15.8 C
Tetovo
E diel, 12 Maj, 2024
BallinaOpinionDritan Goxhaj / Strategjia izraelite e “Luftës totale” me Hamasin, palestinezët, botën...

Dritan Goxhaj / Strategjia izraelite e “Luftës totale” me Hamasin, palestinezët, botën dhe ne

Duke parë reagimin e vakët të botës në të cilën jetojmë ndaj vrasjeve, krimit dhe gjenocidit të pandalshëm nga ana e ushtrisë izraelite në Gaza, aty ku vdekja është ulur këmbëkryq e duket se nuk po ngopet akoma, të duket se po jetojmë në një botë të përgjumur, në një botë ku liderët botërorë, kryesisht ata perëndimorë dhe këta imituesit tanë gjithashtu, si dhe apologjetët e Izraelit, po përsërisin në kor, si tufat e zogjve që qëndrojnë në të njëjtin tel telefoni: “E drejta për t’u vetëmbrojtur”.

Por, sipas të drejtës ndërkombëtare, vetëmbrojtja i referohet të drejtës së një shteti për të përdorur forcën në përgjigje të një sulmi të armatosur, ajo që në të drejtën romake, shkruar me urdhër të Perandorit Bizantin Justiniani i Parë në shekullin e 6-shtë, njihet si “vim vi repelle licet” (lejohet zbrapsja/kundërshtimi i forcës me forcë).

Dhe kjo ishte saktësisht ajo që bëri Izraeli në dy ditët e para të sulmit nga ana e Hamasit, ndërsa ajo çfarë po bën Izraeli prej datës 10 tetor në Gaza nuk hyn më në këtë përkufizim.

Dhe nën këtë refren të “Të drejtës për t’u mbrojtur” numri i viktimave në Gaza ka mbërritur në 11,000 (njëmbëdhjetë mijë), ku 4 mijë prej tyre janë fëmijë. Ky ishte numri i civilëve të vrarë gjatë 9 muajve luftime për të rimarrë qytetin e Musulit nga ISIS-i, ndërsa në Gaza kjo shifër është arritur për vetëm një muaj. Imagjinoni sikur kjo luftë që po bën Izraeli të zgjasë për 9 muaj.

Sa do të jetë numri i civilëve të vrarë?

Me siguri do të mund të arrijë numrin e civilëve të vrarë nga serbët gjatë luftës në Bosnje.

Por kjo nuk është aspak e rastësishme. E gjithë kjo që po ndodh nga ana e IDF-së, që njihet si Lufta Totale sipas strategjisë së re ushtarake të Izraelit, po ndjek përpikmërisht parametrat e shpallur nga planifikuesit e kësaj lufte. Kjo lloj lufte nuk parasheh vetëm eleminimin e Hamasit si organizatë, por edhe zgjidhjen e problemit palestinez në Gaza, që sa vjen i ngjan asaj “Zgjidhjes Totale” të regjimit nazist që në këtë rast nënkupton eleminimin total të palestinezëve nga Gaza me sebepin e Hamasit, ashtu siç po e shpalosin dita-ditës oficerët dhe udhëheqësit ushtarakë dhe politikë izraelitë nëpërmjet intervistave të tyre, duke i konsideruar të gjithë palestinezët në Gaza si mbështetës dhe përkrahës të Hamasit.

Dhe është e vërtetë që tashmë Hamasi është kthyer në forcën e vetme që mund të mbrojë të drejtën e palestinezëve për të jetuar në trojet e tyre, në një shtet të tyrin, ashtu si edhe izraelitët.

Kjo luftë e Hamasit e bën atë të ngjashëm me organizimin e Vietkongëve në Vietnam. Ashtu si Vietkongët, edhe Hamasi po shfaqet një organizatë me kuadro të disiplinuar politikë dhe ushtarakë që veprojnë haptazi dhe fshehurazi, kurdo dhe kudo.

Normalisht që Gaza është shumë herë më e vogël se Vietnami, por ama të tentosh të çrrënjosësh një organizatë të tillë me një veprimtari të tillë politike dhe sidomos ushtarake si kjo e tanishmja është një mision i pamundur. Ndaj, për të arritur të çrrënjosësh një organizatë të tillë, duhet të eleminohen të gjithë ata 2.3 milionë palestinezë që jetojnë në Gaza, çka na sjell te ideja e Luftës Totale.

Kjo nuk duket se është një luftë thjesht për të shkatërruar tunele dhe baza komandimi të Hamasit dhe luftëtarë të tij. Është një luftë totale urbane e cila, për t’ia arritur qëllimit, duhet që patjetër ta kthejë Gazën të pabanueshme, ashtu si u kthye qyteti i Musulit në Irak nga koalicioni ndërkombëtar që luftonte kundër ISIS-it. Vetëm pasi e shkatërruan të gjithë qytetin dhe e përzunë popullsinë e Musulit në rrethinat e tij në shkretërirë, arritën ta mundin ISIS-in, sepse të vetmit që kishin mbetur në qytet ishin luftëtarët e ISIS-it.

Por në rastin tonë lind pyetja: “Ku do të shkojnë palestinezët e Gazës, në cilën rrethinë, në cilën shkretëtirë”?

Shkretëtira e vetme ku ata mund të largohen është ajo e Sinait. Dhe kjo i përket Egjyptit, që do të thotë se po dolën aty, nuk do të mund të rikthehen më sërish, pasi Gaza tani njihet si territor palestinez i pushtuar, sipas OKB-së, ndërsa pas shpërnguljes së palestinezëve në Sinai do të jetë thjesht territor izraelit, pa palestinezë në të.

Jam i bindur se kjo ndërhyrje ushtarake e Izraelit në Gaza do të studiohet në të gjitha akademitë prestigjioze ushtarake të botës, jo vetëm për mënyrën e taktikave ushtarake që palët ndërluftuese po përdorin, por besoj edhe për gjenocidin dhe krimet e luftës që po ndodhin ndaj civilëve aty.

Sado që të përpiqet Izraeli të luftojë Hamasin, nuk do të jetë asnjëherë në gjendje ta çrrënjosë atë nga palestinezët dhe kjo jo për faktin se palestinezët e duan Hamasin. Jo, as Vietkongët nuk ishin të dashur për të gjithë vietnamezët, por ama, ashtu si Vietkongët, edhe Hamasi lufton, reziston dhe tani, prej datës 27 tetor që Izraeli ka filluar operacionin ushtarak me trupa tokësore në Gaza, Hamasi jo vetëm që po reziston, por po i shkakton forcave izraelite shumë humbje, si në njerëz, edhe në teknikë luftarake.

Forcat Izraelite (IDF) në sulmin që kanë ndërmarrë ndaj Hamasit nuk janë duke përdorur ndonjë strategji të re me të cilën do arrinin të surprizonin Hamasin. IDF-ja po përdor të njëjtën strategji që përdorën amerikanët në Musul kundër ISIS-it. Ashtu si amerikanët, edhe IDF-ja e ka sulmuar Gazën nga tri drejtime të ndryshme dhe secili drejtim po kryen rrethimin e një pjese duke e ndarë Gazën në tri qendra taktike operacionale, me qëllim që ta ndajnë atë në tri pjesë të veçuara nga njëra-tjetra. Por kjo taktikë e amerikanëve në atë kohë rezultoi e pasuksesshme, pasi ISIS-i për dy vjet kishte arritur që të hapte tunele në të gjithë qytetin e Musulit dhe, pavarësisht rrethimit mbitokësor, nën tokë nuk ekzistonte një i tillë. Të gjitha forcat e tyre lëviznin lirisht në të gjithë qytetin.

Nga luftimet e deritanishme në Gaza duket qartësisht se Hamas-i i ka paraprirë këtij lloj operacioni, pasi ai ka prej vitit 2010 që ndërton tunele në Rripin e Gazës, që sipas IDF-së shtrihen në një gjatësi prej më shumë se 400 km në disa nivele thellësie.

