7.3 C
Tetovo
E martë, 23 Prill, 2024
BallinaLajmeLëndët do t’i udhëheqin prokurorët e njëjtë, Deskoska: Dorëzimi garanton se gjykimet...

Lëndët do t’i udhëheqin prokurorët e njëjtë, Deskoska: Dorëzimi garanton se gjykimet do të vazhdojnë

Që nga mëngjesi i sotëm prokurori publik, Lubomir Joveski me ekipin e tij shkoi në Prokurorinë Publike Speciale, ku për një kohë të caktuar me zëvendësen Elizabeta Josifovska dhe me një pjesë të prokurorëve të PPS-së, e dakordonte procesin e dorëzimit të lëndëve. Ai tha se pret që deri në fund të ditës i gjithë procesi të përfundojë tërësisht. Tani për tani, të gjitha dokumentet e rasteve ngelin tek prokurorët që i kanë udhëhequr lëndët, kurse rastet do të kenë pauzë të shkurtër, derisa Joveski të sjellë vendim – kush do t’i udhëheqë. Ai tha se ka mundësi që ato lëndë përsëri të jenë në duart e prokurorëve të njëjtë të cilët i kanë udhëhequr deri më tani.

“Pas marrjes së këtyre lëndëve do të caktojmë se për cilën lëndë, cila prokurori është kompetente dhe cili prokuror do ta përfaqësojë lëndën konkrete. Seancat që janë caktuara në ndërkohë ndoshta do të shtyhen për dy – tri ditë, por ne do t’u japim përparësi atyre lëndëve që tani janë në fazë të gjykimit”, theksoi prokurori publik, Lubomir Joveski.

Prokuroret Lile Stefanova dhe Fatime Fetai edhe sot erdhën në Gjykatën Penale ku duhej të mbaheshin seancat gjyqësore, por kërkuan shtyrjen e tyre derisa nuk vendoset – kush do t’i përfaqësojë aktakuzat. Vendimi, të cilin duhet ta sjellë Këshilli i Prokurorëve Publikë, do të sillet pas shkarkimit të Katica Janevës. Prokurorja Josifovska pas takimit me Joveskin tha se ende nuk dihet fati i prokurorëve dhe se tani do të pritet vendimi i prokurorit publik.

“Më e rëndësishme për momentin është se po vazhdon procesi i marrjes së lëndëve. Për të gjitha çështjet e tjera do të veprojmë sipas urdhrave të prokurorit shtetëror. Në këtë moment nuk mund të përgjigjem pyetjes se ku do të jemi ne dhe çka do të ndodhë me ne”, deklaroi Elizabeta Josifovska, prokurore në Prokurorinë Publike Speciale.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska theksoi se transferimi i lëndëve, siç tha, ua prishi punën atyre që nuk deshën të ekzistonte Prokuroria Speciale dhe lëndët e PPS-së të merrnin epilog. Ajo edhe sot i bëri thirrje opozitës që të japë pëlqim për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike.

“Bisedat për opsionin e mundshëm për arritjen e konsensusit është vënë në letër dhe do t’u dorëzohet partive politike por edhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të arrijmë konsensus dhe t’i shohim në letër pikat kontestuese për të cilat nuk arritëm marrëveshje. Ky proces i dorëzimit të dokumenteve garanton se lëndët do të vazhdojnë”, u shpreh ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Tani për tani nuk ka paralajmërim se pushteti dhe opozita përsëri do të ulen në tryezë për të arritur marrëveshje për Ligjin e ri për Prokurorinë, pasi para tri ditëve dështoi përpjekja për konsensus të përbashkët mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments