www.telegrami.mk
Satirë për vonesat dhe ndryshimet e traseve që po i bën Qeveria Mickoski
Po Tiranë–Greqi sa orë është dhe çfarë rruge është?
Ja ku jemi! Grekët paskan nisur të ndërtojnë një rrugë Janinë–Kakavijë, 70 kilometra, 310 milionë euro, që lidh Greqinë me Shqipërinë dhe më tej me Ballkanin Perëndimor.
Por këta grekët qenkan shumë të paedukuar!
Nuk pyetën fare Mickoskin. Nuk pyetën Nikolskin.
Nuk u ulën në Shkup për të marrë leje se nga duhet të kalojë rruga. Nuk pritën ndonjë konferencë shtypi ku ministri i Transportit Nikoloski t’u shpjegonte se rruga më moderne është ajo që ndryshon trasenë sa herë që dikush në Shkup e ndryshon hartën në tavolinë.
Madje, grekët bënë edhe një gabim tjetër të pafalshëm: vendosën vetë që nga Janina të shkojnë drejt Kakavijës e Shqipërisë.
Çfarë arrogance!
Përse të mos kalojë rruga nga Manastiri, Prilepi, Ohri, Kërçova, të bëjë një xhiro panoramike nëpër Maqedoni dhe pastaj të zbresë në Tiranë?
Fundja, pse të shkosh drejt kur mund të bësh një “trasë strategjike”?
Dhe mbi të gjitha, pse të lidhësh drejtpërdrejt Greqinë me Shqipërinë kur mund ta përdorësh Maqedoninë si parking gjeopolitik?
Po Tiranë–Greqi sa orë është?
Pyetja është e thjeshtë, por në Shkup përgjigjja mund të bëhet projekt strategjik kombëtar.
Nëse rruga shkon drejt, koha shkurtohet.
Nëse kalon nga Manastiri e Prilepi, zgjatet.
Nëse futet edhe Ohri, bëhet turistike.
Nëse kalon nga Shkupi, bëhet politike.
Dhe nëse e ndryshon Nikoloski edhe një herë trasenë, mund të përfundojë në Beograd.
Kështu funksionon logjika e madhe infrastrukturore: rruga nuk ndërtohet sipas gjeografisë, por sipas konferencës së radhës për shtyp.
Grekët, për fat të keq, nuk e kanë kuptuar këtë filozofi.
Ata kanë vendosur të ndërtojnë 70 kilometra rrugë të re, me dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjence, nyje, lidhje me autostradat dhe përfundim të projektit brenda katër vitesh.
Sa primitive!
Këtu, ndërkohë, mund të zhvillosh një debat kombëtar për se ku duhet të jetë rruga, pastaj një debat tjetër se pse ndryshoi traseja, pastaj një tjetër se pse nuk ka punime, dhe në fund një konferencë ku na thuhet se “projekti është më strategjik se kurrë”.
Grekët duhet të mësojnë nga Qeveria Mickoski
Mos ndërtoni rrugë. Ndryshoni trase!
Sepse rruga mund të përfundojë.
Traseja, jo.
Por, o grekë të paedukuar, ku e keni lejen e Mickoskit?!
Ku është Aleksandër Nikoloski që t’ju shpjegojë se rrugët nuk ndërtohen sipas nevojave të qytetarëve, por sipas humorit të trasuesve të Korridorit 8?
Ju vendosët të lidhni Janinën me Kakavijën në mënyrën më të shkurtër?
Gabim!
Duhej ta pyesnit Shkupin.
Sepse këtu kemi një ekspertizë të jashtëzakonshme: një korridor mund të ndryshojë drejtim, trase, afat dhe destinacion, por gjithmonë mbetet “projekt strategjik”.
KORRIDORI 8: NGA RRUGË NDËRKOMBËTARE NË RRUGË ME “SURPRIZA”
Korridori 8 fillimisht duhej të lidhte lindjen me perëndimin.
Pastaj filluan problemet.
Traseja ndryshon.
Afatet shtyhen.
Makineritë largohen.
Projektet rishikohen.
Dhe ministri del para kamerave me fytyrë serioze për të na bindur se asgjë nuk ka ndryshuar.
Vetëm një gjë ka ndryshuar:
gjithçka.
Por mos u shqetësoni.
Sipas logjikës Mickoski–Nikoloski, edhe nëse Korridori 8 nesër kalon nga Manastiri, Prilepi, Ohri, Strumica dhe përfundon në Bullgari, prapë do të na thonë:
“Korridori 8 po ecën sipas planit.”
Cilit plan?
Këtë nuk e dimë.
Ndoshta planit të ri.
Dhe nëse plani i ri ndryshon nesër?
Do të ketë një plan edhe më të ri.
PRANDAJ, GREKË, MOS U NXITONI!
Mos bëni autostrada kaq shpejt.
Mos i lidhni qytetet drejtpërdrejt.
Mos i shkurtoni udhëtimet nga 8–9 orë në 4 orë e 30 minuta.
Kjo është shumë e rrezikshme!
Mund t’i krijojë qytetarëve përshtypjen se shteti mund të ndërtojë një rrugë brenda një afati të arsyeshëm.
Dhe pastaj shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mund të bëjnë pyetje të pakëndshme:
“Po ne, Korridori 8 kur do të ndërtohet?”
Atëherë Nikoloski do të ketë problem.
Sepse nuk mjafton më të tregosh hartën.
Duhet të tregosh rrugën.
Nuk mjafton të thuash “po punohet”.
Duhet të tregosh punën.
Dhe mbi të gjitha, nuk mjafton të ndryshosh trasenë.
Duhet të dish edhe ku po shkon.
Prandaj, herën tjetër, të nderuar grekë, para se të ndërtoni ndonjë kilometër autostradë, ju lutemi:
telefononi Mickoskin.
Pastaj telefononi Nikolskin.
Tregojuni hartën.
Prisni përgjigjen.
Dhe nëse pas kësaj ende nuk e keni ndryshuar trasenë…
atëherë vërtet nuk jeni duke ndërtuar rrugë sipas standardeve tona!
www.telegrami.mk
