6.8 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaLajmeKurti për “El Pais”: Rasti i Kosovës dhe Katalonisë nuk është i...

Kurti për “El Pais”: Rasti i Kosovës dhe Katalonisë nuk është i njëjtë, presim njohjen nga Spanja

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El Pais”, ka folur për mosnjohjen e Kosovës nga shteti spanjoll, duke thënë se pret që presidenti Pedro Sanchez do ta ndryshojë qëndrimin e tij, teksa ka sqaruar se rasti i Kosovës me Katalonjën nuk është i njëjtë.

“Në ish-Jugosllavi, Kosova ishte pjesa më e varfër dhe më e shfrytëzuar. Derisa Katalonja dhe Vendi Bask janë më të pasurat në Spanjë. Ne deshëm të ishim sikurse pjesa tjetër e vendit, por ata na shkelën. E jona ishte çështje koloniale, sikurse Algjeria me Francën”, theksoi Kurti.

Tutje, ai tha se Madridi dhe Barcelona s’kanë asnjë çështje të cilën s’mund ta zgjidhin me dialog, për dallim nga problemi i Kosovës me Serbinë.

“Në Spanjë, e cila është vend demokratik, nuk mendoj se ka diçka që Madridi dhe Barcelona s’mund ta zgjidhin përmes dialogut. Problemi që ne e kemi me Serbinë është se ai vend është autokrat.

Ka një parti, një lider, një kishë dhe me raport të ngushtë me Rusinë. Nëse Madridi ishte sjellë si Beogradi, do të rreshtohesha me Katalonjën”, tha Kurti.

I pyetur se sa është i gatshëm të lëshojë pe për marrëveshjen finale me Serbinë, Kurti tha se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mendoj se na duhet një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse mungesa e marrëveshjes rrit tensionet. Dhe e bën Rusinë të tentojë ta përhapë luftën e Ukrainës në zona tjera. Mendoj se do të ishte shumë me rëndësi për BE-në që të arrihej marrëveshja. Lufta në Ukrainë është e para në Evropë në një shekull e gjysmë ku nuk është përfshirë Ballkani”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, veçanërisht për policët. Ai tha se shteti në veri po punon, por shtoi se nuk mund t’u kërkojë kthimin në punë policëve që hoqën dorë nga uniformat dhe distinktivët e tyre “sepse veprimet e tyre nuk ishin korrekte”.

Ndërsa sa i përket incidentit të fundit në Shtërpcë, ku mbetën të plagosur dy të rinj serbë, sipas Kurtit është Lista Serbe ajo që po tenton ta politizojë dhe të manipulojë me këtë rast.

“E dënova ashpër sulmin menjëherë dhe qartë. Është shumë mirë që personi tani është në duart e drejtësisë. Disa politikanë nga Lista Serbe po tentojnë të politizojnë incidentin dhe ta kthejnë atë në çështje për Beogradin që të fitojë më shumë pushtet. Është manipulim i rastit”, u shpreh Kurti për El Pais.

Kurti ka kërkuar nga Brukseli që të inkurajojë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që Rusia të mos e shfrytëzojë tensionin dhe të tentojë të zgjerojë luftën nga Ukraina në Ballkan.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments