Qeveria e Kosovës ka njoftuar të dielën se vendimi për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve mbetet në fuqi deri më datën 12 prill.
Ky vendim vjen pas mbledhjes së qeverisë ku u shqyrtuan masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
”Situatën epidemiologjike, ministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë do ta ri-vlerësojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur, pas konsultimeve paraprake me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ministrive të tjera të linjës dhe ekspertët përkatës, mund t’i rekomandojë Qeverisë mbetjen në fuqi, ndryshimin apo plotësimin ose shfuqizimin e tyre.”
“Vendimi obligon institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij, ndërsa ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës shfuqizon vendimin Nr. 01/18 i datës 28.03.2020 i cili rregullonte zbatimin e vendimeve të lartcekura”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së presidentit Hashim Thaçi për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit të qeverisë, kishte vendosur që vendimi i 23 marsit i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.
Gjykata ka konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Vendimi hyn në fuqi më 13 prill.