ASH: Masat e qeverisë i shkelin vetë funksionarët, dënimet i paguajnë vetëm qytetarët!

170

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar në lidhje me situatën me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili doli se është infektuar me Covid-19. Nga kjo parti thonë se qeveritarët po i shkelin vetë rregullat që i vendosin dhe pasojat po i vuajnë qytetarët, informon Koha.mk

“Derisa Qeveria gjatë tërë kohës apelonte të ngritët vetëdija e popullit për të ruajtur shëndetin publik është e pajustifikueshme sjellja e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili me vetëdije të plotë ka rrezikuar shëndetin e të tjerëve duke mundësuar përhapjen e virusit!
Si pasojë, ligji vlen njëjtë për të gjithë prandaj në bazë të nenit 205 nga Kodi Penal për veprën penale
kundër shëndetit të njeriut duhet të kërkohet përgjegjësi penale nga kryetari Maksim Dimitrievski.
Sjellja e tillë, pikërisht nga njerëz që kanë për obligim stabilizimin e gjendjes veç se e prolongon situatën dhe zgjat gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e ASH-së

Më tej, në reagimin e ASH-së thuhet se sipas gjitha parametrave shëndetësore nga masat e marra deri më tani, është dashur që ngadalë të fillojë zbutja e masave, por fatkeqësisht jemi dëshmitar të rritjes konstante të numrit të të prekurve gjë që pamundëson kthimin e gjendjes normale në vend.

ASH po ashtu kërkon përgjegjësi morale dhe institucionale nga të gjithë që rrezikojnë shëndetin publik pa dallim. “Nuk guxojmë të bëhemi dëshmitar të mosrespektimit të masave pikërisht nga njerëz që i sjellin ato masa, ndërkaq ndëshkimet t’i paguajnë vetëm qytetarët”, thonë nga ASH-ja.