10.5 C
Tetovo
E mërkurë, 15 Maj, 2024
BallinaLajmeKoordinimi i parë i partive, pa rezultat

Koordinimi i parë i partive, pa rezultat

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare hynë dhe dolën nga takimi tre orësh pa asnjë lëvizje nga qëndrimet e tyre fillestare rreth të ashtuquajturit propozim francez. Aty pushteti ka propozuar konkluzionet të cilat do të duhet të shkojnë në Kuvend për miratim por nuk e zbardhi përmbajtjen e tyre, me arsyetimin që të mbrohet procesi.

Përfaqësuesi i qeverisë në këtë takim Bojan Mariçiq konfirmoi njërën nga çështjet që është diskutuar e të cilën paraprakisht e kishte kërkuar presidenti Stevo Pendarovski. Konkluzionet eventuale të Kuvendit do të jenë të detyrueshme për t’i zbatuar qeveria por nuk do të kenë ndikim te përmbajtja e propozim-kornizës negociuese

“Propozuam tekst me propozim-konkluzione të cilat do të mundet Kuvendi t’i miratojë me të cilat jepen garanca plotësuese dhe detyrime për qeverinë që në cilindo moment të procesit negociues duhet të bëhet kujdes posaçërisht për gjuhën dhe identitetin maqedonas, veçantinë kulturore dhe të gjitha karakteristikat e popullit tonë dhe që në cilindo moment nëse duhet të bisedohet dhe të negociohet për këto çështje, qeveria e ka për detyrë t’i ndërpresë dhe të mos I vazhdojë ato negociata”, u shpreh Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Në tavolinë mungonte protokolli i cili akoma nuk është i qasshëm as për opinionin.

VMRO-DPMNE-ja nuk ka lëvizur aspak nga kërkesat e saj. Ajo propozon që në kornizën negociuese të mos parashihet mundësia për deklarata të njëanshme për gjuhën maqedonase, të fshihet Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe masat vjetore të parapara me nenin 12 të saj, të mos kushtëzohen negociatat me ndryshimet kushtetuese, të fshihet protokolli nga korniza negociuese.

“Mund të shpreh ndjenjën se te pushteti gatishmëri për këtë nuk ka dhe e vetmja gjë që mendojnë është si të përshpejtohet procesi. Korniza negociuese mundet të ndryshohet deri sa nuk miratohet nga ana e Maqedonisë. Kurse ajo që LSDM-ja ka premtuar diku tjetër se korniza negociuese do të miratohet siç është, është problem i tyre. Arsyeja pse e fshehin protokollin, me siguri, është për shkak se protokolli është i keq”, tha Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.

Nga BDI-ja thonë se qytetarët nuk duhet të bien pre e lajmeve të rreme.

Sigurisht se kemi kornizë negociuese. Nuk na nevojiten lajme të rreme se nuk kemi kornizë negociuese por propozim për propozim. Ne konkretisht kemi propozim të cilin e kemi në tavolinë dhe për atë kornizë negociuese po flasim ku gjuha maqedonase në mënyrë të pastër është paraparë pa fusnotë, pa yllë, pa sqarime shtesë. Në qoftë se e pranojmë propozimin gjithashtu do të kemi fillim të negociatave aderuese”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

Edhe partia shqiptare në opozita, Aleanca për Shqiptarët, bën thirrje që të shfrytëzohet momenti.

“Vlerësoj se në këto momente shumë të rëndësishme të gjithë duhet të jemi në pajtueshmëri të plotë me rrugën gjeostrategjike të cilën do të duhet ta ndjekë vendi sepse kjo është shpresa e vetme për qytetarët. Ne si shtet ka 30 vjet që e presim momentin e hapjes së negociatave andaj do të duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe komfor përcaktimeve tona strategjike t’u qasemi edhe bisedave”, tha Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Në takim ishte edhe përfaqësuesi i partive më të vogla, kreu i Lidhjes Demorkatike Pavlla Trajanov. Ai para se takimi të fillojë tha se nevojitet konsensus më i gjerë. Beson së korniza negociuese mund të ndryshojë varësisht asaj që miraton Kuvendi.

Nuk dihet kur do të caktohet seanca plenare për këtë çështje e cila varet nga rezultatet e grupeve të punës. Nisma në Kuvend do të shkojë në formën e informacion.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments