Hysni Ismaili: Koalicioni Alternativa-Aleanca një frymë që nuk ndalet, shkojmë bashkë në zgjedhje lokale!

52

Me Dr. Hysni Ismailin, deputet i Alternativës dhe ish ministër i Kulturës, biseduam për aktualitetin politik, për punën e tij në Ministrinë e Kulturës dhe vërejtjet që ai i ka sot ndaj këtij dikasteri, por kishim mundësinë të dëgjojmë prej tij edhe se cilat janë planet e opozitës shqiptare në këtë konstelacion parlamentar.

Z. Ismaili, po ia fillojmë kësaj bisede me punë tuaj në Ministrinë e Kulturës. Tashmë kur nuk jeni ministër, si e shihni Ministrinë e Kulturës dhe sa jeni të kënaqur me qeverinë aktuale LSDM-BDI, në kuptim të ofertës në jetën kulturore?

Hysni Ismaili: Është një thënie popullore që thotë: fjalët dhe veprat tona flasin vet. Ajo që mund të them si retrospektivë e punës sonë 18-muajshe në kulturë, gjersa ne drejtonim dikasterin e Kulturës, është se ne kemi bërë dallimin e madh nga gjithë paraardhësit tanë. Në kohën kur ne ishim në krye të Ministrisë së Kulturës, një detyrë e ushtruar fillimisht nga paraardhësi dhe miku im Asaf Ademi dhe e vazhduar prej meje, investuam që ta vendosim standardin e përgjegjësisë politike, transparencës dhe përkushtimit tonë për të qenë afër me njerëzit e kulturës, duke u munduar që të sjellim ndryshimin dhe të dallojmë nga të tjerët. Mendoj se nuk është koha që të flas me rend e me listë për të arriturat tona në kulturë, sepse as nuk është modeste, por as nuk kemi aq shumë hapësirë në këtë bisedë, por nëse për lexuesit tuaj duhet ta bëj një listë të punëve, ato janë: themelimi i Teatrit të Gostivarit, Pallati i Kulturës në Komunën e Bogovinës, Shtëpia e Kulturës në Vrapçisht, Shtëpia e Kulturës në Mateç, Teatri i Fëmijëve në Shkup, hapja e institucioneve të reja kulturore në vend, marrëveshja kolektive për punonjësit e kulturës, ndarja e 45% të buxhetit për projektet shqiptare etj. Me një fjalë, ajo që mund ta përmbledh me një fjali për punën tonë në kulturë është: transparenca, puna dhe përkushtimi për ndryshim. Përkundër të gjitha ndërkëmbëzave nga oponentët tjerë, për të cilët kemi respekt, por jo dakordim, mendoj se këto fakte janë të paluhatshme edhe për ata.
Ndërkaq, sa i përket nënpyetjes suaj, në lidhje me qeverinë aktuale LSDM-BDI dhe punën e saj në kulturë, më mirë se kaq do të ishte pyetja “A ka kulturë gjëkundi?”. E nëse doni të flisni për kulturën shqiptare, për këtë më mirë mund të flasin artistët shqiptarë, institucionet kulturore shqiptare dhe veprimtarët e tjerë të kulturës. Besoj se ata, më mirë se gjithkush, e ndjen këtë. Do i shohim rezultatet e sivjetme të programit nacional për kulturë dhe do të flasim përsëri.


Ditë më parë koalicioni juaj e votoi propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë. Ndërkaq javën që shkoi ju bashkë me Aleancën për Shqiptarët e shpalosët platformën shtetsia.mk. Çfarë do të na sjell ligji për shtetësi dhe cili është qëllimi primar i tij?

Hysni Ismaili: Propozim-ligji për shtetësi ka qenë pjesë e programit tonë zgjedhor, pra e koalicionit Alternativa & Aleanca për Shqiptarët, në zgjedhjet e fundit të 15 korrikut të vitit të kaluar. Po të kishim qenë ne pjesë e qeverisë, ky ligj do të kalonte në miratim brenda 100-ditëshit të qeverisjes sonë, por kjo nuk ndodhi, për shkak se Zaevi e zgjodhi BDI-në për qeverisje, ndërsa ne tash jemi në opozitë. Meqë tashmë thuaja të gjitha pikat e propozimit tonë mbi ligjin në fjalë tash janë shpalosur, ajo që dua të theksoj mbi këtë propozim ligj të koalicionit është se ne duam ta ndalim diskriminimin për të gjithë ata qytetarë të cilët jetojnë me vite këtu, por nuk e gëzojnë të drejtën e shtetësisë së këtij vendi. Kjo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut, tashmë 30 vite, është diskriminim total ndaj të drejtave elementare, të garantuar me kushtetutë. Ne kemi qindra raste që për arsye banale dhe ndërkëmbëza të pushtetit nuk kanë arritur të kenë shtetësi. Prandaj me ligjin në fjalë duam t’i japim fund përjashtimit, diskriminimit dhe majorizimit të etnive dhe qytetarëve në vend. Ne duam të dëshmojmë se askush nuk mund ta cenojë të drejtën e askujt që të jetë shtetas i këtij shteti nëse ai i plotëson kushtet. Nuk mund të pranojmë më arsye se plakat shqiptare janë të rrezikshme për shtetin ose nëse ndonjë nënë shqiptare nuk e ditka maqedonishten në mënyrë të përsosur, aq më shumë që tash edhe shqipja është zyrtare. Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe kushtetutën. Nuk mund t’i lejohet që një institucion i Ministrisë së Punëve të Brendshme pa asnjë shpjegim të tallet me këtë të drejtë kushtetuese të qytetarëve. Qëllimi primar i propozim-ligjit për shtetësi ka për synim ndërtimin e shtetit të së drejtës, barazisë dhe mirëqenies pa dallim etnie, religjioni ose përkatësie tjetër. Pra, askujt nuk mund t’i mohohet e drejta themelore kushtetuese.

Si po ju funksionon koalicioni me Aleancën për Shqiptarët? A jeni duke punuar për një koalicion të përbashkët për zgjedhjet lokale të këtij viti?
Hysni Ismaili:
 Koalicioni Alternativa & Aleanca për Shqiptarët tashmë është një strumbullar i fuqishëm i zërit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ne që në momentin kur kemi nënshkruar marrëveshje koalicioni për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit të kaluar, në pikat e bashkëpunimit kemi përmendur se koalicioni ynë vlen deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që nënkupton se në zgjedhje lokale do të jemi së bashku. Në kuadër kësaj, përskaj agjendës dhe përgatitjes sonë për zgjedhjet lokale të këtij viti, mund të them se koalicioni Alternativa & Aleanca për Shqiptarët po funksion si një trup dhe grusht i fortë, që po bën zë të furishëm opozitar në Maqedoninë e Veriut. Sa për ilustrim, në Kuvend ne tashmë funksionojmë si një trup i përbashkët parlamentar, ku çdo ditë e bëjmë betejën tonë politike me reagime, diskutime e propozime të përbashkëta, siç është edhe rasti me ligjin për shtetësi, por edhe përmes press-konferencave të përbashkëta dhe aksioneve të tjera. Pra, ne edhe për nga kuantiteti, por edhe për nga kualiteti, mund të them se jemi opozita më fuqishme dhe më e zëshme në historinë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Konsideroj se çdokush do ia kishte lakmi këtij koalicioni. Me një fjalë, ne jemi koalicion shqiptar, që vepron për të mirën e gjithë qytetarëve, ndërsa në veçanti bën betejë të përditshme politike për kërkesat e shqiptarëve. Ndërkaq, sa u përket zgjedhjeve lokale, së shpejti do të dalim me strategji për pjesëmarrje në ato zgjedhje, ku do të jeni dëshmitarë se ne do të jemi fitues absolutë. Kjo është një frymë që nuk ndalet më. Shigjeta ka dalë prej harkut.

Z. Ismaili, kohëve të fundit kemi dëgjuar zëra të ndryshëm se Alternativa po humb terren në zonën e 6 zgjedhore, sidomos në degën e Tetovës. Sa janë të vërteta këto zëra? Si qëndron puna e Alternativës në zonën e 6-të Alternativa? A janë këto reforma partiake apo largime?

Hysni Ismaili: Përgjigja e kësaj pyetjeje qëndron pikërisht në pyetjen tuaj, pra tek fjala reformë. Siç e dini, tashmë disa muaj ne jemi në proces të reformave strukturore brendapartiake dhe gjithë këto gjëra, që po ndodhin kohëve të fundit në Alternativa, janë vetëm në suaza të strategjisë së re të rigjenerimit të strukturave dhe reformave tona brenda partisë. Sa për kureshtje dhe për të qenë korrekt me opinionin publik, por edhe me lexuesin tuaj, në degën e Tetovës u larguan 2-3 individë, të cilët nuk arritën ta gjejnë veten, por në parti janë normale vajtje-ardhjet. “Shkojnë tre, vijnë tridhjetë”, themi ne në Alternativë. Askush nuk është i pazëvendësueshëm. E vërteta reale qëndron në atë se gjithkush tashmë është dëshmitar i fuqisë reale politike të partisë Alternativa, sidomos në zonën e 6-të zgjedhore, ku rezultatet e zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit të kaluar e thonë të kundërtën e fjalëve të dashakeqëve. Zgjedhjet parlamentare të 2020-tës e dëshmuan forcën reale të Alternativës në nivel republikan, veçanërisht në zonën 6 zgjedhore, ku dallimi mes nesh dhe oponentit tonë politik ishte vetëm 1 deputet, edhe pse e dimë se nën çfarë kushtesh manipulimi u zhvilluan ato zgjedhje. Sidoqoftë, t’ia lëmë kohës të flasë për realitetit e Alternativës në zonën tonë.