Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar pas votimit të rikonstruksionit të qeverisë në Kuvend.Përmes një mesazhi të qartë dhe të prerë, Mexhiti ka vlerësuar se ky proces konfirmon stabilitetin e shumicës dhe u jep fund tentativave për kriza artificiale. Ai ka paralajmëruar një dinamikë të re në ekzekutiv, ku çdo ministër dhe institucion do të matet vetëm me rezultate konkrete në terren dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.“Me votimin e rikonstruimit, u konfirmuan stabiliteti politik dhe kohezioni i qeverisë për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit.
Përpara nesh janë sfida që kërkojnë vendimmarrje, jo hezitim; reforma, jo justifikime; zhvillim, jo stagnim. Forcimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik, investimet, infrastruktura dhe integrimi evropian kërkojnë institucione që japin rezultate. Qytetarët kanë nevojë për një qeverisje që punon, jo për kriza artificiale apo kauza të rreme që prodhojnë përçarje. Kanë nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe vendime që e çojnë vendin përpara.
Edhe më tej, sikurse deri më sot, çdo institucion, çdo ministër dhe çdo vendim do të gjykohet nga ndikimi që sjell në jetën e qytetarëve. Ky është standardi që kemi pranuar dhe përgjegjësia që mbajmë.
Tani nis një fazë e re e punës, me më shumë përgjegjësi, ritëm dhe rezultate.
Na priftë e mbara!”