Gjithashtu, po sipas IDF, edhe komunikimi i forcave në këto tunele është i koduar me anë të telefonëve kabllorë.

Plus, po rezulton se ashtu si Vietkongët, edhe Hamasi ka stërvitur çdo grup të tijin që të veprojë në mënyrë autonome në zonën e tyre taktike, të cilëve, ashtu si edhe Vetkongëve, u është dhënë i vetmi urdhër: Shkatërroni sa më shumë mjete dhe ushtarë të armikut!

Që nga data 27 tetor deri tani, numri i tankeve të shkatërruara nga ana e Hamasit në Gaza nëpër luftimet urbane, sipas vetë burimeve izraelite, ka arritur në 54 tanke për vetëm 10 ditë luftime. Një tank ka 5 anëtarë ekuipazhi.

Sikur, me hatër, ta zëmë se vetëm dy prej tyre kanë mbetur të vrarë, i bie që vetëm nga personeli tankist IDF-ja ka humbur 108 ushtarë.

Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe ushtarët e vrarë të këmbësorisë, numri i ushtarëve të IDF-së të vrarë vetëm në 10 ditë luftime me Hamasin në Gaza ka kaluar mbi 200, pa llogaritur këtu të plagosurit. Vetëm më datë 6 televizioni amerikan FOX News, nëpërmjet korespondentit të saj në terren që shoqëronte trupat e IDF në Gaza, raportoi 24 ushtarë të vrarë vetëm nga një batalion i forcave speciale, të cilat sipas korrespondentit ranë në një pritë të luftëtarëve të Hamasit në brendësi të një rruge në një zonë të banuar në Gaza.

Për momentin kjo është një shifër e përballueshme për Izraelin, jo vetëm se është e pakët për një popullatë prej 9 milion banorësh, por për faktin kryesor se në shumicën e forcave të këmbësorisë IDF-ja po përdor mercenarë, ku vendin e parë e zënë ukrainasit me përvojë lufte dhe pas tyre vijnë europianët me përvojë ushtarake.

Tashmë IDF-ja ka shpallur rekrutim në radhet e saj, ashtu si bëri ne 1948 edhe në luftën e Jom Kipurit. Ata që kanë përvojë lufte dhe përvojë ushtarake në forcat speciale po paguhen 3900 euro në javë, ndërsa ata që kanë vetëm përvojë ushtarake, por jo në forca speciale dhe jo lufte, paguhen deri në 2500 euro në javë, kurse ata pa përvojë fare 1000-1500 euro në javë, në varësi të asaj që dinë të bëjnë.

Tashmë që luftimet kanë hyrë në javën e dytë të tyre, deri më tani IDF-ja ka raportuar se ka kryer 156 fluturime për evakuimin e të plagosurve të saj në Gaza.

Mjafton një përllogaritje e shpejtë e bazuar vetëm mbi personelin tankist të mbetur të plagosur dhe del që numri i të plagosurve për një javë e ka kaluar 450 ushtarë dhe oficerë.

Dhe, ndërkohë, bota jonë e përgjumur vazhdon te endet si somnambul me atë që po ndodh dhe vazhdon të jetë e ndarë në kore të ndryshme, e paaftë për të ndaluar këtë masakër, sidomos perëndimi, i cili ndihet në faj dhe në detyrim ndaj Izraelit për shkak të Holokaustit.

Siç duket, ndihen të lehtësuar që arabët po paguajnë atë që perëndimi dhe veçanërisht Europa ju bëri izraelitëve në Luftën e Dytë Botërore. Civilët palestinezë dhe ushtarët izraelitë do vazhdojnë të vriten edhe më.

Dhe vërtet që ajo që po ndodh e do vazhdojë të ndodhë në Gaza do të na ndryshojë jo vetëm neve, që herët a vonë të gjithë do të marrim një anë e rrënjësisht do të ndryshojë mënyrën sesi të gjithë ne do e shohim botën në të ardhmen, por do të ndryshojë edhe botën vetë.

Dhe kjo përbën vërtet një strategji të luftës totale në të gjitha drejtimet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments