8.1 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaLajmeÇAIRI I MASKAVE DHE ARMËVE! Vjedhje të shumta, pak raste të zbuluara

ÇAIRI I MASKAVE DHE ARMËVE! Vjedhje të shumta, pak raste të zbuluara

Nga janari i këtij viti e deri në fund të korrikut, në MPB janë lajmëruar rreth 140 vjedhje, në ndërkohë janë gjetur kryerësit e vetëm 10 vjedhjeve. Vjedhja e armatosur e fundit në barnatoren “AL-NE”, në lagjen “Xhon Kenedi” shkaktoi viktimën e parë. 40-vjeçari Ali Skenderi ndërroi jetë, ndërsa në MPB thonë shkurt: “vazhdojnë hetimet, sapo të kemi informacione – do të njoftojnë opinionin”

Arbër KADRIU

Shkup, 23 shtator – “Vazhdojnë hetimet” është përgjigja e shkurtër që Ministria e Punëve të Brendshme jep për vjedhjen e së mërkurës mbrëma në barnatoren “AL-NE”, në lagjen “Xhon Kenedi” të Çairit, ku pas grabitjes, pronari i barnatores, 40-vjeçari Ali Skenderi, ndërroi jetë nga stresi. “Sapo të kemi informacione, do të njoftojnë opinionin”, thonë në MPB. I ndjeri Ali Skenderi la pas vetes katër fëmijë, tri vajza të mitura dhe djalin e sapolindur. Megjithatë, vjedhja e barnatores “AL-NE” nga persona të maskuar nuk është grabitja e vetme në Çair. Krahasuar me komunat tjera në Shkup, Çairi kryeson me vjedhje të rënda, por edhe me raste të pazbuluara nga policia e vendit.

Nga janari i këtij viti e deri në fund të korrikut, në MPB janë lajmëruar rreth 140 vjedhje, në ndërkohë janë gjetur kryerësit e vetëm 10 vjedhjeve. Pak ditë më parë, në këtë Komunë, konkretisht në lagjen Shkup-Veri, në afërsi të shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov”, u vodh marketi i Said Jusufit. Madje, brenda 10 ditëve, ky market u vodh dy herë. Herën e parë, hajnat e maskuar dhe të armatosur me forcë dhe nën kërcënimin e armëve kishin marrë mall në vlerë prej 1700 euro, ndërsa herën e dytë, ishin vjedhur cigare në vlerë prej 3500 euro. I gjithë rasti ishte filmuar nga kamerat e sigurisë dhe të njëjtat i janë dorëzuar edhe policisë, por hajnat nuk janë gjetur akoma. Madje, Said Jusufi, në një deklaratë për mediat, ka akuzuar se policia sigurisht i ka të njohur hajnat, pasi aq kohë sa ka kaluar nga dy vjedhjet e marketit të tij, nuk ka asnjë përgjigje nëse të njëjtit janë kapur apo se do t’i kompensohet malli i vjedhur.

Viktima të hajnave në Çair nuk janë vetëm dyqanet. Së fundmi është rritur edhe numri i vjedhjeve në shtëpi dhe banesa. Vetëm në Komunën e Çairit mund të shihen mbrojtëse hekuri në ballkonet dhe dritaret e banesave të kateve të para të ndërtesave. Banorët ndërkohë shprehin shqetësim për vjedhjet e shumta, ndërsa akuzojnë MPB-në se ka lënë anash kontrollet dhe gjetjen e hajnave në këtë Komunë.

“Është situatë e palakmueshme dhe e frikshme, pasi kemi frikë të lëmë shtëpitë vetëm. Jeta në Çair është shndërruar në jetë frike, pasi hajnat të hynë të armatosur dhe ti detyrohesh që, përveç t’u japësh gjithçka që ke me vlerë, por edhe të lutesh për jetën tënde. Policia po shihet se nuk ka interesim për të gjetur hajnat, pasi në Shkup-Veri dhe në lagjet tjera, ka kohë që nuk shihen patrullime të policisë, sidomos natën”, thotë Nurjameti, banor i lagjes Shkup-Veri në Çair. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme akoma nuk ka një statistikë zyrtare se sa vjedhje të armatosura janë kryer në Çair, por vetëm thonë se “vjedhjet e rënda kanë shënuar rënie krahasuar me vitet e mëparshme”. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments