8.8 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeHartuesit e Kushtetutës: “S’mund të ketë qeveri të re, pa fituesin e...

Hartuesit e Kushtetutës: “S’mund të ketë qeveri të re, pa fituesin e zgjedhjeve”

 “Në qoftë se opozita arrin ta rrëzojë kryeministrin në rrugë parlamentare, me mocion mosbesimi, që është instrumenti kryesor për ta rrëzuar një Qeveri, në qoftë se opozita ka sukses, atëherë Kushtetuta jonë nuk i jep të drejtë opozitës që ajo ta bëjë kryeministrin, por automatikisht e çon vendin në zgjedhje”.

Në këtë mënyrë e kishte interpretuar Kushtetutën Arsim Bajrami, profesor i të Drejtës Kushtetuese dhe ish-anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës, në vitin 2014, atëherë deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Bajrami, në një intervistë për televizionin Koha (KTV), kishte deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në rast të shkarkimit të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi përmes mocionit të mosbesimit.

Por, sot, 6 vjet më vonë, pas rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti përmes mocionit të mosbesimit, Kushtetuta po interpretohet ndryshe nga përfaqësuesit politikë. Kërkesa e LDK-së për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me subjektet e opozitës po konsiderohet si mundësi për zgjidhjen e krizës dhe për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Profesorit Arsim Bajrami KTV ia ka kërkuar edhe tani opinionin e tij mbi zgjidhjen kushtetuese të krizës politike, por ai ka thënë se ka vendosur të mos flasë më për interpretimet kushtetuese.

Ndërkaq, një tjetër anëtar I komisionit për hartimin e Kushteutës së Kosovës, profesori Riza Smaka, e vlerëson jokushtetuese formimin e një qeverie të re pa fituesin e zgjedhjeve parlamentare, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Përfaqësuesi I subjektit politik që ka më shumë numra (vota) në kuvend e propozon kandidatin për formimin e Qeverisë dhe, po u formula u formula. Nëse nuk formohet nuk ka tjetër mundësi”, ka thënë ai

Smaka ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk dërgon te Presidenti një emër për kryeministër të ri, ky i fundit duhet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ai ka thënë se Kushtetuta ka një vakum juridik që nuk cakton ndonjë afat për dërgimin e emrit të kandidatit të Presidenti.

“Presidenti e thirr përfaqësuesin e subjektit politik që e ka shumicën për ta dhënë emrin e kandidatit apo kandidates për mandatar. Këstu është një problem serioz se nuk ka afat të precizuar. Prandaj, në këtë rast, zoti Kurti nuk ka kurrfarë obligimi sa i përket afatit”, ka thënë Smaka, për KTV.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një vendim eventual të Presidentit Hashim Thaçi që do t’i jepte mundësinë e formimit të qeverisë ndonjë partie tjetër.

Presidenti Thaçi ka dhënë sinjale se mund ta anashkalojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe të kërkojë nga ndonjëra prej partive tjera emrin e kandidatit për mandatar. Ai e ka bërë këtë në letrën e dytë drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në letrën e Thaçit thuhet se presidenti i vendit ka mandat kushtetues “të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve”. (r.m.)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments