11.5 C
Tetovo
E premte, 17 Maj, 2024
BallinaEkonomiIntervistë Ekskluzive, Fatmir Bytyqi: Prej anëtarësimit tonë në NATO investimet janë rritur...

Intervistë Ekskluzive, Fatmir Bytyqi: Prej anëtarësimit tonë në NATO investimet janë rritur çdo vit, sivjet kalojnë mbi 1 miliardë euro

Në kuadër të bashkëpunimit “Mos besoni në propagandë, “Ne Jemi NATO”!, dhe Shoqatës joqeveritare Oti-Group.org, zhurnal ua sjellë intervistën e parë me Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi

Zotëri Bytyqi, a mund të na tregoni cilat janë përfitimet e Maqedonisë së Veriut në sferën e ekonomisë, që nga koha kur u bë vend anëtar i NATO-s?

Fatmir Bytyqi: Falemnderit së pari në mundësinë për të folur për temën e anëtarësimit në NATO, sepse mendoj se është një temë shumë pak e shtjelluar fatkeqësisht. Po them shumë pak e shtjelluar sepse anëtarësimi erdhi në kohë kur kishim një prej krizave më të mëdha që mbajmë mend, krizën shëndetësore të COVID dhe ndoshta nuk kishim mundësi të shohim me të vërtetë se çfarë sjell anëtarësimi në NATO. Ne gjithmonë e kemi thënë se, qëllimi kryesor i anëtarësimit në NATO është rritja e sigurisë në vend, por edhe në rajon dhe sigurisë globale, por sjell gjithashtu edhe përfitime ekonomike. Duke qenë se kemi kaluar një sërë vitesh të krizave, ndoshta shteti yë nuk ishte edhe me fat aq të mirë, që të përfiton prej në fillim atë që shtetet tjera kanë përfituar, por mund të them se prej vitit të kaluar dalngadal efektet e anëtarësimit në NATO kanë filluar të ndjehen.

Në aspekt ekonomik, e them se anëtarësimi në NATO sjell stabilitet, siguri, që do të thotë se në klimën e të bërit të biznesit është një ndër faktorët kryesor për çdo biznes për të vendosur për të bë investime. Nëse vetëm I shohim vetëm investimet gjatë këtyre tre viteve, në fakt mund të themi tani viti i katërt pas anëtarësimit në NATO, ato janë dukshëm në rritje. Nëse në vitin 2020 investimet në vend arritën diçka mbi 200 milionë euro, duke pasur parasysh se ishte vit I COVID-it, në vitin 2021 ato shkuan në nivelin e 470 milionë eurove, kurse ë vitin 2022 investimet shkojnë në vlerë mbi 750 milionë euro, që është vit historik mund ta them, që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të ketë një nivel aq të  lartë të investimeve të huaja, duke mos futur këtu investimet vendore që kapin një shumë relativisht të mirë. Këtë vit për shembull, sipas gjitha parametrave që I kemi deri tani në gjysëmvjetorin e parë, mund të arrijmë shumë lehtë që të kalojmë nivelin e investimeve mbi 1 miliardë euro, që është një prag, një barrierë psikologjike  që e kemi vënë në kokë, se nuk mund ta kalojmë pragun prej 1 miliardë. Unë them se kjo vjen si efekt edhe I anëtarësimit në NATO, por edhe I rrugëtimit të qartë të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, që janë dy unionet më të mëdha që mendoj se njëra me tjetrën përputhen goxha shumë dhe në mënyrë koherente mund të sjellin ndryshim të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë.

Sa ka ndihmuar anëtarësimi në NATO dhe stabiliteti I krijuar, në përmbushjen e kushteve për afrim me Bashkimin Evropian? E kemi fjalën për kushtet ekonomike para së gjithash.

