13.2 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaLajmeBujar Osmani i zhgënjyer nga situata në Bullgari – “Duhet ta presim...

Bujar Osmani i zhgënjyer nga situata në Bullgari – “Duhet ta presim Qeverinë politike, do të vazhdojmë me negociatat”

Pasi Bullgaria hyri në kaos politik sepse sërish nuk mund ta formojë Qeverinë e re, edhe më shumë thellohet pasiguria sa u takon negociatave mes vendit dhe fqinjit tonë lindor. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani shprehet i zhgënjyer që edhe pas zgjedhjeve të dyta, Bullgaria nuk arriti të formojë Qeveri, e me këtë edhe institucione politike të cilat do t’i vazhdonin negociatat.

“Për fat të keq lajmet që vijnë nga Bullgaria nuk janë inkurajuese në pjesën e formimit të institucioneve për shkak se, siç theksoj shpesh, dukshëm kjo u tregua si faktor i rëndësishëm në gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e dallimeve që janë arsyeja për këtë bllokadë joparimore të perspektivës sonë evropiane. Ne ishim në pritje se në këtë përpjekje të dytë do të ketë institucione që të mundemi të komunikojmë në atë pjesë politike dhe të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Osmani.

Edhe përkundër zhvillimeve të këtilla, Osmani ende është optimist dhe thotë se mund të ketë rezultat pozitiv në Samitin e BE-së që do të mbahet më 6 tetor. Por, sa është e mundshme kjo, jo vetëm në tetor, por edhe në Samitin e Punëve të Përgjithshme në dhjetor kur sillen vendime për start të negociatave?

“Gjendja në Bullgari është deri në atë nivel që vendimi të mos sillet pa u formuar institucionet. Megjithatë ne vazhdojmë, do të vazhdojmë të komunikojmë siç kemi komunikuar ditët e mëparshme në nivel të ekspertëve me MPJ dhe me Qeverinë teknike atje, duke u bindur se nuk duhet që rajoni dhe perspektiva evropiane të jenë peng i dinamikave të brendshme politike në cilindo vend anëtarë”, shtoi Osmani.

Pasi që partia “Ka popull të tillë” e Sllavi Trifunovit hoqi dorë nga formimi i Qeverisë, partia e dytë që duhet të marrë mandatin është ajo e Bojko Borisovit, nga ku paralajmëruan se edhe ata do ta kthejnë mandatin.

“Nëse vjen radha jonë që ta marrim mandatin, do t’ia propozojmë grupit parlamentar nënkryetarin Dani Mitov dhe do ta prezantojmë para Presidentit përbërjen e kabinetit që njerëzit të mund të bëjnë krahasim mes asaj që propozojmë ne dhe të gjithë të tjerët. Dhe menjëherë do ta kthej mandatin”, tha Borisov.

Qorrsokaku politik në Bullgari edhe më tepër e rrit pasigurinë që Maqedonia të fillojë negociatat me BE për shkak të bllokadës nga ana e Sofjes zyrtare. Paralajmërohet se së shpejti Bullgaria do të duhet për herë të tretë të organizojë zgjedhje parlamentare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments