ASH/ Mësimi online nuk po rezulton i suksesshëm

169

Ka më shumë se një muaj që mësimi nuk po ndiqet në mënyrë të rregullt për shkak të rrezikut nga koronavirusi në vend. Megjithëse Ministria e Arsimit premtoi shumë, si masë të vetme deri më tani është mësimi online i cili nuk po rezulton i suksesshëm. E gjithë kjo për shkak të pamundësisë ekonomike dhe teknike që jo çdo nxënës mund ta realizojë!”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët. Nga kjo parti nënvizojnë se me më 27 mars 2020 me kërkesë të tijën ministri i arsimit ka pranuar listat e nxënësve të cilët për shkak të gjendjes sociale-ekonomike nuk janë në gjendje të ndjekin mësimin online, me qëllim që për ta ministria të sigurojë mjete mësimore elektronike për komunikim.

“Edhe pse kërkesa e ministrisë gjeti përgjigje brenda 24 orëve, fatkeqësisht nxënësit ende nuk janë pajisur me mjetet që u janë premtuar dhe një numër i madh prej tyre ende nuk kanë ndjekur as edhe një orë mësim online! Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjidhje të menjëhershme të rastit, sepse nuk është koha për premtime boshe të BDI-së, praktika e të cilës nuk ka të ndalur as në gjendje të jashtëzakonshme! Para se të ndërmerren masa duhet të bëhet analiza se sa të aplikueshme janë në praktikë dhe sa realisht sjellin rezultate ato masa”, thuhet në reagim.

Nga kjo parti më tej kërkojnë nga institucionet përkatëse që nxënësit të trajtohen njëjtë dhe urgjentisht të sigurohen mjete elektronike për të gjithë.