Maqedonia po vonohet në zbatimin e reformave nga agjenda evropiane, ndërsa vendet e tjera të rajonit po përparojnë dhe po i shfrytëzojnë mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në emisionin “Tema e Ditës” në Sitel.
“Qeveria mburret me disa të ashtuquajtura arritje në agjendën reformuese, por kjo është vetëm një farsë, sepse është njësoj sikur dikush t’ju lavdërojë si nxënës, ndërkohë që e përsërisni klasën”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e ligjeve reformuese janë vonuar dhe se kjo ndikon drejtpërdrejt në përparimin evropian të shtetit.
“Ishin rreth dhjetë ligje që duhej të miratoheshin në qershor të vitit 2025, por ato nuk janë miratuar as në qershor të vitit 2026. Kjo do të thotë kohë e humbur, reforma të humbura dhe para të humbura”, tha kryetari i LSDM-së.
Filipçe shtoi se problemi nuk qëndron vetëm te miratimi i ligjeve, por edhe te fakti se ato nuk sjellin ndryshime thelbësore dhe shpesh miratohen vetëm formalisht.
“Dua të kujtoj se ligjet miratohen vetëm sa për formë, kinse për shkak të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, e më pas vetë Bashkimi Evropian i kthen ato për korrigjim. Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e di shumë mirë se kjo qeveri është antievropiane dhe e di shumë mirë se Hristijan Mickoski është njeriu që po e çon shtetin drejt izolimit dhe nuk lejon të bëhet hapi drejt hapjes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian”, theksoi Filipçe.
Ai paralajmëroi se ngecja në rrugën evropiane nënkupton humbje të mundësive ekonomike për qytetarët, veçanërisht në një periudhë kur po përgatiten mekanizma të rinj financiarë evropianë.
“Çfarë po bëjmë tani, kur po hartohet buxheti shtatëvjeçar i ardhshëm i Bashkimit Evropian? Mali i Zi tashmë po ecën përpara. Me kë po krahasohemi ne, duke pretenduar se po miratojmë ligje, ndërkohë që kemi vonesa serioze dhe qytetarët nuk kanë absolutisht asnjë përfitim prej tyre, ndërsa rajoni po përparon? Çfarë do të ndodhë me shtetin ndërkohë që rajoni ecën përpara, kurse ne stagnuojmë dhe në fakt po kthehemi prapa? Pikërisht kjo po ndodh tani”, theksoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së tha se dallimi mes Maqedonisë dhe vendeve që po përparojnë shihet edhe në mënyrën se si shfrytëzohen fondet evropiane.
“Po shohim se në buxhetin e fundit shtatëvjeçar për Malin e Zi janë ndarë 3,2 miliardë euro grante, ndërsa ne kemi vetëm 50 milionë euro, me të cilat kjo qeveri mburret. Zhvillimi i vërtetë vjen nga fondet e pakthyeshme të Bashkimit Evropian. Kështu janë zhvilluar të gjitha vendet – Greqia, Bullgaria dhe Kroacia. Ato kanë shfrytëzuar miliarda euro nga Evropa”, përfundoi kryetari i LSDM-së.