Fatmir Bytyqi: Mendoj se dy proceset dikush mund t’i sheh si të ndara, por unë I shoh si procese që janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, sepse anëtarësimi në NATO kërkon një sërë standardesh që si shtet duhet plotësuar, në mënyrë laike nëse e themi, dikush mendon se janë investimet në mbrojtje ato që tregojnë nëse do bëhesh shtet anëtar i NATO-s, ose jo. Por jo, ka edhe kritere politike, kritere të sigurisë, plus kritere tjera administrative që duhet t’I keshë plotësuar. Mendoj se rrugëtimi jonë deri në anëtësrimin në NATO, e posaçërisht pas ratifikimit të anëtarësimit në NATO, ne jemi ndër shtetet e vetme që në një periudhë shumë të shpejtë jemi bë anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Kjo tregon se përgatitja administrative, politike në vend ka qenë e mjaftueshme, mirë e bërë për t’u anëtarësuar në NATO. Të njëjtin optimizëm e kemi edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prandaj edhe insistimi ynë se këto dy procese duhet të jenë njëri pas tjetrit, është i drejtë. Ne mendojmë në fakt se në këtë frymë në të cilën e përmbyllëm anëtarësimin në NATO, duhet të vazhdojmë edhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Tani jemi në përfundimim të procesit të skriningut dhe shpresojmë se me arritjen e ndryshimeve kushtetuese menjëherë do fillojmë procesin e negocimit, që do na lejon të hapen kapitujt kryesor të negocimit. Ajo rrugë nuk është e lehtë, nuk duhet gënjejmë asnjë, sepse do të duhet të ndryshojmë të gjithë. Por mendoj se një parametër kryesor që sjell edhe anëtarësimin në NATO edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është përmirësimi i cilësisë së jetës dhe ekonomisë së vendit, pasi janë ndër indikatorët kryesorë në bazë të cilëve pastaj do na krahasojnë me vendet anëtare, qoftë të NATO-s, qoftë të Bashkimit Evropian Tani, nëse mund të themi, se cili është efekti i kësaj pas tre viteve: ka përmirësim të dukshëm, por kemi Akoma rrugë për të bë për të arritur aty ku duhet.

Çdo proces që ndodh përcillet edhe me dezinformata dhe lajme të rrejshme. Sa I përket anëtarësimit në NATO ka edhe mendime, ose dezinformata se kostoja e anëtarësimit është më e madhe se përfitimi. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë dhe nëse mund të na prezantoni një analizë se sa do të ishin të mundshme këto arritje që i numëruat, port ë mos ishim nëtarësuar ende në NATO, para tre viteve e tepër?

Fatmir Bytyqi: Unë do e shtroja, pak më ndryshe-çfarë do të ishin përfitimet ekonomike nëse do të anëtarësoheshim para 15 viteve. Ne mund ta shohim Kroacinë, mund ta shohim Shqipërinë dhe mund ta shohim vetveten se ku jemi. Shembujt e Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë shembuj pozitivë. Nëse e shihni gjendjen ekonomike, mirëqenien e qytetarëve të Kroacisë në kohën para anëtarësimit në NATO dhe në BE, dhe nëse sot bëjmë krahasim, diferenca është diku pesë herë më mirë se sa ka qenë. Këtë nuk e them unë, e thonë indikatorë të ndryshëm ekonomikë, që mund t’i marim si bazë. Vetëm një parametër që për shembull mund ta them për Kroacinë dhe kjo vjen si efekt i anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, gjatë anëtarësimit Bruto Prodhimi Vendor për kokë banori në Kroaci ka qenë diku te dyzet për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, aty ku jemi ne sot. Vetëm në pesë vitet e para të anëtarësimit ajo shkon në 77 për qind të mesatares së nivelit të Bashkimit Evropian. Është dyfishuar mirëqenia e qytetarëve dhe mendoj se ky është një prej parametrave kryesorë për të parë se cili është efekti pozitiv. Në Shqipëri mund ta shihni nivelin e investimeve të huaja në krahasim para apo pas NATO-s. Por Akoma më e rëndësishme, që duhet ta shohim dhe nuk duhet ta harrojmë, është se ne kemi qenë shtete shumë të cenueshëm deri para anëtarësimit në NATO në sferën e sigurisë. Sot kemi luftë në kontinentin e Evropës dhe ne ndjehemi të sigurt, sepse Aleanca e NATO-s mbron çdo shtet anëtar.  Ky është benefiti kryesor. Tani, ne mund të flasim se si kjo mund të krahasohet, por unë them se nuk ka një analogji të tillë që mund ta bëjmë, sepse në fund të ditës jeta e qytetarëve është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër që mund të kemi. Tani, nëse flasim a kemi arritur atje ku duhet të arrijmë si efekt I anëtarësimit në NATO, përgjigja është-jo akoma, sepse fatkeqësisht ekonomitë tona, bizneset tona nuk kanë qenë shumë të përgatitura, por po lëvizin goxha shpejt që të bëhen pjesë e zinxhirit të vlerave të furnizimit në NATO! Ai është një treg i veçantë, shumë specifik, ku deri tani nuk kemi pasur, por ja mund të them se që nga viti 2022 ne kemi kompani të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë pjesë e zinxhirit të furnizimeve të ndryshme, jo vetëm ushtarake, por furnizimeve  të ndryshme të shteteve anëtare të NATO-s, të NATO-s si koalicion I përbashkët.

Folëm për rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë pas anëtarësimit në NATO. Por a keni shifra konkrete, sa arriti biznesi ynë të depërtojë në tregun e krijuar dhe a ekziston ndonjë mbështetje,  përkrahje nga shteti që kjo të bëhet në mënyrë më të lehtë dhe më të suksesshme?

Fatmir Bytyqi: Po, Ministria e Mbrojtjes në fakt ka një departament të veçantë, që bën ndërlidhjen dhe parapërgatitjen e bizneseve  për t’u bë pjesë e zinxhirit të ofertës së koalicionit të NATO-s. Realisht, politika tjera për përkrahje të investimeve që shteti, qeveria i aplikon I adresohen edhe këtyre kompanive që do të ishin të interesuara për t’u bë pjesë e këtij tregu specifik.

Ne që para dy viteve kemi filluar t’i animojmë kompanitë e ndryshme të sferave të ndryshme. Kemi raste pozitive, që nuk janë në numër shumë të madh, sepse hyrja në një treg të tillë kërkon standarde të caktuara dhe mendoj që është proces që nuk ka të ndalur. Çdo rast pozitiv, sjell edhe raste tjera, që do të jenë të animuara për të hyrë në këtë treg. Ekziston skepticizmi, ju që parë më pyetët për pjesën e informatave të rrejshme. Në fakt lufta me informatat e rrejshme është çdo ditë dhe vetëm rastet pozitive, mirinformimi i qytetarëve, por edhe i bizneseve mund të sjellë efekte pozitive dhe kjo është një luftë permanente e cila bëhet edhe në Aleancën e NATO-s edhe në Bashkimin Evropian, bëhet në gjithë Evropën, por ndoshta edhe në glob, sepse fryma të ndryshme nuk kanë dëshirë që të shohin përirësim ose efekte pozitive nga Aleanca të tilla, sepse shohin se ndoshta e humbin komoditetin dhe konformitetin të cilin e kanë pasur më parë. Them se jemi në rrugë të mirë, bizneset duhet të inkurajohen edhe më shumë. Çdo ditë jemi në komunikim me Odat Ekonomike për një gjë të tillë. Shumë shpejtë me ministren e Mbrojtjes do inicojmë një iniciativë që është konform inicitivave të përbashkëta të NATO-s, e ajo është akseleratori i bizneseve i quajtur “Diana”, ku në fakt bizneset mund të vijnë dhe të thithin fonde të caktuara, për tu zhvilluar në fusha që janë specifike si nevojë e tregut të NATO-s. Por është proces i cili nuk bëhet aq shpejt sa që çdo njëri do të dëshironte. Është process pak më i ngadalshëm, me arritje të standardeve të nivelit më të lartë se ai që jemi mësuar. Në fund, dëshira jonë për anëtarësim në NATO që është dëshirë e kamotshme u arrit. Tani të shohim se sa jemi në gjendje të përfitojmë të mirat nga anëtarësimi në NATO, njësoj sikurse do jetë edhe nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Një ditë ajo do ndodh. Atëherë do jemi në siklet, ta them kështu në gjuhë popullore, se sa çdo qytetar, por edhe bizneset do jenë të gatshëm që të përballen me sfidën e konkurrencës globale. Anëtarësimi në një Union shumë më të madh, sado që të jesh i madh në vendin tonë, të bën të vogël në arenën globale. Kjo është sfida kryesore me të cilën po arrijmë dhe po mundohemi të ballafaqohemi për çdo biznes, çdo qytetar, çdo institucion arsimor, çdo institucion shëndetësor, sepse konkurrenca globale kërkon përgatitje shumë më të lartë, se sa që për momentin kemi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments