8.1 C
Tetovo
E shtunë, 27 Prill, 2024
BallinaOpinionAlket Veliu: Çështja çame nuk do të zhduket kurrë, deri sa të...

Alket Veliu: Çështja çame nuk do të zhduket kurrë, deri sa të triumfojë e drejta

Tradhtia vazhdon

Sot, më 27 mars mbushen 108 vjet nga dita e tragjedisë së madhe kur u vranë krerët e 13 katundeve të Çamërisë në Përroin e Selanit, në afërsi të Paramithisë. Ngjarja makabër shënon edhe nisjen e masakrës greke ndaj popullsisë çame dhe fillimin e zbatimit të strategjisë famëkeqe të spastrimit etnik, nëpërmjet “Megaloidesë”. Sipas dosjes Nr. 23, dok.17, nr.61, Janinë 11.8.1913, të Arkivit të Vjenës (Austri)) për Shqipërinë, “në fillim të vitit 1913, nisi të vihej në fuqi një plan djallëzor i forcave shoviniste greke për shfarosjen e popullsisë etnike shqiptare të besimit mysliman të rajonit të Çamërisë”. Në strategjinë greke të helenizimit të Epirit, ishte parashikuar fillimisht shfarosja e krerëve më të shquar të katundeve të krahinës etnike shqiptare të Çamërisë.
Më 27 mars 1913, në mesnatë, banda me 200 andartët e drejtuar nga barbari grek Deli Janaqi, u vërsulën në fshatrat çame. I kishin shënuar të gjithë emrat e atyre që do t’i vinin në gijotinë. Në grupin e parë ishin ata që shkonin në fshatin Nihuar, Rrëzanj, Beden, Koriqan, Skupicë, Dramës. Pas trokitjes së parë në portë ata u thoshin: “Vishuni bukur se ju kërkon qeveria. Do të merrni emërimin si kryeplak ose ndonjë emërim tjetër ”.
Pasi i vranë dhe i coptuan, edhe pse disa trupa nuk kishin vdekur, “trimat” e Deli Janaqit shpejtuan t’i rrjepin, duke u zhvatur gjithçka që kishin marrë me vehte: para, sende me vlerë, stoli dhe veshje të shtrenjta. Pabesia dhe mashtrimi grek nuk u arrit të pikasej; ata nuk e menduan se ishin para kurtheve vrasëse të shtetit grek. Ata ishin përzgjedhur për t’u ekzekutuar në pabesi, pa asnjë vendim gjyqi, pa asnjë lloj faji, por për faktin se ishin pari e fshatrave të tyre, të pasur dhe me etni të pastër shqiptare.
Egërsia, mjetet që u përdorën kundër parisë së Çamërisë, duke i copëtuar me thika e sëpata, lënia pa i varrosur me ditë të tëra, synonte të ngjallte panik që pjesa tjetër e popullsisë të braktiste gjithçka dhe të merrte rrugën e mërgimit.
Ndaj kësaj barbarie autoritetet greke, jo vetëm nuk reaguan, por morën në mbrojtje kriminelët, që vetë i kishin dërguar. Për këtë, në raportin e Konsullit Austro-Hungarez në Janinë, drejtuar Vjenës, thuhet: “Një oficer që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve” (A.K. i Vjenës për Shqipërinë, dosja 23, dok.17, nr.61, Janinë 11.8.1913)

Masakra e Selanit ishte masakra më e madhe që ka shkaktuar qeveria greke në një ditë të vetme. Ishte njolla më e madhe e turpit të qytetërimit grek. Rrallë gjen në Evropë raste analoge ku të jetë vepruar me aq sadizëm, siç vepruan grekët për shfarosjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë. Masakra e Selanit paralajmëronte gjenocidin në vazhdim, 30 vite më vonë, në vitet 1944-1945, kur u qeveria dhe shteti grek shpërngulën me dhunë të gjithë popullsinë myslimane çame, duke shkelur të gjitha Konventat dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare. Absurdi i pretendimeve greke për të mos lejuar riatdhesimin e popullsisë çame vazhdon edhe sot pas 79 vjetësh.

Athina zyrtare vazhdon të këmbëngulë në mosnjohjen dhe injorimin e problemit çam, e ndihmuar së fundi edhe nga qeveria shqiptare dhe kryeministri në detyrë Edi Rama, i cili po konsumon një bashkëpunim, herë të nëndheshëm, herë të hapur me palën greke, duke shitur interesat kombëtare, duke hequr nga programi dhe nga tekstet shkollorë çështjen çame, në funksion të interesave personale. Mbolli jugun e Shqipërisë me varreza të ushtarëve pushtues grekë dhe nuk kërkoi, në këmbim, qoftë edhe një memorial apo përmendore për 72 burrat fisnikë e të pafajshëm të masakrës së Selanit. Një memorial i tillë, veç ruajtjes së memories, do të rriste autoritetin dhe vlerat e shtetit shqiptar, do të mbante lart ndërgjegjen kombëtare. Por njëlloj si pabesia greke, tradhtia qeveritare e “mëkëmbësit të helenizmit” vazhdon, duke mbjellë mohim dhe urrejtje për Çamërinë dhe përfaqësuesit legjitimë të komunitetit çam. PDIU anatemohet dhe sulmohet me të gjitha format nga drejtues të fushatës elektorale të PS, të trembur nga pesha e saj elektorale. Por si qeveria greke, ashtu edhe Edi Rama, nuk mund t’a fshehin dot të vërtetën mbi tragjedinë çame, historinë e masakrave dhe holokaustit, ushtruar ndaj popullsisë vendase shqiptaro-autoktone në Çamëri .

Çështja çame nuk do të zhduket kurrë, deri sa të triumfojë e drejta. Ne bijtë dhe nipërit e atyre që përjetuan vrasjet dhe shpërguljet e gjenocidit jemi sot më të vendosur se kurrë për të luftuar për të drejtën tonë, për drejtësinë që është mohuar qysh në vitin 1913, kur Çamërinë e shkëputën nga trungu amë.

Ne nuk harrojmë!

https://kohanews.com/lajme/alket-veliu-ceshtja-came-nuk-do-te-zhduket-kurre-deri-sa-te-triumfoje-e-drejta/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments