BallinaLajmeFurkan Saliu / Afrim Gashi, në një deklaratë për zgjedhjet lokale, e...

Furkan Saliu / Afrim Gashi, në një deklaratë për zgjedhjet lokale, e paska ngatërruar provincializmin me përkatësinë etnike.

E para, të votosh mbi baza etnike dhe të jesh provincial janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Nuk e di prej kur përkatësia etnike dhe përfaqësimi politik i një komuniteti u bënë sinonim i provincializmit.

E dyta, është paksa ironike që këtë e thotë një politikan që karrierën dhe mandatin e tij politik i ka ndërtuar mbi mbështetjen e një elektorati kryesisht shqiptar. Jam shumë i bindur se votuesit maqedonas nuk kanë qenë ata që ia kanë siguruar mandatin e deputetit.

E treta, nëse votimi mbi baza etnike është provincializëm, çfarë bëjmë me mekanizmin e Badenterit? A duhet ta heqim edhe atë? Sipas kësaj logjike, deputetët që votojnë si përfaqësues të bashkësive etnike qenkan provincialë, apo siç do të thoshim në gjuhën e përditshme, selakë politikë.

E katërta, nëse Gashi vërtet beson në atë që thotë dhe nuk e thotë vetëm për t’i bërë qejfin Mickoskit, me shpresën se do ta ketë mbrojtjen e tij kur të vijë puna te shkarkimi, atëherë pres që të jetë konsekuent.

Herën tjetër kur në Kuvend të votohet një ligj me Badenter, Afrim Gashi, si deputet shqiptar, le të mos marrë pjesë në votim mbi bazën e përkatësisë së tij etnike.

Se mos po na del edhe ai provincial!

Sa për zgjedhjet lokale, jam plotësisht dakord që qytetarët duhet të votojnë për kandidatin që ofron zgjidhjet më të mira për ujësjellësin, kanalizimin, rrugët dhe problemet e përditshme.

Por ka një dallim të madh mes dëshirës për ta tejkaluar votimin etnik dhe përpjekjes për ta paraqitur përkatësinë etnike si shenjë prapambeturie.

Identiteti etnik nuk është provincializëm. E aq më pak kur këtë na e thotë dikush që pikërisht falë atij identiteti ka ndërtuar një pjesë të mirë të karrierës së tij politike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments