Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë ka reaguar pas njoftimit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, sipas të cilit uji në Poroj, Xhepçisht, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël nuk është i sigurt për pije. Nga BDI-ja kërkojnë që menjëherë të publikohen analizat e plota të Institutit të Shëndetit Publik, duke vlerësuar se, në mungesë të një raporti zyrtar, njoftimi ngre dyshime se po përdoret për ushtrimin e presionit ndaj banorëve, raporton KOHA.
Sipas Degës së BDI-së në Tetovë, NPK “Sharri” i ka alarmuar banorët e këtyre katër vendbanimeve se uji nuk është i sigurt për konsum, por nuk ka publikuar asnjë raport zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik që do ta dëshmonte një pretendim të tillë.
Nga kjo parti theksojnë se, në të kaluarën, ka qenë praktikë që raportet origjinale të publikoheshin me të gjitha të dhënat përkatëse, përfshirë datën dhe vendin e marrjes së mostrave, parametrat mikrobiologjikë, si dhe praninë eventuale të baktereve, parazitëve apo mikroorganizmave të tjerë të dëmshëm.
Në BDI vlerësojnë se një çështje kaq serioze, e cila lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, nuk mund të trajtohet vetëm nëpërmjet një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, pa u shoqëruar me dokumentacionin përkatës të institucionit kompetent.
“Kërkojmë publikimin e menjëhershëm të analizave të plota të ISHP-së, veçmas për secilin vendbanim. Qytetarët duhet të dinë çfarë është konstatuar dhe cilët parametra kanë rezultuar jashtë standardeve”, thuhet në reagimin e Degës së BDI-së në Tetovë.
Nga kjo parti paralajmërojnë se, nëse raportet zyrtare nuk publikohen, lind dyshimi i arsyeshëm se frika për shëndetin e qytetarëve po përdoret si formë presioni për t’i futur këto vendbanime në sistemin e faturimit të NPK “Sharri”.
BDI-ja pretendon se ujësjellësit në Poroj, Xhepçisht, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël janë financuar dhe vazhdojnë të mirëmbahen nga vetë banorët, ndërsa njoftimi për pasigurinë e ujit mund të përdoret si mjet për t’i detyruar ata të hyjnë në sistemin e faturimit të ndërmarrjes publike.
“Nëse raportet nuk publikohen, lind dyshimi i arsyeshëm se frika për shëndetin po përdoret si presion për t’i futur këto vendbanime në sistemin e faturimit të NPK ‘Sharri’, megjithëse ujësjellësit e këtyre vendbanimeve janë financuar dhe po mirëmbahen nga vetë banorët”, theksohet më tej në reagim.
Dega e BDI-së në Tetovë paralajmëron edhe ndërmarrjen e hapave ligjorë nëse konstatohet se alarmi për cilësinë e ujit ka qenë i rremë dhe nuk është mbështetur në analiza të dokumentuara nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Nëse rezulton se ky ka qenë alarm i rremë, pa bazë të dokumentuar nga Instituti kompetent, si subjekt politik do të paraqesim kallëzim penal kundër personave përgjegjës dhe do të kërkojmë përgjegjësi të plotë ligjore”, thuhet në reagim.
Në përfundim, Dega e BDI-së në Tetovë kërkon transparencë të plotë nga NPK “Sharri” dhe publikimin e dokumenteve zyrtare mbi cilësinë e ujit për secilin nga katër vendbanimet.
“Frikësimi i qytetarëve nuk mund të përdoret si mjet për shantazh dhe inkasim të parave”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Tetovë
