ASH-AAA: Sot, BDI pranoi dështimin dhe thelloi mashtrimin, në tetor pastrohen komunat shqiptare prej mbetjeve të tyre

31

Reagimi i plotë nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa

Nëntembëdhjetë vite në skenën politike kurrë nuk u muar vesh të kujt provinience politike janë. Të djathtë apo të majtë. Populli thotë as mish as peshk, e tek pritëm të jenë mish apo peshk na dolën sallata e hudhra.
Asgjë e re e aq më pak e mirë nuk erdhi, as në skenën politike, e as për qytetarët. Sot BDI hoqi dorë nga statusi i UÇK-së, nga barazia e shqiptarëve, nga drejësia, nga kryeministri shqiptar dhe nga gjithçka që kishte premtuar.

Stili i vjetër i mashtrimit dhe hipokrizisë vazhdon. Një parti e dalë nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, sot po tenton të mashtrojë qytetarët dhe në veçanti shqiptarët me ngjyrën e gjlëbër. Ende pa zgjidhur probleme kombëtare apo tematike siç pretendojnë t’i quajnë ata, sot thanë se do të merren me punë të gjelbëra. Ramiz Merko çdo ditë pret drunjë e uzurpon hapësira të gjelbëra, ndërsa Ahmeti flet për ambient. Sot Tetova s’ka ujë për pije dhe ka ajër të ndotur, ndërsa Ahmeti flet për jetë cilësore. Sot Çairi ka kaos urbanistik, pa ujësjellës dhe pa kanalizim, ndërsa Ahmeti flet për ekologji. Sot Komuna e Likovës jeton pranë pendës, por pa ujë, ndërsa Ahmeti flet për ujëra dhe gjelbërime.

Uji sot keqpërdoret gjithandej nga hidrocentralet, biznese të funksionarëve të BDI-së e kryetari i tyre pa fije turpi derdh lotë krokodili për ujë për pije.
Partia që dështoi me integrimet evropiane, sot në vend se të dorëhiqet, po maskohet si parti e gjelbër evropiane. Ky është kulmi i hipokrizizë! Të gjelbër do të jenë ata që për 20 vite lanë shqiptarët pa barazi sociale dhe ekonomike. Për të qenë hipokrizia edhe më e madhe, vetë Ali Ahmeti numëroi deponitë e lumenjtë e ndotur dhe për këtë tha se nuk janë fajtorë institucionet, por fajsoi qytetarët.

Po, diçka e mirë po vjen dhe këtu ka vetëm një lajm të ri- BDI e pranoi në këtë Ditë Botërore të Ambientit se e kanë zgjebosur politikëbërjen me ngjyrën e kaltër dhe e mira është se në vjeshtë komunat shqiptare do të çlirohen dhe pastrohen nga regjimi i kuadrove të njollosura të BDI-së. Diçka e mirë në të vërtetë po vjen, pas tetorit!

https://almakos.com/ash-aaa-sot-bdi-pranoi-deshtimin-dhe-thelloi-mashtrimin-ne-tetor-pastrohen-komunat-shqiptare-prej-mbetjeve-te-tyre/