo sekondë. Vetëm në vitin 2026, shteti do të paguajë 346 milionë euro interesa, që do të thotë:
- rreth 948 mijë euro në ditë,
- 39.500 euro në orë,
- 658 euro në minutë,
- dhe rreth 11 euro në çdo sekondë.
Nëse ndërtimi i një shkolle të re kushton rreth 3 milionë euro, vetëm interesat vjetore janë të barabarta me ndërtimin e 115 shkollave të reja, ndërsa 333 milionët e fundit do të mjaftonin për edhe 111 objekte të tilla.
Interesat janë pothuajse shtatë herë më të mëdha se i gjithë programi prej rreth 50 milionë eurosh për rindërtimin e konvikteve shtetërore studentore.
Ndërkohë që prindërit presin vende në çerdhe, nxënësit mësojnë në klasa të amortizuara, studentët jetojnë në konvikte të rrënuara dhe spitalet mbledhin donacione për pajisje bazë, kreditorët e Mickoskit çdo ditë arkëtojnë pothuajse 1 milion euro, thuhet në reagim.
Qeveria, sipas Levicës, këtë gjendje e quan “buxhet në gjendje të mirë”, ndërkohë që po kryen një lloj “bastisjeje financiare” në të gjitha arkat shtetërore ku ka mbetur para.
Borxhi publik, i cili ishte 8.87 miliardë euro në momentin e marrjes së pushtetit, ka arritur në rreth 10.73 miliardë euro, një rritje prej 1.86 miliardë eurosh, ose gati 21%. Kjo përfaqëson një rritje mesatare prej rreth 2.5 milionë eurosh në ditë, ndërsa gjatë këtij viti maturohen edhe 1.56 miliardë euro detyrime për principal dhe interesa.
Levica kërkon publikimin urgjent të një regjistri të vetëm, të plotë dhe të verifikueshëm për të gjitha huamarrjet, obligacionet, garancitë dhe kreditë, ku të përfshihen:
- shuma,
- norma e interesit,
- komisionet,
- afati i shlyerjes,
- periudha e grejsit,
- kostoja përfundimtare,
- dhe destinimi i saktë i çdo euroje,
si edhe publikimin e kontratave që ende mbahen sekret.
Sipas Levicës, qytetarët kanë të drejtë të dinë sa nga kreditë e reja kanë financuar spitale, shkolla, çerdhe dhe vende pune, dhe sa janë përdorur për të mbuluar borxhe të vjetra, për financim parazgjedhor të kryetarëve të komunave nga VMRO-DPMNE apo për të blerë paqe politike.
Në fund, Levica përfundon:
“VMRO-DPMNE i shpenzon paratë brenda një mandati, ndërsa këstet i zgjat deri në vitin 2041, duke i lënë çdo familjeje maqedonase një faturë të padukshme. Mickoski do të largohet nga funksioni, por interesat e tij do të vazhdojnë të jetojnë me popullin.”
