Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka firmosur një dekret për të shpallur gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë si një nga masat e ndërmarra për frenimin e përhapjes së CoVid-19.
Firmosja e dekretit ka ardhur pas mbledhjes që u zhvillua mbrëmjen e djeshme me Këshillin e sigurimit. Thaçi i është drejtuar parlamentit të Kosovës duke thënë se dekreti i tij duhet të ratifikohet. Kërkesën e tij e ka postuar edhe në Twitter ku shkruan:
“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sotëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i # COVID19. Unë i bëj thirrje parlamentit të bashkohet e ta ratifikojnë atë”, ka shkruar presidenti.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë në konferencën për medie se kryeministri Albin Kurti nuk është dakord që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.