8.3 C
Tetovo
E martë, 23 Prill, 2024
BallinaLajmeLD paralajmëron bllokim të Kodit Zgjedhor, Trajanov: Kjo është tentativë për eliminim...

LD paralajmëron bllokim të Kodit Zgjedhor, Trajanov: Kjo është tentativë për eliminim të partive më të vogla

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, edhe pse paraprakisht kryeministri Zoran Zaev propozoi që të mbahen më 31 tetor me qëllim që fushata të mos përkojë me regjistrimin. Bëhet fjalë vetëm për 3 ditë dhe nuk do të ketë ndonjë problem, u shpreh Zaev. Megjithatë, ende nuk ka marrëveshje përfundimtare rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor sa i takon pragut të paraparë të listave të hapura, por edhe rritjes së pragut për kandidatët e pavarur.

“Data e zgjedhjeve është 17 tetori, kurse njëkohësisht pragu për dorëzim të listave të pavarura sipas zgjidhjes së propozuar është 2% nga numri i përgjithshëm i votuesve. Nëse komuna ka 10 mijë votues, do të duhen 200 nënshkrime që të dorëzohet lista e pavarura, nëse ka 50 mijë votues, do të nevojiten 1.000 nënshkrime”, deklaroi Zaev.

Partitë e vogla thonë se nuk do të pranojnë ndryshim, gjegjësisht listat e hapura të jenë me pragun e paraparë prej 3%. Do ta bllokojmë ligjin e tillë, paralajmëron Pavlle Trajanov nga Lidhja Demokrate.

“Ne propozojmë që renditja e listës të formohet sipas mënyrës natyrale, pa marrë parasysh nëse je i pari ose i 13-ti. Nëse komuna ka 13 këshilltarë, ai që do të ketë më shumë vota… renditja bëhet sipas numrit të përgjithshëm të votave të fituara. Kjo është shumë e thjeshtë. Për listat e hapura vendoset të ketë praj prej 3% nga votuesit e regjistruar. Domethënë kjo është tentativë për eliminim. Vendosje e pragut të lartë është tipar i shteteve totalitare. Mendoj se Maqedonia e ka kaluar këtë epokë”.

Për VMRO-DPMNE-në data për zgjedhjet lokale është e pranueshme. Nga kjo parti thonë se nuk ka nevojë për ndonjë marrëveshje, pasi kjo është paraparë me ligj.

“Nuk ka nevojë për marrëveshje brendapartiake, takime apo negociata, sepse të gjithë, si VMRO-DPMNE-ja, si LSDM-ja, ashtu edhe institucionet duhet ta respektojnë ligjin, kurse ligji parasheh se zgjedhjet duhet të mbahen më datën 17 tetor”, tha Arsovski.

Zgjedhjet lokale duhet t’i shpallë kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili paralajmëroi se këtë do ta bëjë kah fundi i këtij muaji ose më së voni deri në fillim të muajit që vjen.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments