9.3 C
Tetovo
E shtunë, 27 Prill, 2024
BallinaLajmeGjyqtarët nuk ndihen të lidhur mjaftueshëm me punën e Këshillit Gjyqësor, nevojitet...

Gjyqtarët nuk ndihen të lidhur mjaftueshëm me punën e Këshillit Gjyqësor, nevojitet transparencë e plotë

Gjyqtarët nuk ndihen të lidhur sa duhet me punën e Këshillit Gjyqësor. Ata ndihen të tjetërsuar dhe nuk ndjejnë se Këshilli Gjyqësor është ai që i përfaqëson dhe i mbron interesat e tyre, as që promovon pavarësinë e gjyqësorit në përgjithësi. Këshilli Gjyqësor pritet të jetë bartës i reformës së paralajmëruar në të ardhmen, me shpresën se sistemi gjyqësor i reformuar dhe metodologjitë e prezantuara për vlerësimin e punës së gjyqtarëve do të sjellin një rezultat pozitiv përsa i përket gjendjes së gjyqësorit.

Këto janë përfundimet nga monitorimi i punës së Këshillit Gjyqësor dhe intervistat me 14 gjyqtarë aktualë dhe dy ish -gjyqtarë, të paraqitur në konferencën e sotme përfundimtare “Ndikimi i sistemit merit në pavarësinë dhe profesionalizmin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga koalicioni “Të gjitha për gjykim të drejtë”.

Drejtoresha Ekzekutive e Koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë” Natali Petrovska, vuri në dukje se analiza tregon nivelin e pamjaftueshëm të transparencës së plotë në punën e Këshillit Gjyqësor, si dhe mungesën e shpjegimeve në vendimet për emërimin ose shkarkimin e gjyqtarëve , e cila është vendimtare për të bërë një vlerësim të mirë të argumentimit dhe nëse sistemi merit në emërimin dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve është zbatuar vërtet.

Në analizë është theksuar, theksoi Petrovska se praktika më e zakonshme para seancës së Këshillit Gjyqësor, të paktën vitin e kaluar, është mbajtja e kolegjiumeve joformale të Këshillit Gjyqësor, gjë që lë përshtypjen se ata tashmë kanë vendosur dhe zgjidhur disa nga çështjet në rendin e ditës në seancën aktuale, ndërsa pastaj deklarohen vetëm me po ose jo gjatë votës së tyre.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të RMV-së Pavlina Cërvenkovska, në fjalimin e saj onllajn, duke folur për reformat e bëra dhe rregullat e miratuara për punën dhe zgjedhjen e gjyqtarëve, tha se ato kanë për qëllim rritjen e besimit të opinionit në punën e gjyqtarëve.

Ajo theksoi se Këshilli Gjyqësor ka miratuar dy rregulla, njërin për renditjen e kandidatëve për gjyqtarë nga Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, dhe tjetri për renditjen e gjyqtarit në një gjykatë më të lartë. Të dy dokumentet përcaktojnë qartë se çfarë lloj gjyqtarësh janë të nevojshëm për sistemin gjyqësor, dhe sipas kritereve të tilla gjyqtarët do të përzgjidhen dhe vlerësohen.

Drejtoresha e departamentit INL në Ambasadën amerikane, Xhoana Kecman, theksoi se është i nevojshëm lidershipi i fortë me vlera të larta etike dhe dhënia e një shembulli personal.

Kryetarja e Gjykatës Supreme të RMV-së Besa Ademi, duke folur për “pavarësinë gjyqësore si një mjet për të rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor”, tha se në procesin e zbatimit të reformave demokratike dhe krijimin e supozimeve normative-ligjore për një gjyqësor të pavarur, gjyqtarët mbajnë përgjegjësinë më të madhe – për të arritur qëllimet më të rëndësishme, siç janë respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut të parashikuara nga Kushtetuta, ligji dhe dokumentet ndërkombëtare.

“Integriteti i gjyqtarit është më i rëndësishmi dhe natyrisht gjyqtari, si pjesë e sistemit gjyqësor, duhet të mbrojë individualisht pavarësinë dhe paanësinë e tij personale. Ndikimet mbi gjyqtarin janë të mundshme, por nëse gjyqtari i përmbahet ligjit dhe etikës, respekton faktet dhe ligjet, atëherë nuk ka asnjë mënyrë për të ushtruar ndonjë ndikim mbi të. Përpjekjet për presion, nxitje ose ndërhyrje nuk mund të përjashtohen në asnjë shoqëri, por qëndrueshmëria e gjyqtarëve është e rëndësishme, rezistenca për të ruajtur pavarësinë dhe autonominë e gjyqtarëve, të cilat janë të kushtëzuara dhe varen nga ekzistenca e barrierave dhe mjeteve efektive të mbrojtjes”, tha Ademi.

Është e nevojshme, theksoi Ademi, të përmirësohet vazhdimisht profesionalizmi dhe ekspertiza e gjyqtarëve dhe shërbimit gjyqësor, të cilat janë një bazë e sigurt për ngritjen e besimit të qytetarëve, por edhe që pavarësia gjyqësore të ketë një aspekt ekonomik, i cili duhet të tregohet përmes buxhetit gjyqësor. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments