Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj 11 personave dhe një institucioni privat shëndetësor, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, falsifikim të dokumenteve afariste dhe pastrim parash. Sipas MPB-së, përmes faturave me përmbajtje të rreme, institucioni dyshohet se ka marrë pagesa për të njëjtat operacione të syve si nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ashtu edhe nga pacientët. Dëmi i dyshuar ndaj Fondit arrin në rreth 1.7 milionë euro, ndërsa nga mënyra e dyfishtë e pagesës dyshohet se janë dëmtuar 3.000 deri në 4.000 pacientë.
Tetë persona janë privuar nga liria në aksionin policor të zhvilluar sot në kuadër të një hetimi për dyshime për krim financiar në sektorin shëndetësor. Aksioni është realizuar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale, janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup dhe nga një lokacion në Tetovë dhe Kumanovë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar rreth 50.000 euro para të gatshme, si dhe telefona celularë.
Si funksiononte skema e dyshuar?
Sipas kallëzimit penal, në vitin 2020, dy drejtorë të atëhershëm të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, së bashku me një përfaqësues të një institucioni privat shëndetësor, dyshohet se kanë lidhur kontratë në kundërshtim me procedurat dhe aktet e brendshme të Fondit. Për parregullsi gjatë miratimit të kontratës dyshohet edhe kryetari i atëhershëm i Bordit Drejtues.
Më pas, sipas policisë, përmes futjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të Fondit dhe përgatitjes së faturave me përmbajtje të rreme, institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime dy herë.
Pacientët, përveç pjesëmarrjes së paraparë me ligj në pagesë, dyshohet se kanë paguar edhe çmimin e plotë privat për operacionet e syve. Sipas kallëzimit, atyre u është fshehur fakti se të njëjtat shërbime po paguheshin edhe nga Fondi.
MPB: Shkeljet nuk janë raportuar dhe kontrollet janë vonuar
Një nga të dyshuarit, drejtori i Sektorit për Kontroll në Fond, dyshohet se nuk i ka dërguar raportet për parregullsitë e konstatuara te komisioni kompetent dhe ka vonuar kontrollet e rregullta. Sipas Policisë, kjo ka mundësuar shmangien e gjobave shtesë kontraktuale dhe të ndërprerjes së mundshme të kontratës.
Dy udhëheqëse të Shërbimit Rajonal të Fondit në Shkup dyshohet se nuk kanë mbikëqyrur arkëtimin e gjobave të shqiptuara dhe nuk i kanë njoftuar shërbimet përgjegjëse. Si pasojë, pagesat ndaj institucionit shëndetësor kanë vazhduar pa u zbritur borxhet e tij.
Në njoftimin e MPB-së thuhet:
„Në bazë të kontratës, përmes futjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe përgatitjes së faturave me përmbajtje të pavërtetë, institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime si nga Fondi, ashtu edhe nga pacientët. Pacientëve, përveç pjesëmarrjes ligjore, u është kërkuar edhe pagesë me çmim privat për operacionet, duke u fshehur fakti se shërbimet paguheshin edhe nga Fondi.”
Dëmi: 1,7 milionë euro për Fondin, 4,25 milionë euro përfitim i dyshuar
Sipas të dhënave të paraqitura në kallëzimin penal, dëmi i dyshuar ndaj buxhetit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor arrin në 104.818.754 denarë, ose rreth 1,7 milionë euro, për pagesa të kryera mbi bazën e faturave fiktive.
Përveç kësaj, dyshohet se nuk janë arkëtuar edhe 525.000 denarë, rreth 8.500 euro, nga gjobat kontraktuale.
Policia dyshon se gjatë periudhës 2022–2025, institucioni privat shëndetësor ka përfituar kundërligjshëm 261.271.961 denarë, ose rreth 4,25 milionë euro.
Ekzistojnë gjithashtu dyshime se paratë e paguara nga Fondi, për të cilat personat përgjegjës në institucionin shëndetësor dyshohet se e dinin se buronin nga vepra penale, janë futur në qarkullimin financiar, janë regjistruar në llogari të ndryshme kontabël dhe janë përdorur për paga, furnizime dhe pagesa të tjera.
MPB-ja vlerëson se nga skema e dyshuar e pagesave të dyfishta janë dëmtuar 3.000 deri në 4.000 pacientë.
Kush janë personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal?
Kallëzimi penal përfshin 11 persona fizikë dhe një person juridik, për vepra të ndryshme penale:
- D.D. (60), nga Shkupi; O.R. (66), nga Tetova; dhe S.B. (59), nga Shkupi – dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
- R.A. (45), nga Kumanova – dyshohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim.
- Z.A. (35), nga Shkupi – dyshohet për falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë.
- V.Q. (47) dhe S.A. (40), nga Shkupi, si dhe G.A. (33), shtetas i Shqipërisë – dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe mashtrim në shërbim.
- C.S. (47), Zh.S. (58) dhe I.P. (49), nga Shkupi – dyshohen për punë të pandërgjegjshme në shërbim.
- Një institucion privat shëndetësor në Shkup – dyshohet për pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale.
Hetimi përfshin dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, punë të pandërgjegjshme, falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë, mashtrim në shërbim dhe pastrim parash. Procedura është në fazën e hetimit dhe kallëzimi penal paraqet dyshimet e autoriteteve. Përgjegjësia penale e personave të përfshirë duhet të vërtetohet në procedurë gjyqësore.
