11.7 C
Tetovo
E enjte, 2 Maj, 2024
BallinaLajmeDhuna në veri, komandanti i KFOR-it: Nëse nuk do të ndërhynim, tani...

Dhuna në veri, komandanti i KFOR-it: Nëse nuk do të ndërhynim, tani do t’i vajtonim të vdekurit

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, ka folur për situatën në veri të vendit, protestat e serbëve, si dhe përfshirjen e misionit të NATO-s në to.

Në një intervistë për mediumin italian “La Repubblica”, ai ka përmendur edhe 30 ushtarët e KFOR-it që u lënduan dhe plagosën më 29 maj nga protestuesit serbë, të cilët e përshkallëzuan protestën duke hedhur në drejtim të paqeruajtësve mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok-bombë, mjete eksplozive, gurë dhe shishe qelqi.

“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, u sulmuan nga guerilët frikacakë urbanë”, ka thënë Ristuccia, transmeton Klankosova.tv.

Atij nuk i shpëtoi komenti edhe për protestuesit serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të cilët theksoi se u drejtuan nga profesionistë të përshkallëzimit.

“Në qendrën e Zveçanit pati protestues profesionist të cilët qëllimisht e nxitën turmën”, ka theksuar Ristuccia.

Ndërsa, për praninë e KFOR-it në protestat që filluan nga e premtja e javës së kaluar, u shpreh: “Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të mbanim zi për të vdekurit”.

Lidhur me zhvillimet në Kosovë foli edhe shefi i Ristuccias, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate (KFBA) të NATO-s në Napoli, Stuart B. Munsch.

Bile ky i fundit e vizitoi sot Kosovën. Me anë të një cicërime në Twitter, ai deklaroi se në takimin që e pati me Ristuccian folën për planet dhe operacionet e ardhshme për të ruajtur, me paanshmëri ndaj të gjitha palëve, një mjedis të sigurt në Kosovë, në përputhje me mandatin e KFOR-it, ka njoftuar KFBA e NATO-s në Napoli.

Diskutimet e tyre, sipas njoftimit, përfshinin angazhimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe angazhimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë.

Munsch ka vlerësuar largpamësinë dhe veprimet e KFOR-it në parandalimin e lëndimeve dhe humbjeve të jetëve nga dhuna e 29 majit në Kosovë.

Ai është takuar me ushtarët e KFOR-it nga Hungaria dhe Italia, të cilët janë lënduar në dhunën e 29 majit në Zveçan gjatë kryerjes së misionit të tyre sipas mandatit të KFOR-it të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.

Protestat në tri qytetet veriore kanë nisur si kundërshtim nga serbët e asaj zone për praninë e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Nga kjo u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, një zyrtarë i Policisë së Kosovës, si dhe ndodhën 19 sulme ndaj ekipeve mediale. /Klankosova.tv

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments