20.2 C
Tetovo
E hënë, 6 Maj, 2024
BallinaLajmeAkademik Abdulla Mehmeti- (Me shkas, deklarata e eurodeputetit bullgar Xhambaski në Prishtinë)...

Akademik Abdulla Mehmeti- (Me shkas, deklarata e eurodeputetit bullgar Xhambaski në Prishtinë) / KUR POLITIKA RAJONALE MENDON RUSISHT DHE GËRVISHT BULLGARISHT

Eurodeputeti i Bullgarisë* nga qendra e Prishtinës ka deklaruar se Skënderbeu nga e ëma e tij paska qenë bullgar! Por, paska harruar se edhe para tij shumë politikanë dhe pseudoshkencëtarë të tjerë nga shtetet fqinje të rajonit kanë dhënë deklarata të ngjashme në lidhje me prejardhjen e nënës së Skënderbeut, madje kanë shkruar edhe libra e pamflete politike në lidhje me këtë propagandë. Kjo deklaratë, në mënyrën si është dhënë, në vendin dhe kohën kur jepet, nuk i shërben fqinjësisë së mirë, mirëbesimit, frymës demokratike dhe evropiane, bashkëpunimit rajonal dhe as atij bilateral mes Bullgarisë dhe Shqipërisë e Kosovës.

Gazetarët dhe mediet është dashur dhe duhet t’i parashtrojnë tri pyetje këtij eurodeputeti provokator, përderisa këtë deklaratë nuk e ka bërë nga Sofja apo Brukseli, por nga Prishtina, kryeqendrës së shtetit shqiptar të Kosovës, edhe atë, para monumentit të Skënderbeut.

E para, pse ky “patriot bullgar” nuk e inicion në venedin e tij, që një monument i Skënderbeut të ngrihet në kryeqytetin e Bullgarisë, në Sofje, sikurse në shumë kryeqendra të vendeve evropiane, për ta nderuar këtë figurë të madhe me përmasa evropiane dhe botërore, siç kanë bërë gati të gjithë popujt dhe vendet tjera, përveç grekëve, turqve dhe sllavëve?!

E dyta, të shpjegojë se çfarë nënkupton ky eurodeputet me emrin etnik bullgar, ndërkohë që deklarohet se është me përkatësi sllave dhe gjuhë amtare ka një gjuhë sllave, që as e para dhe as e dyta asgjë nuk kanë të përbashkët me etnogjenezën dhe historinë e bullgarëve të lashtë, së paku deri në shek. XIX. Të deklarohesh përkatësinë etnike dhe gjuhën bullgare dhe sllave se janë e njëjta gjë, ose je thellësisht i paditur, ose je i manipuluar, apo agjent me tapi i Rusisë.

E treta, nëse ka mundësi të shpjegojë ky eurodeputeti i Bullgarisë, çfarë lidhje ka me bullgarizmin dhe sllavizmin mbiemri i tij Xhambaski (një formë e sllavizuar e emrit Xhambaz-i).

Xhambazë të këtillë fatkeqësisht ka pasur rajoni ballkanik edhe shumë kohë më parë, por kësaj radhe, me këtë deklaratë, vërtet duhet të merret seriozisht politika, pse jo edhe institucionet e shëndetit mendor në vendin e tij, dhe jo shkenca.

* Me këtë rast e shënojmë emrin e shtetit, përderisa nuk gjejmë asnjë argument shkencor, se ky eurodeputet sipas mbiemrit i takon etnisë bullgare.

(4 shtator 2022)

Shpjegimi i emrit xhambaz sipas Fjalorit të gjuhës shqipe:

XHAMBAZ m.

1. Ai që shet e blen kuaj a kafshë të tjera për të nxjerrë fitim; ai që shtron e stërvit kuajt xanxarë. Xhambaz kuajsh. Kalë për xhambaz kalë xanxar.

2. keq. Njeri që bën dallavere; njeri dredharak që përpiqet t’ua hedhë të tjerëve e të nxjerrë përfitime për vete; dallaveraxhi; batakçi. Pazarllëqe prej xhambazi.

3. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. Njeri xhambaz.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments