Analistët amerikanë flasin për mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi para zgjedhjeve në SHBA

249

Analisti Daniel Serwer, zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson dhe ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, James Hooper, kanë folur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, një marrëveshje e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Hooper thotë se një marrëveshje e tillë mund të arrihet në rast se Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj nuk e bllokojnë atë.

“Mund të prisni një marrëveshje para zgjedhjeve amerikane, nëse z.(Ramush) Haradinaj dhe z.Kurti nuk e bllokojnë këtë. Mendoj se një marrëveshje është para duarsh. Mendoj se vijat janë hedhur dhe udhëheqësit serbë dhe ata të Kosovës e kuptojnë këtë. Vuçiqi është gati, ai do të sigurojë që kjo të ndodhë. Udhëheqësit e Kosovës nuk janë gati ende, nuk janë të vullnetshëm ta bëjnë këtë dhe kjo i frustron amerikanët”, mendon James Hooper.

Analisti Serwer mendon se “kishte mundësi të tillë, por pandemia e COVID-19 i ka zvogëluar shanset për një gjë të tillë. Nuk kemi hapësirë për t’u përballur me të gjitha gjërat përpara. Koha po ikën. Presidenti do të jetë së shpejti i ngarkuar me çështje të brendshme. Sinqerisht gjithnjë kam menduar se është e tepërt të mendosh se marrëveshja Prishtinë – Beograd do tërhiqte shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara, madje edhe një ceremoni në Kopshtin e trëndafilave do të ishte një rrëfim për një apo dy ditë, por jo më shumë”, thotë ai.

“Mendoj se është një mundësi që këtë vit të çohen përpara negociatat dhe një marrëveshje. Ajo duhet të jetë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Qartazi ka synim në Shtetet e Bashkuara për përparim, por kjo nuk është çështja numër një. Ka një dritare të hapur para sezonit të zgjedhjeve që të çohet përpara kjo çështje, por do të ndodhë me partnerët evropianë”, tha Wilson.

Të tre, kanë folur edhe për raportet Kosovë-SHBA. Kanë treguar detajisht nëse këto raporte janë dëmtuar.