11.9 C
Tetovo
E martë, 7 Maj, 2024
BallinaLajmeJonuzi: Grubi është objektiv i VMRO-DPMNE-së për shkak të angazhimeve të tij...

Jonuzi: Grubi është objektiv i VMRO-DPMNE-së për shkak të angazhimeve të tij personale dhe vendosmërisë për një Maqedoni pro-evropiane

Informacionet që dolën së fundmi për emrin e Zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, e ngritën opinionin në këmbë. Opozita del çdo ditë me akuza për zv.kryeministrin. VMRO-DPMNE akuzon Grubin në lidhje me kompaninë për mbikëqyrjen e ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10d, për të ashtuquajturën “Haciendën e Hagës” për faktin se vëllai i tij dyshohet se ka blerë një objekt afarist në qendër të Shkupit për gjysëm milionë euro në kohën kur ai është zëvendëskryeministër, por edhe lojën e futbollit dhe basketbollit në kabinetin e tij. Ndërkohë, brenda vetë BDI-së po zhvillohet një betejë për supremaci. Paraqitet edhe “Grupi i Zjarrit”, i cila gjithashtu eshtë kundër Grubit. Ata akuzojnë anëtarin e partisë më të madhe shqiptare në vend se ka shkarkuar njerëz që mendojnë ndryshe në BDI dhe se sjellja e tij ka shkaktuar “pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve”.

Për ngritjen dhe pjesëmarrjen e tij në Qeveri, portali informativ lokalno.mk ka biseduar me gazetarin shumëvjeçar dhe njohësin e situatës në bllokun politik shqiptar, Destan Jonuzi.

“Nuk më kujtohet Maqedonia e Veriut të ketë pasur një person të tillë në postin e zëvendëskryeministrit që është kaq i përkushtuar në punën e tij. Mendoj se Grubi është i fuqishëm për shkak të pozitës së tij në ekzekutiv dhe vendosmërisë së tij për të zbatuar politikat e Ali Ahmetit dhe platformën e BDI-së. Ajo që e krijon këtë konfuzion në opinion është se tashmë Grubi ka filluar të shfaqet më shumë në media dhe sulmohet fuqishëm nga disa qarqe në vend që janë në anën e kundërt të politikave zyrtare të shtetit, pra për shkak të personalitetit të Grubit, angazhimet dhe përcaktimet e tij për një Maqedoni të Veriut pro-evropiane, thotë Jonuzi për “lokalno.mk”.

Ai thotë se Grubi disa herë ka deklaruar se merret me politikë për shkak të Ali Ahmetit dhe nuk është i mendimit se Grubi dëshiron ta marrë pozitën e Ali Ahmetit.

“Për mendimin tim Grubi është një nga figurat politike më të përgatitura në BDI. Pra, për Grubin, Ali Ahmeti është lideri i padiskutueshëm. Nga ana tjetër, për sa i përket “Grupit të Zjarrit”, mund të ketë një dyshim të tillë që tani partinë kërkon ta marrë në dorë dikush si Grubi e jo ata dhe tani gjërat kanë shkuar deri aty ku beteja e tyre e ashpër kundër Grubit është kthyer në një betejë të hapur me Ali Ahmetin, diçka që për ta në afat të shkurtër dhe afatgjatë është një betejë e humbur, sepse BDI është parti që identifikohet me karakterin dhe veprën e Ali Ahmetit. Në “të zjarrtët” keni kuadro nga brezi i vjetër, të cilët në BDI për shumë vite kanë mbajtur poste të larta partiake, por edhe pozita të larta pushteti dhe kanë pasur privilegje të mëdha, të cilat mund të mos i kenë tani dhe prandaj janë të pakënaqur, duke u ndjerë të kërcënuar nga Grubi, i cili gëzon besim të madh nga Ali Ahmeti. Disa prej tyre nuk lanë gjurmë, u mbuluan nga shumë dyshime për suksesin e tyre sa ishin në pushtet, dhe konceptualisht, ai brez, sipas vizionit dhe bindjeve politike, përplaset me gjeneratën e zëvendëskryeministrit Grubi, thekson Jonuzi.

Jonuzi thekson se qytetarët e përkrahin BDI-në për shkak të liderit të tyre Ali Ahmeti, e më pas edhe për shkak të politikave që zbaton kjo parti.

“Nëse dëshironi të bëni një krahasim mes mbështetjes së disa individëve nga i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit” me Grubin, atëherë terreni thotë se ai gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm nga Kumanova në Strugë. Nëse e lokalizojmë mbështetjen në Shkup, edhe aty u dëshmua se shumica qëndron pas Ali Ahmetit, pra pas Artan Grubit dhe eksponentëve të tjerë të BDI-së, ndërsa “Grupi i Zjarrit” përpos që janë kontradiktorë në daljet publike dhe motivet e tyre (për shembull, janë tërësisht të paqarta motivet e një Blerim Bexheti apo Nevzat Bejta, sepse Grubi nuk i ka penguar në asgjë), po bën edhe një betejë personale për të hequr dikë dhe për të instaluar dikë tjetër, vlerëson gazetari.

Ai beson se Grubi është një nga politikanët më të drejtpërdrejt në daljet e tij publike sa i përket politikës së tij.

“Të gjithë administratorët që nuk ishin sistemuar një vit më parë u sistemuan, ndërsa për honoraret dhe angazhimet mendoj se çdo zyrtar, qoftë edhe drejtor i një ndërmarrje publike, punëson 20 deri në 30 persona për të kryer detyra të ndryshme pune. Kjo nuk është diçka që e ka shpikur Grubi dhe diçka që ekziston vetëm në ministrinë e tij. Ndër të tjera, në ministrinë e tij janë punësuar administratorë të rinj, të cilët ndërkohë janë transferuar në institucione të tjera dhe disa media raportojnë për gjoja mbipunësim. Nga një gjysmë fakt, ata krijojnë një perceptim të caktuar që e plasojnë si të vërtetë. Edhe për gjërat e tjera të përmendura, nëse ato i përmend opozita dhe mediat bëjnë storje prej tyre, atëherë ngjason se është ashtu. Por, vetë Grubi i sfidoi ata që nëse kanë dyshime për ndonjë shkelje, t’i drejtohen autoriteteve për të gjitha akuzat, thekson Jonuzi.

Sa i përket Korridoreve 8 dhe 10D, gazetari vlerëson se ky është një megaprojekt për të cilin të gjithë duhet të jenë të lumtur dhe jo apriori të hidhen dyshime të ndryshme.

“Lidhja e njerëzve dhe mallrave është një prioritet në çdo vend evropian, përfshirë këtu Maqedoninë e Veriut. Është një projekt pas të cilit qëndron një kompani e madhe amerikane. Mendoj se një koleg i vjetër në një kolumnë ka shpjeguar shumë mirë pikërisht rreth kompaninë e përmendur, e cila dyshohet se është zgjedhur në mënyrë të papërshtatshme apo të dyshimtë, thotë njohësi i situatës në bllokun politik shqiptar në vend.

Ai thekson se BDI-në aktualisht e sheh të udhëhequr nga Ali Ahmeti edhe për të paktën një mandat.

“Kongresi i radhës është në vjeshtë dhe z. Ahmeti ka shpallur edhe një kandidaturë, kështu që unë shoh BDI-në me Ali Ahmetin në krye dhe afër tij të rreshtuar Artan Grubin, Faton Ahmetin, Fatmir Besimin, Bujar Osmanin, Kreshnik Bekteshin, Jeton Shaqirin dhe një brez të tërë të ri të politikanëve. BDI ka treguar se gjithmonë është një hap para të tjerëve. Po bëhet një transformim brezash dhe platformash politike, në mënyrë që politikat e saj të përshtaten me kohën. Për parti evropiane nuk diskutohet, sepse BDI që nga formimi e ka si postulat kryesor integrimin e vendit në NATO dhe BE, prefiksi i saj në vetvete është “demokratike për integrim”. Sa i përket politikave të gjelbra, mendoj se jo vetëm BDI, por edhe të gjitha partitë progresive, pavarësisht nga orientimi i tyre, duhet t’i pranojnë si imperativ i kohës. Ata janë e ardhmja e 30 viteve të ardhshme të Evropës dhe Maqedonisë së Veriut si pjesë e saj”,thekson Jonuzi.

Nëse bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, bashkëbiseduesi ndan besimin se do të fitojnë BDI-ja dhe “Fronti për Evropën” i iniciuar nga Ali Ahmeti.

“Me këtë BDI do të jetë edhe një herë partia e parë e shqiptarëve. Nuk do të jetë fundi, por fillimi i ri i BDI-së së reformuar. Nëse “Fronti për Europën” pranohet edhe nga partitë progresive të maqedonasve, mendoj se fitorja do të jetë e trefishtë, fiton BDI, ASH, LSDM, por edhe vetë shteti për shkak të përcaktimit strategjik pro-evropian dhe proamerikan, analizon gazetari.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments