13.5 C
Tetovo
E premte, 14 Mars, 2025
BallinaLajmeBotaGrenlanda voton për ndryshim dhe kundërshton synimet e Trumpit për ta marrë...

Grenlanda voton për ndryshim dhe kundërshton synimet e Trumpit për ta marrë ishullin

Zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në Grenlandë më 11 mars sollën një fitues befasues dhe dy mesazhe të qarta: kundërshtimin e synimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë territorin e arktikut dhe sinjalin se pavarësimi nga Danimarka mund të ndodhë – por jo shumë shpejt.

Partia Demokratike në opozitë, një parti liberale probiznesore, doli e para me gati 30 për qind të votave të fituara, duke lënë mbrapa partinë pro pavarësisë, Pika e Orientimit, e cila i mori 24 për qind.Befasisht, koalicioni qeverisës i kryeministrit në detyrë, Mute Egede, Partia e Komunitetit të Popullit, dhe Partia Përpara – të cilat duan pavarësimin e vendit por me ritëm më të ngadaltë se Pika e Orientimit – përfunduan në vendet tre dhe katër, përkatësisht.

Këto dy parti nuk kanë gjasa ta vazhdojnë qeverisjen e vendit, pas këtyre rezultateve.

Me gjasë kryeministër i ri i Grenlandës do të jetë lideri i Partisë Demokratike, Jens-Frederik Nielsen, i cili ka qenë njëri prej kritikëve më të zëshëm të Trumpit në Grenlandë, pasi presidenti amerikan ka shprehur dëshirën e tij për ta marrë ishullin më të madh në botë

Prej se u kthye në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan ka shprehur synimet e tij për të marrë nën kontroll ishullin e pasur dhe strategjik – duke nxitur shqetësime, posaçërisht në anëtaren e NATO-s, Danimarkë.

Një ndarje e ngadalshme nga Kopenhaga

Partia Demokratike ngurronte në të kaluarën t’i prishte marrëdhëniet me Kopenhagën, e cila ende e kontrollon politiken e jashtme dhe monetare të Grenlandës.

Në vitet e fundit, megjithatë, ajo ka ndryshuar qëndrimin, duke e vlerësuar pavarësimin nga Danimarka si qëllim afatgjatë, me synim për ta bërë ishullin të pavarur ekonomikisht.

Tani për tani, gati gjysma e popullsisë punon në sektorin publik, i cili financohet kryesisht nga Danimarka.Për ta arritur këtë, Nielsen shpreson t’i ndryshojë vendimet politike që kufizojnë kërkimet e naftës dhe gazit dhe ndalojnë nxjerrjen e uraniumit në Grenlandë.

Megjithatë, kjo i ndërlikon edhe bisedimet për koalicionin qeverisës.

Partnerja më e mundshme qeverisës e saj, Partia e Komunitetit të Popullit, është fuqishëm pro ruajtjes së mjedisit dhe kundërshton me këmbëngulësi veprimet e tilla.

Prapëseprapë, me një shumicë të ngushtë në Parlamentin me 31 ulëse, këto dy parti pritet të pajtohen për ta mbajtur larg Uashingtonin dhe për të ruajtur marrëdhënie të ngushta me Danimarkën – të paktën tani për tani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments