Procesi i digjitalizimit të dokumenteve personale do të nisë zyrtarisht më 28 tetor të këtij viti. Për të përfituar nga ky shërbim, qytetarët duhet të hapin një profil në portalin e shërbimeve kombëtare dhe të shkarkojnë aplikacionin vullnetar dhe falas, të njohur si “m-Shërbime”.
“Aplikacioni është pa pagesë dhe është vullnetar. Dokumentet, letërnjoftimet dhe leja e vozitjes do të vazhdojnë fizikisht të vlejnë, mirëpo gjithashtu paralelisht do të ecë edhe procesi i digjitalizimit, pra më datën 28, ato do të kenë edhe vetë mundësi të vijnë në Filarmoninë e Maqedonisë, që të shohin se si duhet të aplikojnë, si duhet të bëjnë, si duhet të zhvillojnë.”, – deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Autoritetet sqarojnë se dokumentet fizike do të vazhdojnë të mbeten të vlefshme. Megjithatë, digjitalizimi i tyre vjen si një hap i rëndësishëm evropian për t’i kursyer qytetarëve kohë, duke eliminuar nevojën e paraqitjes fizike dhe grumbullimin e turmave për marrjen e certifikatave apo dokumenteve të tjera.
“Certifikatat e lindjes, certifikata e martesës, fletëkurora që i thonë, dhe certifikatat e tjera të vijnë drejtpërdrejt përmes e-mailit, duhet vetëm t’i bëj shpejt dhe ato certifikata do të vlejnë. Dhe në këtë drejtim edhe letërnjoftimet dhe leja e vozitjes do të jenë një lehtësim.”, – theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Me nisjen e këtij shërbimi më 28 tetor, autoritetet synojnë të shmangin radhët e gjata nëpër sportele dhe t’u mundësojnë qytetarëve që dokumentet kryesore t’i kenë gjithmonë me vete, vetëm përmes telefonit të tyre inteligjent.
