15.7 C
Tetovo
E hënë, 29 Prill, 2024
BallinaLajme“Balanseri”, halë në sy për VMRO-në, po çka i pengon opozitës shqiptare...

“Balanseri”, halë në sy për VMRO-në, po çka i pengon opozitës shqiptare te rritja e përfaqësimit të shqiptarëve që ka sjellë “balanseri”?

-Që me heqjen e “balanserit” VMRO-ja don ta kthejë pabarazinë e mëparshme, s’është çudi, don të heqë Hasanin, të futë në punë Mitren e VMRO-së, po a s’e sheh opozita shqiptare këtë qëllim që po rreshtohet njësoj për heqjen e tij, me të cilën u rrit përfaqësimi i shqiptarëve në administratë?

Ujku e ndërron qimen, por, tabihatin assesi! Këto zgjedhje po në tregojnë se kjo urtësi popullore asnjëherë nuk del nga “moda”, sepse në politikën tonë me shumë pluhur e tymnajë, dikush kujdeset për ta vërtetuar.

Një nga ato subjekte që përshtatet bukur me këtë fjalë të urtë, është VMRO-DPMNE-ja, me të cilën që nga themelimi lidhet imixhi i partisë nacionaliste, ku vend “të merituar” ka pasur edhe antishqiptarizmi dhe “izma” të tjerë. Nuk është se dikush ia mveshë këto me qëllim të njollosjes së saj, por është vetë ajo parti e cila, jo vetëm që dëshiron të konceptohet si e tillë para publikut të vet elektoral(me logjikën se kështu shitet më mirë në mungesë të gjërave tjera që do të ishin më me interes për shtetin dhe popullin), por dhe, duket se ka një frymë të tillë që kultivohet si përcaktim programatik! Si një lloj misioni historik, me gjasë, nga i cili krerët e kësaj partie nuk heqin dorë!

Ndaj, edhe kur gjërat evoluojnë si rezultat i proceseve të natyrshme që botën e çojnë përpara, te VMRO-ja përherë është ai “freni” që duan ta ndalin rrotën e historisë, madje që “trenin” ta kthejnë prapa! Më e reja nga kjo frymë është qëllimi i deklaruar i partisë së Mickoskit që të heqin “balanserin”, një mekanizëm ligjor me të cilin gjatë punësimeve në administratë, mbahet llogari për përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në vend.

Kur këto ditë themelohej koalicioni Fronti Europian, ku përveç partive më të mëdha shqiptare, si BDI, ASH, PDSH dhe disa të tjera, u kyçun edhe parti të turqve, romëve, boshnjakëve(me pretendime që Fronti madje dhe të zgjerohet), një nga gjërat që u apostrofua për ndryshimet që i ka sjellë veprimi i BDI-së dhe Ali Ahmetit, këto dy dekada e gjysmë, është se në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit dhe në gjithë frymën që ka sjellë ajo, vendin e tyre e kanë gjetur edhe bashkësitë më të vogla etnike, që nuk kanë mundur të vijnë në shprehje më parë.

Në këtë kontekst, një nga përfitimet konkrete dhe të dukshme janë konkurset e organeve të administratës, ku paevitueshëm mbahet llogari për përfaqësimin etnik, jo vetëm për maqedonasit dhe shqiptarët, si të dy bashkësive më të mëdha, por dhe për të tjerët. Dhe krejt kjo, bëhet përmes të ashtuquajturit mekanizëm të “balanserit”, i cili imperativin e përfaqësimit e bën në mënyrë automatike. Falë kësaj, kemi dhe rritjen e ndjeshme të përfaqësimit në baza etnike, si një mënyrë të arritjen së shkallës më të lartë të barazisë.

Po pse atëherë po i pengon “balanseri” VMRO-së? Përse ky reaktualizim tash në këtë fushatë zgjedhore?

Nuk do shumë mend se kjo parti po u kthehet rrënjëve të veta të viteve ‘90-të kur i pengonte çdo kërkesë e shqiptarëve për barazi, kur me ngulm luftonte kundër arsimit të lartë në gjuhën shqipe, kur shqiptarët i vuri në shënjestër për gjithçka…Dhe tash, kur nuk mund të pajtohet me faktin se shqiptarët kanë zënë pozicione më të forta në sistem, kjo gjë nuk mund të pranohet si fakt nga VMRO-ja. Sikundër që i pat bërë obstruksione Marrëveshjes së Ohrit që në kohën e ndryshimeve kushtetuese, edhe pse nënshkruese e saj, edhe tash, dëshiron të rrënojë një nga shtyllat e barazisë nacionale e sociale, këtë të përfaqësimit të barabartë, përmes heqjes së mekanizmit ligjor të “balanserit”.

Nuk do mend se, te “balanseri” ka ndonjë gjë që duhet të ndryshojë për të evituar çdo keqpërdorim të tij, siç kanë bërë në disa raste kur vetëm për t’u punësuar, dikush deklarohet shqiptar, ose anasjelltas, por heqja e tij, është si të nxjerrësh djallin prej shishe, me çka gjitha të arriturat pozitive i kthen në “rikverc”!

“Ambalazhimi” i këtij qëllimi për gjoja eliminimin e “punësimeve partiake” është vetëm për të mbuluar qëllimin e vërtetë. Nëse BDI-ja paska bërë punësime partiake, shtrohet pyetja, çfarë punësimesh ka bërë VMRO-ja në vitet kur ka qenë në pushtet? Ose, çfarë punësimesh mëton të bëjë kur të vijë? Ka një fjalë të bukur boshnjake, “zbrit Haso, të hipë Huso!” dhe kjo është logjika me të cilën ndiqet Mickoski dhe partia e tij. Më qesharakja është teza se kuadrot që ka futur BDI-ja nuk janë të aftë, që do të thotë se kuadrot (partiake, gjithsesi) që ka futur dhe do të futë VMRO-ja, janë profesionalisht më në nivel! Aman, po kujt i shitet kjo?! Ky është qëllimi i Mickoskit, që në vend të përfaqssimit etnik, parapëlqen atë “të cilësisë”?

Por nuk është krejt qëllimi të hiqen “partiakët” e BDI-së, por të zvogëlohet përfaqësimi i shqiptarëve, sepse ata nuk mund ta konceptojnë një Maqedoni të të barabartëve, por një “Maqedoni të maqedonasve”, pavarësisht kontekstit historik që ka kjo moto e vjetër, kur me maqedonas janë konsideruar të gjithë ata që jetojnë në Maqedoni…

Kjo është ajo që i dhemb VMRO-së te “balanseri”, po çka ka opozita shqiptare që po rreshtohet në të njëjtin qëllim?! A nuk po e djeg veten pa vetëdije kjo opozitë, duke koketuar me një VMRO që kërkon rishikim të zgjidhjeve avancuese? Çfarë porosie i japin votuesit të tyre, se për të ardhur në pushtet, do t’i ndihmojnë VMRO-së në gjithçka, se pa VMRO-në “nuk ka jetë” për ta?

Çka do të ndodhë nëse vërtet hiqet “balanseri”?

Të jemi të qartë, me heqjen e “balanserit”, do të kthehen përpjesëtimet e pafavorshme në përfaqësim, me pabarazi të theksuar. Përkundër ndonjë keqpërdorimi në të kaluarën, të paktën përmes tij ka një imperativ të shkruar për përfaqësimin e drejtë e adekuat në administratë dhe ka një kontroll për të mos lejuar ekspanzion të punësimeve nga parti që mezi presin t’i fusin njerëzit e vet pa kurrfarë kontrolli, siç ka ditur të bëjë në veçanti VMRO-ja. Ndaj, partitë shqiptare në të ardhmen duhet të punojnë në eliminin e dobësive që janë shfaqur në praktikë, e jo t’i ndihmojnë VMRO-së që ta heqë krejtësisht, me çka më nuk do të ndalej pabarazia e përfaqësimit në administratë dhe gjithë sektorin publik. . Me gjithë dobësitë që mund t’i ketë, balanseri,sipas të dhënave të Avokatit të Populli, ka sjellë që vetëm për një vit, nga 20,6 për qind sa ishte në vitin 2022, përqindja e shqiptarëve të rritet në 21,4 për qind, në vitin 2023, që i afrohet përqindjes së shqiptarëve rezidentë sipas regjistrimit të fundit. E njëjta gjë sigurisht vlen edhe për bashkësitë tjera më të vogla.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments