Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai përmes një postimi në Twitter, shprehet se pati një marrëveshje, por nuk kishte nënshkrim.
Po ashtu Rama shpreson që kjo të mos jetë sipas tij, një tjetër mashtrim ballkanik.
“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka shkruar Rama në Twitter.
Tutje Rama uron protagonistët dhe uron që marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të pakthyeshëm për marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, shkruan ai.