Koronavirusi mund të jetojë deri në 3 ditë në disa sipërfaqe, si plastika dhe çeliku. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar këtë të martë në në “New England Journal of Medicine”. Ekspertët thonë se rreziku që konsumatorët të infektohen nga prekja e këtyre materialeve gjithsesi është i ulët, por për herë të parë kanë dalë paralajmërime shtesë për kohën që virusi qëndron në ajër, gjë që mund të ketë pasoja sidomos për punonjësit e mjekësisë.
Studimi i ri vëren se virusi shpërbëhet brenda një dite në një sipërfaqe kartoni, duke zvogëluar shqetësimin mes konsumatorëve për dërgesat, apo se zarfet do të përhapin virusin gjatë periudhës së qëndrimit dhe punës nga shtëpia. Në karton mbijeton deri në 24 orë duke bërë që pakot që mbërrijnë me postë të kenë vetëm nivele të ulëta të virusit – përveç nëse personi që e ka prekur të mos jetë kollitur apo të ketë teshtirë mbi të gjatë transportit.
“Kur virusi tretet në ajër në pika më të vogla se 5 mikrometra – të njohura si aerosolë – ai mund të qëndrojë pezull në ajër për rreth një gjysmë ore”, – thanë studiuesit, – dhe më pas bie poshtë dhe shtrohet në një sipërfaqe ku mund të jetojë edhe për orë të tëra”. Ky përfundim për aerosolin është në kundërshtim me qëndrimin që po mban aktualisht Organizata Botërore e Shëndetësisë që virusi nuk transportohet nga ajri.
Virusi jeton më gjatë në plastikë dhe çelik, duke mbijetuar deri në 72 orë. Por përqendrimi i virusit zvogëlohet ndjeshëm gjatë kësaj kohe. Nuk mbijeton në sipërfaqe bakri ku reziston vetëm 4 orë.
“Në teori çdo sipërfaqe që mund të prekim mund të jetë e kontaminuar me virusin. Që nga qeset në supermarket deri te ushqimet e paketuara apo ato që na vijnë delivery nga restorantet” – thotë Dr. Linsey Marr, e cila nuk ishte anëtare e ekipit hulumtues, por është një eksperte në transmetimin e viruseve nga aerosoli në “Virxhinia Tech” në Blacksburg.
“Ne mund të çmendemi duke diskutuar mbi këto “nëse prek këtë apo atë” sepse të gjitha janë një burim i mundshëm, kështu që ne duhet të përqendrohemi në rreziqet më të mëdha” – shton ajo.
“Nëse njerëzit janë të shqetësuar për rrezikun, ata mund të pastrojnë pakot me dezinfektues dhe të lajnë duart”, – tha ajo.
Është e paqartë se pse kartoni është një mjedis më pak mikpritës për virusin sesa plastika ose çeliku. Kjo mund të shpjegohet me thithjen ose cilësinë fibroze të paketimit në krahasim me sipërfaqet e tjera. Nëse virusi mund të mbijetojë dhe të mbetet infektues në ajër është një element mjaft i rëndësishëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Për javë të tëra ekspertët kanë pohuar se virusi nuk qëndron në ajër. Por në fakt, ajo mund të udhëtojë në ajër dhe të qëndrojë pezull për rreth gjysmë ore. Virusi nuk mbetet në ajër në nivele të larta të mjaftueshme për të qenë një rrezik për shumicën e njerëzve që nuk janë fizikisht afër një personi të infektuar, por procedurat që punëtorët e kujdesit shëndetësor përdorin për t’u kujdesur për pacientët e infektuar ka të ngjarë të gjenerojnë aerosole.
“Punëtorët e kujdesit shëndetësor mund të mbledhin ato pikëza të vogla, por dhe më të mëdha në veshjet e tyre mbrojtëse kur punojnë me pacientë të infektuar. Ata mund të infektohen me këto pika të mëdha dhe të vogla kur heqin pajisjet mbrojtëse dhe të ekspozohen ndaj virusit” – tha Dr. Marr.
Për të vlerësuar aftësinë e virusit për të mbijetuar në ajër, studiuesit krijuan atë që përshkruhet si “eksperimenti në kushte të kontrollueshme”. Në këtë laborator virusi mbijetoi dhe mbeti infektues deri në 3 orë, por aftësia e tij për të infektuar ra ndjeshëm gjatë kësaj kohe.
Sipas studimit aerosolet mund të qëndrojnë në ajër vetëm rreth 10 minuta, por Dr. Marr nuk pajtohet me atë vlerësim dhe thotë që ata mund të qëndrojnë në ajër për 3 herë më gjatë. Sipas saj, lëngjet e mukusit dhe të frymëmarrjes të njeriut mund të lejojnë që virusi të mbijetojë më gjatë sesa lëngjet laboratorike që studiuesit përdorën për eksperimentet e tyre.
Sipas tyre koronavirusi i ri nuk duket se është më i aftë të mbijetojë për periudha më të gjata se “kushërinjtë e tij” të ngushtë SARS dhe MERS, që shkaktuan epidemi të mëparshme. ©Përktheu LAPSI.al